Dr. Ali Abo Rezeg –

Gjersa Afganistani po shkon drejtë përfundimit të mundshëm të luftimeve disa vjeçare, roli si ndërmjetësues që pati Katari midis udhëheqjes politike të talebanëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka forcuar pozicionin e shtetit të Gjirit në rajon.

Gjatë dy viteve të fundit, Katari doli jo vetëm si ndërmjetës i besuar i SHBA-së, por gjithashtu fitoi edhe besimin e talebanëve për të organizuar bisedimet e grupit me qeverinë afgane, si dhe më pas edhe miratimin e Marrëveshjes së Dohas në shkurt 2020.

Vlen të përmendet se Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), ishin të parët që kishin ofruar organizimin e bisedimeve rreth Afganistanit në 2018 në përpjekje për të rritur ndikimin e saj politik në Azinë Jugore. Por përpjekjet e saj nuk dhanë fryte duke pasur parasysh qëndrimin armiqësor të vendit ndaj lëvizjeve islame në rajon.

Dështimi i EBA-së për organizimin e bisedimeve të tilla dhe suksesi i Katarit për t’i përfunduar këto bisedime në mënyrë produktive lidhet me ambientin negociues në të dy shtetet. Udhëheqësit talebanë ndienin sikur nuk po negocionin në një mjedis mbështetës ose, të paktën në një ambient të paanshëm në EBA, pasi që pas Pranverës Arabe të vitit 2011, vendi kishte zhvilluar një lloj armiqësie ndaj lëvizjeve islame të angazhuara politikisht në rajone të ndryshme.

Ajo iu ishte kundërvënë Vëllazërisë Muslimane egjiptiane, Hamas-it palestinez, Ennahda-s tuniziane dhe grupeve të shumta islame të Libisë. Nga ana tjetër, Doha kishte krijuar lidhje të ngrohta me këto grupe, duke u treguar kështu si një ndërmjetës i besuar mes tyre dhe armiqve të tyre politikë lokalë në njërën anë dhe si portë për SHBA-në dhe fuqitë e tjera perëndimore, të cilët kërkonin të zhvillonin bisedime me këto grupe përmes këtyre kanaleve.

Prandaj, zhvillimet e fundit në Afganistan dhe kalimi paqësor i pushtetit te talebanët jo vetëm që treguan suksesin e përpjekjeve të ndërmjetësimit të drejtuar nga Katari që synonte t’i jepte fund vuajtjeve në vendin e dërmuar nga lufta, por ndihmuan monarkinë e Gjirit të shfaqet si fituesi më i madh i ngjarjeve.

  • Ndërmjetës i ndershëm

Pikë së pari, Doha ka arritur të riafirmojë imazhin e saj si një ndërmjetës i ndershëm në rajon duke pasur parasysh faktin se ajo u dëmtua gjatë Pranverës Arabe pasi shteti i Gjirit mbajti qëndrim pro-Arab të Pranverës. Kjo u reflektua në mbulimin pro-revolucionit të televizionit Al-Jazeera me bazë në Doha dhe mbështetjen financiare të Katarit për lëvizjet revolucionare në Libi, Siri dhe Jemen.

Monarkia e Gjirit drejtoi gjithashtu “Shuttle diplomacy” (diplomacia e takimeve të ndara mes palëve) gjatë dy viteve të para të protestave që goditën gjashtë vende arabe. Doha ishte e njohur për diplomacinë aktive dhe përpjekjet e saj për ndërmjetësim që më parë dhanë fryte në Jemen (midis qeverisë dhe Houthive në 2008); Liban (ndërmjet rivalëve të vendit në 2009), Palestinë (midis Fatah-ut dhe Hamas-it në 2012); Sudan dhe Çad në 2009; Xhibuti dhe Eritrea në 2010; dhe më e rëndësishmja Marrëveshja e Darfurit që mblodhi së bashku qeverinë dhe opozitën sudaneze në 2011.

Për më tepër, së dyti, ajo që e bëri Dohan fituesin më të madh rajonal është se fushata katërvjeçare për të demonizuar monarkinë e Gjirit nga fqinjët e saj si Arabia Saudite, EBA, Bahreini dhe Egjipti gjithashtu dështoi.

Të katër vendet, gjatë viteve të bllokadës që vendosën mbi Katarin, u përpoqën, herë pas here, të përshkruanin shtetin e Gjirit si asgjë tjetër përveç një shteti terrorist. Në SHBA u angazhuan kompanitë kryesore të lobimit duke ushtruar më shumë presion ndaj Washingtonit që të mos angazhohet me Dohan në çështjet rajonale. Megjithatë, zhvillimet, kryesisht në Afganistan, Siri dhe Palestinë, kanë demonstruar se, në disa raste, SHBA-ja kishte nevojë për Katarin më shumë sesa Katari që kishte nevojë për të. Veçanërisht, në çështjet ku SHBA-ja kishte nevojë për bisedime përmes këtyre kanaleve me grupet islame në rajon.

Pati një perceptim të gabuar se Doha po vepronte në mënyrë të pavarur nga SHBA-ja dhe po dëmtonte interesin e saj. Por kjo u sqarua nga shumë udhëheqës të Katarit, kryesisht Emiri Tamim i cili riafirmoi në një intervistë televizive me moderatoren veterane Christine Amanpour në 2014 se ata ishin në koordinim të ngushtë me SHBA-në për marrëdhëniet e tyre me grupet islame në rajon, më konkretisht, Grupin e rezistencës palestineze Hamas. Emiri Tamim theksoi se SHBA-ja shpesh u thoshte atyre të bindnin Hamas-in të merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006 pasi kështu shpresonin se do të përfshinin lëvizjen palestineze dhe do ta bënin atë pjesë të procesit të paqes me izraelitët.

  • Porta për fuqitë rajonale

Së treti, falë marrëdhënieve të ngushta që ka me talebanët, Katari është bërë një portë për fuqitë rajonale që synojnë të kenë lidhje të mira me sundimtarët e rinj të Afganistanit. Turqia, Arabia Saudite dhe, në një masë më të vogël, Egjipti mezi presin krijimin e lidhjeve të mira me talebanët. Këto vende Katarin e konsiderojnë si çelës për të afruar aktorët e fuqishëm afganë, gjë që do të ndihmonte Dohan dhe do të rriste ndikimin e saj si një lojtar politik thelbësor dhe të pakrahasueshëm në rajon.

Që nga viti 1995, viti që shënoi ngritjen e mbretit Hamad në pushtet, monarkia e Katarit ka luajtur një rol që shkon përtej madhësisë së saj në nivel rajonal duke investuar në media, arsim, diplomaci humanitare, ndërmjetësim dhe sport.

Ky rol në shikim të parë përkon me ngritjen e djalit të Emirit Hamad, Tamim në 2013, diplomacia aktive dhe e fuqishme e të cilit ishte e dukshme gjatë krizës së Gjirit në aleancë me Turqinë. Kjo gjithashtu ka arritur kulmin me raportet që vendi ka lidhur me grupet disidente dhe opozitare në rajon duke e bërë atë një destinacion të favorshëm jo vetëm për fuqitë botërore, por edhe për lojtarët rajonalë të cilat kërkonin kontakte përmes këtyre kanaleve.

  • Autori është gazetar dhe studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare, i interesuar për studimet rreth Gjirit dhe Palestinës

*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën redaktuese të Anadolu Agency.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re