Kardinali Marks i Mynihut mbrojti që priftërinjtë mund të martoheshin. Por asgjë revolucionare, thonë ekspertët.

Kryepeshkopi i Mynihut dhe Fraising, Kardinali Marks, është megjithatë kundër heqjes së plotë të beqarisë. Sepse, siç theksoi ai në një intervistë me të përditshmen prestigjioze të Mynihut Süddeutsche Zeitung, beqaria është “një mënyrë për të jetuar Ungjillin, ishte mënyra e jetesës së Jezusit”.

Por ai mund të imagjinojë se priftërinjtë kanë të drejtë të martohen.

“Do të ishte më mirë që disa priftërinj të ishin të martuar. Dhe jo vetëm për arsye seksuale, por jo për të qenë të vetmuar. Duhet të diskutojmë për këtë.”

Marksi e përshkroi beqarinë si “të vështirë”.

“Por kjo mënyrë jetese dhe kjo aleancë mashkullore tërheq njerëz që nuk janë të përshtatshëm dhe që janë seksualisht të papjekur”.

Morali seksual katolik ka shkaktuar “shumë bllokada”.

Disa e shohin deklaratën e Marksit për heqjen e pjesshme të beqarisë si revolucionare. Megjithatë, drejtori i Institutit për të Drejtën Kanonike në Münster, Thomas Schiller, i tha agjencisë gjermane dpa se ai “nuk ishte aspak heretik dhe as revolucionar”.

“Marksi nuk rrezikon asgjë me deklaratat e tij për beqarinë. Ai në fakt përshkruan më shumë praktikën e njohur në historinë e Kishës Katolike, të cilën shumë katolikë e kanë kërkuar vazhdimisht,” tha Schiller.

Schiller kujton se në mesjetë kishte përpjekje për të futur “beqari të detyrueshme”. Por kjo nuk u miratua deri në shekullin e 16-të pas Reformimit, për të dalluar Kishën Katolike nga Kisha Protestante.

“Beqaria e detyrueshme nuk është dogmë, është normë disiplinore, mund të ndryshohet pa prekur dogmat e kishës katolike”, tha ky ekspert i së drejtës kanonike.

Kur ishte fjala nëse gratë mund të ishin gjithashtu priftëresha, Marksi u përmbajt në një intervistë me Süddeutsche Zeitung.

“Nuk mund t’i përgjigjem ende kësaj pyetjeje”, tha ai, duke theksuar se është aty jo vetëm për të pasur mendimin e tij, por edhe për të mbajtur gjithçka bashkë.

Por ai theksoi se argumentet kundër tij bëhen gjithnjë e më të dobëta.

“Nuk kam mbaruar me këtë. Thjesht e di që ne kemi nevojë për një konsensus të madh. Ose gjithçka do të shembet.”

Objektivi i kritikave të rënda

Kisha Katolike vazhdon të jetë objektiv i kritikave të ashpra për shkak të rasteve të shumta të abuzimit seksual. Firma juridike nga Mynihu, “Vespfal Spilker Wastl”, e cila së fundmi ka bërë një raport për abuzimet seksuale në Kryedioqezën e Mynihut dhe Freising, fajëson edhe ish-Papën Benedikt XVI për keqtrajtime në rastet e abuzimit seksual.

Nga ana tjetër, Jozef Racinger hodhi poshtë akuzat dhe në mbrojtje të tij shkroi një raport prej 82 faqesh. Megjithatë, më vonë iu desh të korrigjonte deklaratën e tij dhe pranoi se ishte në një takim kyç për të vendosur mbi transferimin e një prifti që kishte kryer abuzim seksual në kryepeshkopatë e tij në atë kohë.

Kryetari i Konferencës së Ipeshkvijve Gjermanë, Georg Becing së fundmi kërkoi falje nga Racinger. Kardinali Marks thotë këtë për Süddeutsche:

“Unë nuk do të kërkoj falje përmes mediave, por do të shpreh shpresën time që ai, siç është paralajmëruar, të bëjë një deklaratë gjithëpërfshirëse për këtë. Dhe deklarata e tij duhet të përmbajë edhe fjalë simpatie për viktimat.” /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re