Kryeministri Edi Rama  zhvilloi një takim me një  përfaqësi të sipërmarrjeve që operojnë përmes portit të Durrësit, ndërsa tha se koncesioni i skanimit në dogana është “më i gabuari i mundshëm”.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se ky koncesion nuk është hequr për shkak se do të krijonte një kosto të lartë në arbitrazh, ndaj u shpreh se me anë të një marrëveshje do të lehtësohet procesi i skanimit.

Rama tha se ajo që do të bëjnë është që nuk do bëhen 100% kontrolle, por kontrollet do bëhen në bazë të riskut.

“Pra nga 100 dalje nga porti vetëm në 10 raste do bëhet skanimi. Është një shifër e arsyeshme si fillim, më pas do shkohet më pak që të kalojmë në një skemë që të mos jetë e ndarë me ju, por në një numër më të vogël kontrollesh, por kontrolle të befasishme për të parë gjithmonë mbi bazë risku apo sinjalizimi nëse ka probleme apo jo”, tha Rama.

Po ashtu, Rama njoftoi planin për ndërtimin e një shkolle profesionale për transportin në port, një hap që sipas tij “synon të avancojë aftësitë dhe ekspertizën e punonjësve të këtij sektori kyç”.

Rama: Tema për të cilën jemi këtu, është tema e skanerit. Ky është një koncesion më i gabuar i mundshëm që mund të imagjinohet. Një koncesion atipik që ne e kemi trashëguar. Nuk e kemi pasur ta mundur ta godasim për shkak të paktit që ashtu siç është kopsitur do të na krijonte një kosto shumë të lartë në arbitrazh. Jemi munduar ta vëmë në shfrytëzim dhe të lehtësojmë koston mbi ju. Kemi bërë një negociatë me ju atëherë që e kemi ulur nga 45 euro në 22, por mbetet një koncesion i gabuar totalisht sepse skanimi i kamionëve nuk është nevoja juaj, por nevojë e shtetit për çështje të sigurisë dhe luftës kundër kontrabandës. Këtu jemi para një situatë që do zgjasë deri në 2030, e dini afatin. Ajo që do bëjmë ne është që duke pasur parasysh natyrën e aktiviteteve tuaja, të kontributeve tuaja si taksapaguesve ne do fillojmë të operojmë jo në bazë të kontrollit 100%, por kontrollit në bazë të riskut. Pra nga 100 dalje nga porti vetëm në 10 raste do bëhet skanimi. Është një shifër e arsyeshme si fillim, më pas do shkohet më pak që të kalojmë në një skemë që të mos jetë e ndarë me ju, por në një numër më të vogël kontrollesh, por kontrolle të befasishme për të parë gjithmonë mbi bazë risku apo sinjalizimi nëse ka probleme apo jo. Përtej kostos marramendëse që ka ky koncesion për operatorët e ka të mirën që e ka ulur në mënyrë të ndjeshme kontrabandën.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko