Treqind punonjës të Administratës Publike do të përfitojnë kredi me 0% interes për blerjen e një banese.

Lajmi i miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë u bë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, teksa dha edhe disa detaje të tjera mbi mënyrën se si do të përzgjidhen fituesit. “Vëmendje të veçantë në këtë proces – nënvizon Gonxhe – do të kenë arsimtarët, mjekët, infermierët, policët, ushtarakët, garda, veterinerët, artistët, etj”. “Kredi me zero për qind interes për blerjen e një banese, për 300 punonjës të Administratës Publike!

Një hap pozitiv për mbështetjen e profesionistëve të Administratës Publike, nëpërmjet një programi të veçantë që ofron kredi me 0% interes për blerjen e banesave, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së punonjësve, duke u siguruar atyre mundësinë për të jetuar në kushte më të mira dhe më të sigurta, pa u shpenzuar për interesat e kredisë”, – tha ai.

Përfituesit do të përzgjidhen në bazë të një sistemi pikëzimi dhe kuota shprehet Gonxhja do të jetë e përvitshme falë financimit nga Buxheti i Shtetit. “Përfituesit do të përzgjidhen në bazë të sistemit të pikëzimit. Këto kuota do të jenë të përvitshme, falë financimit nga Buxheti i Shtetit, miratuar në mbledhjen e djeshme të Qeverisë me propozimin e MEKI – Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit! Së shpejti, aplikimi në e-Albania.al”, – tha ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, duke bërë me dije se shumë shpejt do të mundësohet aplikimi ‘online’ përmes platformës “e-Albania”.

Duhet nënvizuar se numri i përfituesve nga kredia e butë vijon të jetë vetëm 300, është disafish më e ulët se numri i nevojave reale që kanë punonjësit e administratës publike. Në lidhje me kriteret, duke pasur në konsideratë vendimin e miratuar një vit më parë kuptohet që çdo i punësuar në administratën publike ka të drejtë të aplikojë me qëllim që të përfitojë kredi të lehtësuar për strehim.

Por parimisht duhet të plotësojë disa kushte që kanë të bëjnë jo vetëm me përfundimin e periudhës së provës në institucionin ku janë të punësuar, por edhe të mos kenë banesë në pronësi në emër të tyre dhe në emër të secilit prej anëtarëve të familjes, teksa duhet të banojnë në një ambient me sipërfaqe më të vogël se ajo e përcaktuar në standardet në fuqi për projektimin e banesave. Sa u takon kritereve të veçanta që duhet të përmbushen, gjithashtu lidhet edhe me nivelin maksimal të të ardhurave që duhet të ketë familja e të punësuarit në administratën publike. I punësuari në administratën publike që plotëson kriteret e përgjithshme dhe ato të veçanta të përmendura më lart, fillimisht duhet që të paraqesë kërkesën për kredi të lehtësuar pranë institucionit ku është i punësuar.

“Kërkesa paraqitet pranë strukturës së institucionit, e caktuar në rregulloren e brendshme të institucionit, ose e ngritur posaçërisht me urdhër të titullarit të institucionit për të shqyrtuar kërkesat për kredi për strehim”, – thuhet në ndryshimet ligjore të bëra në ligjin për strehimin social.

Do të jetë titullari i institucionit të administratës publike harton listën me të punësuarit e institucionit që plotësojnë kriteret për të përfituar nga ky program i strehimit social, të cilën ia përcjell për miratim ministrit përgjegjës që mbulon institucionin ose Kryeministrisë, brenda kuotave të miratuara në total për këtë program. Procedurat për paraqitjen e kërkesës, shqyrtimin dhe miratimin e listës së të punësuarve në administratën publike, si dhe dokumentacioni që duhet të paraqesë ai, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për strehimin.

SI DO NDAHEN KREDITE E BUTA

Kuotat e përgjithshme të kredive të lehtësuara për
administratën publike për vitin 2024 janë, gjithsej, 300 (treqind)
dhe ndahen, si më poshtë vijon:
a) 90 (nëntëdhjetë) për Ministrinë e Brendshme
b) 90 (nëntëdhjetë) për Ministrinë e Mbrojtjes
c) 30 (tridhjetë) për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
ç) 30 (tridhjetë) për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit
d) 45 (dyzet e pesë) për Ministrinë e Shëndetësisë dhe
Mbrojtjes Sociale
dh) 15 (pesëmbëdhjetë) për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës
dhe Inovacionit

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re