Në ndryshim të madh nga një sezon më parë, skuadra e Tomorit hyn në këtë edicion të ri me synime të qarta dhe të padiskutueshme: rikthimin në Kategorinë e Parë. Mesazhi vjen qartë dhe fort nga kreu i Bashkisë së Beratit, Ervin Ceca, i cili, në një deklaratë ekskluzive për “Panorama Sport”, garantoi mbështetjen maksimale për klubin, stafin teknik dhe futbollistët.

Bashkia e Beratit ka qenë dhe mbetet e gjitha në shërbim të komunitetit dhe vlerave që mbart qyteti ynë. Por, një pjesë e ndjeshme e këtij komuniteti është sporti dhe sidomos futbolli. Momentalisht, jemi të fokusuar në ringritjen e Tomorit, duke emëruar një staf profesionist, me emra që imponojnë respekt si Arbëri, Gjata, Muxhaj dhe Fani. Ata kanë pasionin dhe eksperiencën e duhur për t’i shërbyer skuadrës,” u shpreh Ceca. Kryebashkiaku theksoi se puna e bërë deri më tani për sezonin e ri ka dhënë shenja shumë premtuese.

“Rendimenti gjatë fazës përgatitore dhe përforcimet e deritanishme tregojnë se jemi në rrugën e duhur. Bashkia, së bashku me klubin dhe donatorin e njohur vendas, do të mbështesë maksimalisht stafin teknik dhe futbollistët. Arbëri dhe stafi i tij po punojnë shumë mirë dhe kanë gjithë besimin tim.”

Mesazhi për tifozët – Në fjalën e tij, Ceca i dërgoi një mesazh edhe tifozerisë beratase: “Tomori është prioriteti ynë. Ngjitja në fund të këtij sezoni në Kategorinë e Parë është detyrimi ynë i përbashkët. Dua t’i siguroj tifozët se Bashkia do të jetë pranë skuadrës hap pas hapi, deri në privatizimin e klubit. Të gjithë së bashku, duam ta rikthejmë Tomorin në vendin që i takon, si dikur, kur rriteshim me emocionet dhe pasionin që falte kjo skuadër. Nostalgjia për emrat e mëdhenj si Kovaci, Mile, Kokalari, Çilingiri, Arbëri, Bozgo, Zaho, Matrapazi etj… është një motiv më shumë që na shtyn përpara.”

Me këtë mesazh, kryebashkiaku i Beratit e mbylli deklaratën e tij, duke i dhënë garanci qytetit dhe tifozëve se rikthimi i Tomorit në elitën e futbollit shqiptar nuk është vetëm një ëndërr, por një mision i përbashkët.

MARRE BGA EDI SPAHIU PANORAMASPORT.AL 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re