Kombëtarja shqiptare e peshëngritjes ka regjistruar rezultate të shkëlqyera në ditën e saj të parë të pjesëmarrjes në Kampionatin Europian për U-15 dhe të rinj, aktivitet që po mbahet në Selanik të Greqisë.

I pari që u ngjit në pedanë ishte Antonino Mullisi, i cili garoi dje në Baterinë A të peshave 73 kg për U-15. Peshëngritësi i talentuar i Vllaznisë spikati duke fituar dy medalje argjendi dhe një të bronztë. Mullisi e nisi stilin e shkëputjes duke kaluar me sukses 107 kg, ndërsa dështoi provën e dytë me 111 kg. Por në provën e tretë e kaloi me sukses këtë peshë, duke fituar medaljen e argjendtë në shkëputje. Në stilin e shtytjes, ai i realizoi saktë të tria provat me 131, 136 dhe 137 kg, duke marrë medalje bronzi. Me 248 kg në total, shtangisti shkodran rrëmbeu një tjetër medalje argjendi, duke mbyllur një Europian për duartrokitje, teksa ngriti tri herë flamurin e Shqipërisë në podium.

Më tej gjatë pasdites, dje u ngjit në pedanë një tjetër peshëngritës premtues, Samoel Rrasa, i cili gjithashtu tregoi formë fantastike në kategorinë e të rinjve për peshat 73 kg. Shtangisti i armatës shtërmenase të Leonard Toskës u shpall kampion i Europës në stilin e shkëputjes. Ndonëse nuk e filloi në mënyrën më të mirë, teksa dështoi në provën e parë me 122 kg, më pas Rrasa e ngriti me sukses të njëjtën peshë, ndërsa kaloi edhe 125 kg, duke e merituar medaljen e artë.

Në stilin e shtytjes ai ngriti fillimisht 141 kg, nuk ia doli me 144 kg, por u korrigjua duke kaluar me sukses 145 kg, rezultat që e klasifikoi në vend të katërt. Me 270 kg në total, Rrasa e mbylli dygarëshin në vend të dytë, duke varur në qafë edhe medaljen e argjendit. Shqipëria përfaqësohet në Europianin e moshave me katër sportistë, ndërsa tashmë do të jetë radha e dy vajzave. Dita e sotme rezervon konkurrimin e Enkileda Carjes, kampione e trefishtë dhe rekordmene e Europës për U-15, e cila do të garojë tashmë për të reja. Carja do të konkurrojë në Baterinë A në kategorinë e peshave 64 kg, me garën që do të startojë sot në orën 19:00.

Ndërsa më 21 qershor do të jetë radha për Maida Lozin, e cila do të matë forcat në kategorinë e peshave 76 kg për moshat U-15. Theksojmë që peshëngritja shqiptare po kalon ndoshta momentin më të vështirë të këtyre dekadave të fundit, ku për herë të parë pas viteve 2000 nuk arrin asnjë normë olimpike, ndërsa kreu i FSHP-së, Elez Gjoza, tashmë i ka hedhur sytë te brezi i ri, me shpresën për të gjetur pasardhës të kampionëve të mëdhenj si Briken Calja apo Erkand Qerimaj.

ARTIN LLESHAJ-

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re