Nga: Sali Shasivari

Në kohën kur ‘shqipëritë’ tona po zhyten gjithnjë e më tepër në antagonizma dhe dështime të mëdha në gjitha sferat e jetës, me ç’rast, politika po klanizohet dhe po kriminalizohet, agjenda kombëtare po defokusohet dhe po devijohet, elita intelektuale po anashkalohet dhe po margjinalizohet, pasuria e popullit po uzurpohet dhe po keqshfrytëzohet, ekonomia po korruptohet dhe po shkatërrohet, administrata po politizohet dhe po nepotizohet, populli po manipulohet dhe po varfërohet, familja shqiptare po targetohet dhe po shpartallohet, rinia po prishet dhe po degjenerohet, nataliteti po ulet dhe po zvogëlohet, krimi, vrasja dhe vetëvrasja po përhapet dhe po shtohet, truri i kombit po neglizhohet dhe po migrohet, trualli shqiptar po boshatiset dhe po depopullohet, arsimi po përbaltet dhe po dobësohet, morali po venitet dhe po shkatërrohet, kultura po neglizhohet dhe po tëhuajësohet…, e, çka tjetër nuk bëhet…; fati i këtij populli vazhdon të mbetet në duart e atyre që e shohin atë si makineri votimi, objekt manipulimi, subjekt nënçmimi dhe burim pasurimi…!

Madje, në këtë situatë konfuze në të cilën po kalojmë si kolektivitet, ajo që duhet kuptuar dhe pranuar, është fakti i hidhur se, ky krim, nuk është monopol vetëm i sferës politike, por si i tillë, ai ka kapluar shumë sfera të ndjeshme shoqërore, duke filluar nga shëndetësia dhe arsimi, e deri te sferat e biznesit dhe raporteve ndërnjerëzore…!

Në këtë kontekst, thëniet e mëposhtme të rilindasve tanë, të artikuluara shumë dekada më herët, tingëllojnë më aktuale se kurdoherë…!

“Shqiptari ka prapa një traditë mijëvjeçare kapadaillëku dhe dhune, ndaj dhe heronjtë e udhëheqësit e tij nuk mund t’i përftyrojë ndryshe, veçse të pajisur më këto veti. Kënga popullore nuk u këndon mendjelartëve, shpirtmirëve, zëmërdhemshurve, por e mburr hakmarrësin, trimin, të pamëshirshmin, të dhunshmin dhe intrigantin”. (Eqrem bej Vlora (1885 – 1964), në librin e tij, “Kujtime, 1885 – 1925”)

“Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë”. (Faik Konica, Vepra 3, f. 169).

Ajo që është më e hidhur në gjithë këtë realitet të hidhur të aktualitetit shqipëtar, është: targetimi dhe zëvendësimi i individëve dhe modeleve pozitive dhe konstruktive me “modele” negative, destruktive, dhe degjeneruese…; targetimi i familjes së shëndoshë, e cila paraqet bërthamën e shoqërisë, duke tentuar shkatërrimin e së njejtës…; si dhe, targetimi i sistemit edukativo arsimor, i cili paraqet ‘fabrikën më të mirë sociale’, duke e dobësuar deri në përmasa ekstreme…!!! E gjithë kjo, konform maksimës së njohur e cila tingëllon: “Nëse dëshiron të shkatërrosh civilizimin e një populli, mjaftojnë tri gjëra, edhe atë: 1. Shkatërrimi i familjes, 2. Shkatërrimi i arsimit, dhe 3. Shembja e modeleve”…!

Injorimi i vazhdueshëm i gjitha këtyre fushave, si dhe fokusimi i vazhdueshëm vetëm tek sfera e veprimtarisë politike dhe ajo e politikbërjes, ka bërë që gjendja dhe situata jonë të arrijë në fazën e metastazës, duke kapluar çdo nyje të jetës sonë; andaj, ‘shërimi’ dhe zgjidhja e gjendjes së mjerueshme aktuale duket gati se mision i pamundur!

Së këndejmi, është detyrë parësore e të gjithë neve që t’i demaskojmë të gjithë ato ‘cuba’ të mëhallave dhe lagjeve tona, të cilët, krimin, vjedhjen dhe plaçkitjen e tyre ndaj popullit të vetë e mbulojnë me “patriotizmin” dhe “bajraktarizmin” e rrejshëm të tyre, duke shit “ideale” për lirë pare, gjersa, populli i mjerë është hipnotizuar deri në atë shkallë, sa që, më lehtë ju beson rrenave dhe mashtrimeve të tyre, se sa realitetit të hidhur i cili po kundërmon në të gjitha poret e jetës sonë…!

Hapi i parë i domosdoshëm në këtë drejtim do të ishte rifreskimi ose ri-instalimi i vetëdijes së ndërgjegjësuar si dhe asaj që quhet ‘turp shoqëror’, me ç’rast, shoqëria dhe kolektivi do të merrte rolin e ‘prokurorit publik dhe të përgjithshëm’ në ‘denoncimin’ dhe ‘dënimin’ e çdo sjellje delikuente dhe diletante e cila rrezikon të thejë normat shoqërore dhe kolektive dhe të nëpërkëmbë fatin e popullit. E në këtë rast, ‘paditës’ do të duhej të ishte çdo individ i shoqërisë, duke mos kursyer as fëmijën e vet!

Hapi i dytë tejet i rëndësishëm në këtë aspekt është emërtimi i gjërave me emrat e tyre të vërtetë. Kështu, është koha e fundit që kriminelit t’i themi kriminel, e jo ‘njeri i zoti’; është koha që injorantin dhe ‘dallaverexhiun’ ta definojmë si të tillë, e jo duke e lavdëruar si ‘të gjindshëm’; është koha që rryshfetin dhe mitmarrjen ta dënojmë e refuzojmë, e jo ta emërtojmë me emrin ‘tender’, ku të gjithë turren për të marë një hise sado të vogël nga i njejti!

Hapi i tretë vendimtar në këtë drejtim është që të ndalemi së glorifikuari dukuritë negative, dhe, që, fenomenet e tilla destruktive të mos i shndërrojmë në biseda të zakonshme; kjo, me qëllim që të mos i ‘indoktrinojmë’ dhe ‘helmojmë’ gjeneratat e reja me ide dhe ambicje të gabuara!

Për më tepër, metoda më e mirë për të luftuar dukuritë e këtilla devijante është ‘leçitja’ dhe ‘amputimi’ i të njejtave nga ‘trupi’ shoqëror, para se të shndërrohen në metastaza dhe të kaplojnë tërë trupin!

Një nga hapat shumë të rëndësishëm që duhet të ndërmerren në këtë drejtim është ‘izolimi shoqëror’ i gjithë atyre që tallen me fatin dhe perspektivat tona!

Kështu, personave të ‘sojit’ të këtillë, lere që nuk duhet ulur në tavolinë si dhe nuk duhet pirë kafenë, por atyre nuk duhet shkuar as në dasëm apo në rast vdekjeje!

Një izolim i këtillë, jo vetëm që do t’i bënte ata të ndjejnë përgjegjësinë dhe fajin për veprat e tyre të shëmtuara, por, në të njejtën kohë, një qëndrim i këtillë ndaj tyre do të ishte ‘leksion’ i mirë për të gjithë ata që do të ju shkonte ndërmend të tallen me fatin e popullit të vet!

Është koha e fundit që t’i shporrim nga lagjet dhe mëhallat tona kriminelët dhe hajdutët të cilët po mbajnë peng shoqërinë tonë dhe perspektivat e saj. Madje, këta kriminelë dhe hajdutë nuk duhet dënuar vetëm për krimet dhe plaçkitjen e tyre enorme, por atyre duhet kërkuar llogari edhe për kohën e humbur në procesin e demokratizimit dhe zhvillimit të ‘shqipërive’ tona!

Mjaft më ‘hëngrëm sapunin për djath’; mjaft na ‘shitën dardha të kalbura’ ata që janë të kalbur në trungun e tyre njerëzor!

Është koha e fundit për vetëdijesim dhe ndryshim; përndryshe, do të na mallkojë historia dhe gjeneratat e ardhëshme!

“Përpara se ti mësojmë të vegjëlve dashurinë ndaj atdheut, duhet ti mësojmë të mëdhenjtë që mos ta vjedhin atë” (Dr. Tarik Suwaidan)

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re