Nga: Floriar Arapi

Dita më ditë bota perëndimore po hyn në një situatë (epoke) të re, në të cilën nuk është ndodhur më parë, po hyn në dimensionimin e marrëdhenieve të saj me fenë islame dhe me muslimanët. Ky dimensionim i marrëdhënieve ndodh për shkak të rritjes së ndjeshme të popullsisë muslimane në botën perëndimore, sidomos në Evropë, ku statistikat më të fundit zyrtare tregojnë se popullsia muslimane po shkon drejt 10%, rritje e cila vjen për shkaqe si emigracioni, rritja demografike dhe konvertimet. Në këtë dimensionim të raporteve ndikojnë faktorët fetarë dhe ideologjikë, të cilët prodhojnë palë dhe rryma të caktuara, të cilat janë të ndryshme në vendet evropiane. Duke u bazuar te faktorët e mësipërm, po cilësoj disa nga rrymat kryesore fetare dhe ideologjike në Evropë dhe më pas marrëdhëniet e tyre me Islamin. Rryma kryesore, që njëherësh është rryma tradicionale historike, është rryma e vendeve katolike, Itali, Spanjë, Gjermani jugore, Francë etj. Rryma tjetër është rryma e vendeve protestante, Angli, Gjermani veriore, Hollandë, Suedi etj. Përtej rrymave me ndikim fetar kemi edhe rrymën e majtë liberale që zë një vend të rendësishëm në të gjithë Evropën dhe në politikat e saj. Rrymë tjetër është rryma seculariste ateiste, që gjithashtu është prezente gjithandej në Evropë, më së shumti e përqendruar në Francë. Secila prej këtyre rrymave ka një raport të ndryshëm në marrdhëniet me Islamin.

Rryma e majtë liberale, megjithëse nuk e përmban besimin në Zot në ideologjinë e saj, ka pjesë të rëndësishme të saj multikulturalizmin dhe, rrjedhimisht, marrëdhëniet ndërfetare dhe ato midis kombeve e racave janë të mira në vendet ku ajo influencon. Nuk shpreh qëndrime islamofobie dhe zyrtarisht përpiqet ta luftojë atë. Në vendet e influencuara nga rryma protestante, Angli, Gjermani veriore, Suedi dhe të tjera vende nordike, niveli i lirive dhe i të drejtave te njeriut është më i lartë, kështu që edhe në to, haset nivel më i ulët racizmi dhe islamofobie. Duke marrë si shembull Anglinë, megjithëse numri i të huajve dhe specifikisht i muslimanëve është shumë i lartë, problemet e racizmit dhe islamofobisë janë në nivel shumë të ulët dhe nuk gjenden forca politike me influencë që të kenë në programin e tyre “pastrimin” e vendit nga emigrantët apo muslimanët. Në vendet katolike, racizmi edhe islamofobia janë në nivelet më të larta. Megjithëse doktrina e tanishme katolike zyrtarisht e lufton racizmin dhe përpiqet të jetë shumë e kujdeshme në marrëdhëniet ndërfetare, fatkeqsisht popujt e këtyre vendeve janë më të ashpërit në racizëm, ksenofobi dhe islamofobi. Përtej kësaj, në këto vende kanë dalë forca politike që kanë në programin e tyre largimin e emigrantëve, ndalimin e fesë islame dhe gati e kanë në program racizmin dhe islamofobinë. Shembuj për këtë janë Lega Nord, Salvini, Itali, Marine Le Pen, Fronti Nacional, Francë, Viktor Orban, kryeministri hungarez, Sebastian Kurtz, kryeministri austriak etj.

Rryma tjetër ideologjike është rryma sekulariste ateiste, njëherësh edhe më e ashpra në islamofobi apo edhe më tej, në religjionofobi. Kjo rrymë burimin kryesor të ideologjisë së saj e ka nga revolucioni francez, gjatë të cilit u iniciua dhe gjeti zbatim. Idetë e revolucionit më pas vazhduan të ndahen në forma dhe degëzime të tjera ideologjike majtiste, liberale por edhe radikale ekstremiste si komunizmi. Duke qenë edhe burim i revolucionit, Franca vazhdon të jetë edhe bastioni i kësaj rryme. Në thelb të kësaj rryme është që “njeriu dhe mendja e tij është qenia më lartë”, “Zoti është krijuar nga mendja e njeriut”. Në fillimet e saj gjatë revolucionit, kjo ideologji u përplas ashpër me fenë (konkretisht me katolikët), ajo tentoi të zëvendësonte fenë katolike me një fe atesiste, “Kulti i Arsyes”, dhe më pas në një formë pak më të butë me një besim deist “Kulti i Qenies Supreme“.

Për të aplikuar 2 fetë e tyre ateiste dhe deiste, këta ekstremistë sekularistë të përfaqësuar nga “Klubi i Jakobinëve” ushtruan një dhunë të jashtëzakonshme, ku brenda pak kohësh ekzekutuan ne gijotinë, pa gjyq ose me gjyqe të inskenuara një-ditore dhjetëra mijëra bashkëqytetarë, vetëm për arsyen se ishin kundër revolucionit. Kjo periudhë 1793-1794 u quajt “Pushteti i Terrorit” dhe sipas Oxford English Dictionary këtu është rasti i parë i përdorimit të termit terrorizëm. Gjithashtu në fjalorin Akademisë Franceze, thuhet se në origjinë kuptimi i fjalës “terrorizëm” është terrorizëm nga shteti. Myra Williamson thotë se gjatë “Pushtetit të Terrorit” 1793-94, terrorizmi ishte një instrument qeverisjeje i shtetit të sapoformuar të Revolucionit, i ushtruar kundër armiqve të popullit”. Po të shohim me kujdes, mënyra terroriste deri edhe tek terminologjia “armiqtë e popullit” e Revolucionit Francez, kanë qenë ushtruar ekzaktësisht edhe nga regjimi komunist në Shqipëri. Marrëdheniet e tij me fenë ishin: zhdukja e fesë, vrasja, burgosja e klerikëve dhe shkatërrimi i xhamive dhe kishave. Duke qenë të ndikuar dhe duke hyjnizuar revolucionin fracez, Franca vazhdon të trashëgojë një sjellje armiqësore ndaj religjioneve dhe veçanërisht ndaj Islamit. Në fakt laicizmi, i cili do duhej të ishte një asnjanësi, Franca gjithmonë ka tentuar ta tranformojë në një religjion të mirëfilltë, “anti-religjion”, drejtpërdrejt ose jo, tanimë jo me të njëjtin brutalitet si në Revolucionnin Francez. Shteti francez është përpjekur ta aplikojë këtë rrugë në vijimësi dhe shembulli i fundit është Makroni, i cili në mënyrë sistematike ka përdorur një retorikë jo miqësore me Islamin.

Nuk kuptohet nëse Makron beson në tezat ektremiste që ai ka hedhur apo shqetësimi i tij janë faktorët e tjerë. Përtej asaj që Makron beson, ka disa arsye të tjera përse mund t’i hedhë këto teza ekstremiste apo edhe sulmet dhe fyerjet ndaj Islamit. E para është që Makron i përdor këto për shtuar mbështetjen tek shtresat ektremiste në Francë, ku ekstremistët e Le Pen, kanë pasur rritje të vazhdueshme të votave dhe të popullaritetit në sajë të këtyre tezave. E dyta, me rritjen e fuqisë dhe influencës së Turqisë, në vendet muslimane në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, Franca për herë të parë po rivalizohet seriozisht. Duke marrë si shembull Sirinë, Libinë, Algjerinë dhe më tej në Afrikë, konfliktin në Detin Mesdhe dhe së fundmi, lufta e Azerbajxhanit kundër aleatit të Francës, Armenisë. Përpara se të vazhdonte me fyerjet me karikatura ndaj profetit, Makron hodhi disa teza ekstremiste të çuditshme, ku sipas tij duhet të shikohet me dyshim dhe të konsiderohet ektremist islamik, dikush që nuk ha mish derri, dikush që falet rregullisht etj. Në aspektin ligjor, ndërkohë që në pjesën më të madhe të Evropës garantohet dhe sigurohet liria e shprehjes së besimit, në përputhje me KEDNJ, në Francë vendosen kufizime ligjore të çuditshme për Evropën dhe botën perëndimore dhe të krahasueshme vetëm me Kinën, siç janë: ndalesa e shamisë në shkolla dhe administratë publike, dënim me gjobë për shkuarjen në plazh me veshjen islame, detyrim që nxënësit të hanë mish derri në shkolla (shfuqizuar nga gjykata), burgim 5 vjet nëse refuzon mjekun e gjinisë së kundërt. Makron thotë se lufton ektremizmin, por në fakt, me të gjitha këto që në fakt bën dhe po tenton të bëjë, Makron po tenton zhdukjen e Islamit në Francë. Sipas Makron, një musliman i mirë është nje musliman që normat e tij të jetës i merr nga Makroni dhe kurrsesi t’i marrë nga Kur’ani dhe nga feja Islame dhe për këtë ai imponon një sistem ligjor diskriminues dhe asimilues, si dhe një klimë të tensionuar margjinalizuese në popullin francez. Por a është kjo zgjidhja? Kjo klimë nuk ka shërbyer asgjë, vetëm se në radikalizimin e palëve.

Akte të shumta ekstremiste dhe dhune kanë ndodhur ndaj muslimanëve, sidomos sulmet ndaj vajzave me shami, dhunime të xhamive, vrasje siç ishin vrasjet në xhami në Zelandën e Re, megjithëse të gjitha këto nuk përbëjnë lajme të rëndësishme për shumë media, ( përveç rastit makabër të Zelandës së Re ), gjithashtu nga krahu tjetër akte makabre terroriste, siç ishte vrasja e mësuesit që nxorri karikaturat apo të tjera, të cilat përcillen me zhurmë dhe me fokus te lartë. Në fakt këtu jemi në fillimin e një krize, por kjo krizë ka një emër të qartë, intolerancën. Pothuajse nuk ka vend në botë që njerzit të kenë të njëjtin besim apo ideologji, por bota ka treguar plot shembuj të bashkejetesës fetare ose ideologjike. Shqipëria është një vend tipik i bashkëjetesës fetare, le të marrin shembull. Francës dhe Evropës i kanë kushtuar shtrenjtë gjakderdhjet fetare dhe ideologjike, dhe të gjitha ato kanë ardhur prej intolerancës. Nata e Shën Bartolomeut (5000 të vrarë në një ditë) dhe luftrat fetare katoliko-protestante në Francë, kanë marrë jetën e rreth 3 milion njerëzve. Më tej në Evropë kanë marrë jetën e më shumë se 10 milion njerëzve dhe më pas, me ektremizmin sekularist me “Regjimin e Terrorit” të Revolucionit Francez. Më pas kalojmë te luftrat ideologjike, lufta civile e Spanjës dhe sidomos Lufta e Dytë Botërore, që dihet rezultati i tyre. Të gjitha këto që ndodhin në histori duhet të shërbejnë si mësime. Evropa pas kaq pësimesh, nga luftrat fetare dhe ideologjike, pas Luftes së Dytë Botërore, ka prodhuar një instrument të rëndësishëm KEDNJ, për të zgjidhur mirë të drejtat fetare dhe ideologjike si dhe normat e bashkëjetesës. Dhe në dimensionimin e marrëdhënieve të Evropës me Islamin, kjo konventë është një rrugë mjaftueshëm e mirë për t’u ruajtur nga ekstremizmat dhe për të bashkëjetuar.

Në këtë dimensionim të marrëdhënieve, palët duhet të kenë parasysh që secila palë ka ekstremistët e vet dhe mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet dhe bashkëjetuar është dënimi i ekstremizmit tënd dhe diskriminimit tënd, përpara se të etiketosh dhe të dënosh ekstremizmin e tjetrit. Në vendet perëndimore ka shumë raste diskriminimi dhe sulmesh fetare ndaj muslimanëve, rrahje të dhunshme ndaj grave me shami, madje edhe në raste kur kanë qenë shtatzanë, vrasje të individëve dhe vrasje masive, sulme sistematike ndaj xhamive, por këtë ekstremizëm të dhunshëm e shohim shumë pak të shfaqur apo të dënuar tek mediat apo politikanët perëndimorë. Madje shpeshherë ksenofobia bëhet zyrtare, duke justifukuar edhe sulmet fetare, kur përdorin shprehjen, “Ç’duan muslimanët këtu” apo “Ç’duan emigrantët këtu”. Kjo kryhet nga njerëz publikë, politikanë apo edhe në programe partish politike. Nuk e bën njeri të njëjtën pyetje, se “Ç’duan të krishterët në vendet muslimane”, pasi thuajse në të gjitha vendet muslimane ka një përqindje të popullsive të krishtera, apo harrojnë aspektin tjetër, që njerëzimi gjatë gjithë historisë së tij ka qenë emigrant, në një formë apo në një tjetër, emigrant nga një lagje në tjetrën, nga një qytet në tjetrin, nga një shtet në tjetrin, nga një kontinent në tjetrin, vetë ose paraardhësit e tyre.

Së fundmi, në këtë dimensionim të marrëdhënieve të Evropës me Islamin, duhet mbajtur në mendje mirë se përplasjet fetare ose sekularisto-fetare nuk kanë asnjëherë karakter lokal; ato kanë gjithmonë kanë karakter global, prandaj përkujdesja ndaj tyre duhet të jetë maksimale. Pasojat e kësaj i pamë kur me miliarda njerëz në botën Islame protestuan dhe bojkotuan Francën. Nëse cënohet një kishë apo një xhami në një fshat të Evropës, nuk preken thjesht banorët e fshatit, por preken 2.5 miliardë të krishterë ose 2 miliardë muslimanë.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re