Mediat kroate i kanë bërë jehonë marrëdhënieve të mira mes tifozëve shqiptarë dhe atyre kroat, gjë e cila është parë gjatë ditëve të fundit në rrugët dhe lokalet e ndryshme në qytet gjermane. Së fundmi ka qenë media “24sata” që i ka kushtuar një shkrim babait të lojtarit të Kombëtares shqiptare, i cili luan me Dinamon e Zagrebit, Arbër Hoxha.

Ukë Hoxha ka pozuar në rrugët e Hamburgut, disa orë para ndeshjes së sotme, Kroaci-Shqipëri, me flamujt e të dy shteteve. Ja shkrimi:

“Tifozët kroatë dhe shqiptarë përqafohen, këndojnë dhe brohorasin së bashku në rrugët e Hamburgut. Përshtypja është se po luajmë një ndeshje miqësore dhe jo ndeshje të xhiros së dytë të Kampionatit Europian, e cila është e një rëndësie vendimtare që të dyja kombëtaret të arrijnë në 1/16. Kroatët dhe shqiptarët po shoqërohen para ndeshjes, shumë prej tyre mbajnë flamujt e të dy vendeve dhe në shoqërinë e gëzuar zbuluam Ukë Hoxhën, babain e lojtarit të Dinamos dhe Kombëtares shqiptare Arbër Hoxha, i cili mund të nisë sot nga minuta e parë.

– “Nuk e di nëse Arbëri do të fillojë lojën nga minuta e parë. Ishte kështu, por mbrëmë nuk e bëri. Kroacia është më e mirë në letër, por ndoshta mund të krijojmë një sensacion. Kush është më i mirë le të fitojë”, u shpreh babai i lojtarit shqiptar.

Ukë Hoxha ka pozuar me flamurin kroat dhe shqiptar dhe buzëqeshi i gëzuar teksa ne e fotografonim. Ai e flet shumë mirë gjuhën kroate, ka shërbyer në ushtri në Beograd dhe askush nuk do të jetë më krenar se ai nëse djali i tij luan sot kundër vendit që e respekton dhe e vlerëson”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re