Shoqata e Gjyqtarëve ka reaguar për kërcënimin e gjyqtarit të Korçës, Markelian Kuqo, i cili pak ditë më parë mori një telefonatë ku thuhej se i kishin vendosur bombë në makinë.

Sipas Shoqatës Kuqo u kërcënua nga një i dënuar dhe nuk pati asnjë reagim nga strukturat përgjegjëse.

“Gjyqtari Markelian Kuqo U kërcënua nga një i dënuar, mungesë reagimi nga strukturat përgjegjëse. Organet kompetente të veprojnë me shpejtësi. KLGJ të marrë masat e duhura.

Ngjarje të tilla, jo vetëm cenojnë ushtrimin në mënyrë të rregullt dhe efiçente të detyrës nga ana e gjyqtarëve por krijojnë edhe një pështjellim në jetën private dhe familjare të tyre.

Nga ana tjetër, kur precedentë të tillë të rrezikshëm, shoqërohen me mosreagimin e organeve kompetente për ndjekjen dhe hetimin e tyre, situata bëhet akoma edhe më të rëndë e shkurajuese për trupën gjyqësore, për kryerjen e misionit të tyre fisnik të dhënies së drejtësisë,” thuhet në deklaratën e gjyqtarëve të Shqipërisë, ku ndër të tjera apelohen të gjithë organeve kompetente që të veprojnë me shpejtësinë dhe përgjegjësinë e duhur, me qëllim që personat të cilët qëndrojnë pas ngjarjeve të tilla, të marrin përgjigjen e duhur ligjore e ato të mos përsëriten më në të ardhmen.

Gjithashtu, kjo shoqatë fton aktorët politikë, dhe në mënyrë të veçantë përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv, që të tregohen më të përmbajtur në raport me deklaratat dhe qasjen e tyre ndaj pushtetit gjyqësor.

Së fundi, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe organeve të tjera të ngarkuara, që në zbatim të detyrimeve të nenit 20 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” si dhe akteve nënligjore të dala në bazë e për zbatim të tij, të vlerësojnë situatën me seriozitet dhe të marrin të gjitha masat duhura për mbrojtjen e gjyqtarit në fjalë.” përfundon deklarata e gjyqtarëve.

Gjyqtari Markelian Kuqo mori një telefonatë, në të cilën thuhej se në makinën e tij është vendosur një bombë. Vetë gjyqtari ka thënë se nuk ka dijeni për ngjarjen.

Policia konfirmoi se telefonata ishte bërë nga burgu i Drenovës, konkretisht nga Naim Behari.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re