“Ju lutem kthehuni”! Ky është mesazhi për të rinjtë e talentuar nga Greqia që u larguan nga vendi gjatë krizës financiare.

Qeveria greke, për t’i inkurajuar të kthehen në atdhe, ka filluar një skemë  subvencioni që u ofron 500 të rinjve një pagë mujore prej 3,000 euro nëse kthehen në Greqi. Ministria e Punës do të mbulojë 70 për qind të kostos.

“Kjo është përpjekja e parë e shtetit grek për një rikthim gradual të
të rinjve,” tha Konstantinos Agrapidas, një zyrtar i lartë në
Ministrinë e Punës që po mbikëqyr programin.  Skema filloi në prillin e
kaluar si një mënyrë për të frenuar ikjen e trurit.

“Ndërkohë që Greqia del nga kriza dhe tani po hyn në udhën e
rindërtimit ekonomik dhe shoqëror, ajo po rimerr mjetet dhe fuqinë për
të krijuar një mjedis të përshtatshëm për kthimin e diasporës greke, i
cili kërkoi punë dhe perspektivën e një jete më të mirë jashtë vendit
gjatë krizës, ” tha Ministri Grek i Punës Yiannis Vroutsis, ndërsa
prezantoi programin.

Rreth 500,000 qytetarë u zhvendosën jashtë vendit gjatë krizës
financiare, gjatë së cilës papunësia arriti në 28 për qind. Shifrat e
papunësisë janë përmirësuar që atëherë, por prapë janë më shumë se
dyfishi i mesatares së Bashkimit Europian.

Ikja e trurit është rreziku i madh i ekonomisë greke. Deri në vitin
2050, popullsia e Greqisë pritet të zvogëlohet me 2.5 milion njerëz dhe
një në tre banorë do të jetë mbi moshën 65 vjeç, sipas një studimi të
një instituti kërkimi dhe politikash.

Përgjigja e qeverisë ishte të ofrojë një bonus financiar prej 2,000 eurosh për çdo lindje.

“Ikja e trurit është një çështje serioze për tregun e punës”, thotë
Guy Krief, anëtar i bordit të kompanisë së teknologjisë celulare
Upstream

Greqia ka përjetuar emigrim masiv edhe më përpara, përfshirë edhe
dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, por ndryshimi këtë herë është se
janë grekët me nivelet më të larta arsimore ata që po emigrojnë. Më
shumë se 90 për qind e atyre që u larguan ishin të diplomuar në kolegj,
dhe 64 për qind kishin një diplomë pasuniversitare.

Kapitali njerëzor është eksporti numër një i Greqisë, sipas një
raporti të “Endeavour”, një organizatë globale jofitimprurëse. Ajo thotë
se ikja e trurit gjeneron, çdo vit 9,1 miliardë euro taksa për vendet
në të cilat shkojnë të jetojnë grekët ndërsa vetë Greqia harxhoi 8
miliardë euro për të arsimuar këta njerëz.

Zina Maria Penteridou, një analiste e sistemeve të informacionit
gjeografik, që jeton në Londër prej gati katër vjetësh, ishte
entuziazmuar kur mësoi për programin e ri. Ajo tha se nuk dëshironte të
largohej nga Greqia por kur mbaroi studimet kriza ishte në kulmin e saj
dhe prindërit e saj e shtynë të shkonte jashtë shtetit.

“Jam e vetëdijshme se kthimi në Greqi do të nënkuptojë një pagë më të
ulët dhe standarde pune, por unë prapë do të dëshiroja të kthehesha,
nëse do të kishte një mundësi të mirë. “

Ndërsa disa të tjerë mendojnë se kjo skemë është e padrejta për ata që qëndruan në Greqi pas krizës

“Duhet të merren parasysh ata që kanë qëndruar. Dhe ata u torturuan
nga papunësia pavarësisht se ishin të aftë, por qëndruan”, shkruan
gazeta greke “Panea”,

Por qeveria kundërshtoi një kritikë të tillë, duke theksuar se ky nuk
është një program që synon uljen e papunësisë, por për të mbuluar
nevojat e vendit me ekspertë që Greqisë i mungojnë.

Përkundër nivelit shumë të lartë të papunësisë, shumë biznese në
Greqi, veçanërisht në sektorin e teknologjisë, thonë se luftojnë të
gjejnë punonjës me aftësi të duhura.

Guy Krief, një anëtar i bordit të Upstream tha se ai është duke
luftuar për të joshur inxhinierët, pasi ata që janë të kualifikuar
 lëviznin jashtë vendit sapo përfundonin studimet, dhe nuk kishin
dëshirë të punonin në Greqi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re