Gratë në Bashkimin Evropian paguhen mesatarisht 13 për qind më pak se burrat që bëjnë të njëjtën punë, pavarësisht se ato kanë të drejtën e pagës së barabartë sipas ligjit të BE-së, njoftoi sot Komisioni Evropian, më 15 nëntor.

“Paga e barabartë për të njëjtën punë ose punë me vlerë të barabartë është një nga parimet themelore të BE-së. Ajo u përshkrua në Traktatin e Romës në 1957,” tha Komisioni në një deklaratë.

“Megjithatë, progresi në mbylljen e hendekut gjinor të pagave ka ngecur këtë vit dhe ka qenë i ngadaltë për vite me radhë,” tha ai.

Për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit, Komisioni nxori Direktivën për Transparencën e Pagesave, e cila hyri në fuqi në fillim të qershorit.

Direktiva, një ligj i BE-së, përcakton kuadrin për zbatimin e idesë së “punës me vlerë të barabartë” dhe kriteret e krahasimit që përfshijnë aftësitë, përpjekjen, përgjegjësinë dhe kushtet e punës.

Qëllimi i direktivës është të ndihmojë punëtorët të njohin dhe të kundërshtojnë diskriminimin e pagave. Por tani ajo duhet të transpozohet në ligjet kombëtare, për të cilat 27 vendet e BE-së kanë tre vjet. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re