Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, deklaroi të martën se shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet t’i largohen perspektivës së BE-së dhe paralajmëroi se ne të kundërtën paraqitej rreziku i kthimit në vitet ’90.

Juncker mbajti një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit Evropian (PE), që po zhvillohet në Strasburg të Francës.

Pas fjalimit të Presidentit francez, Emmanuel Macron, në Asamblenë e Përgjithshme, fjalën e mori Juncker, që vlerësoi fjalët e Macronit për të ardhmen e BE-së dhe për “sovranitetin evropian”.

“Unë nuk jam naiv, jam në dijeni të problemeve”, tha Juncker duke rikujtuar se BE-ja në vitin 2003 ka dhënë premtime për shtetet e Ballkanit për perspektivën e së ardhmes, shkruan aa. “Jam në dijeni të përpjekjeve që duhet të tregojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Nëse i largojmë këto shtete nga perspektiva e BE-së, atëherë do të përjetojmë sërish ngjarjet e viteve 1990. Nuk dua që Ballkani Perëndimor të kthehet përsëri në luftë”, deklaroi ai./.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re