Edhe pse duhen disa muaj deri te zgjedhjet lokale, prej javësh kanë nisur të jepen versione kandidaturash nga opozita mbi rivalë të mundshëm të kryebashkiakut Veliaj. Herë thuhet për Dash Shehin, herë për Jorida Tabakun, ka që nxjerrin emrin e Klajda Gjoshajt nga LSI, dhe, së këndejmi, mund të dallohet qartë një krizë te “burimet njerëzore” në PD, për t’ja gjetur krybashkiakut socialist ekuivalentin në radhët e veta.

Kjo defiçencë u vu re dhe zgjedhjet e kaluara, pikërisht në Tiranë, ku rival për Veliajn nuk ishte ndonjë ekuivalent i tij, në moshë, formim, trend politik. Halim Kosova, padyshim një personalitet i jetës publike shqiptare, njeri me sharm qytetar dhe kontribute profesionale e shoqërore, ishte më i miri i mundshëm që mund të nxirrte PD-ja si kandidaturë, por jo më duhuri edhe nga mungesa e ekuvalencës me Veliajn. Vijnë nga botë të ndryshme, me trende të ndryshme jetësore, përfshirë dhe perspektivat e ndryshme. Ndaj, nëse vërtet do vihej Dash Shehi përballë Veliajt, të njëjtin fat do kishte, me maksimumin një “humbje dinjitoze”.

Në PD munde të gjenden ekuivalentë moshe të Veliajt, por vështirë në tipologji dhe performancë politike. Me gjithë teprimet që ka, ku veçon teatraliteti deri në neveri, Veliaj mbetet një model i ndërtimit në kohë të një figure publike konkuruese me kombinim të civiles me politiken, për të përfunduar plotësisht tek kjo e dyta. Një model të tillë në PD nuk e gjen dot, sado të sforcohesh. Më dramatik në këtë aspekt është vetë kreu Basha. Krejtësisht anonim deri pak muaj para zgjedhjeve të vitit 2005, kohë kur doli për herë të parë në publik si figurë e KOP-it, ai hyri në politikë pa CV kontributesh në shoqëri. Më pas, në të gjithë vitet e qverisjes demokrate ku mbajti poste shtetërore, ku veçon e fundit Bashkia e Tiranës, Basha nuk arriti të ofronte modelin e një reformatori, një lloj origjinaliteti në stil drejtimi, që do e kish veçuar si profil politik imponues. Pas gati 15 vitesh në politikë, ende nuk është e qartë se cila është aftësia e tij më e spikatur, ajo që e dallon dhe e bën një konkurent të fortë.

Edhe në drejtimin e PD-së, këtë defekt të tij ai e ka përcjellë dhe si defekt të partisë; në 5 vite opozitë, nuk ka mundur të investohet në figura të reja, në modele të reja imponuese me aftësi konkuruese. Fakti që edhe hipotetikisht nxirret Dash Shehi si kandidaturë, është treguesi më i dhimbshëm i kësaj situate.

Për ta rivalizuar Veliajn, opozita ka emra pa fund. Çështja është për ta sfiduar atë. Ndër emrat mund të jenë dhe ata që janë të përafërt në profil me kyebashkiakun, ndokush dhe “shok armësh” dikur me të, dhe që përbëjnë ekuivalenca në disa tregues; për më tepër edhe janë investuar në luftë kundër tij, si Altin Goxhaj e Besjan Pesha. Fakti se as që janë përfolur ndonjëherë për diçka të tillë, tregon që as imagjinata nuk i përfshin në një pozicion sfidues përballë Velisë.

Basha ka më shumë se gjysmë viti kohë për ta zgjidhur këtë ngërç në burime njerëzore, që është dhe ngërçi më i madh politik në forcën që drejton. Shprehja që heraherës e përdor si “bijtë dhe bijat më të mira…”, është tregues tjetër i kësaj krize.                

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re