-Kryesia e OSBE-së/Kryeministri Rama: Sukses i gjithëpranuar i Shqipërisë

Nën organizimin e Presidencës Shqiptare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë -OSBE u mbajt në fund javën e kaluar takimi dyditor i Këshillit Ministror të kësaj organizate, që u mbyll me deklaratën e kryesuesit të radhës dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Në fjalën e tij në seancën përmbyllëse të takimit, Rama tha se “ky këshill ministror është fundi i lumtur i rolit tonë”.

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i OSBE-së, deklaroi se:

“Shqipëria si kryesuese ia doli me sukses”, ndërsa shtoi se “nuk ka dyshime që ne mund të arrijmë të kemi rezultat edhe në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara në vitin 2022, dhe ky është objektivi ynë i ardhshëm”.

“Shqipëria mund të jetë një vend i vogël, por ne donim t’i bënim gjërat mbarë këtë vit.

Vendi ynë nuk ka patur kurrë më parë një moment të tillë diplomatik si ky i sotmi këtu dhe nëse mund të arrijmë rezultate në OSBE, në mes të pandemisë me konflikte e kriza gjithë përreth, nuk ka dyshime që ne mund të arrijmë të kemi rezultat edhe tjetërkund, edhe në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara në vitin 2022, dhe ky është objektivi ynë i ardhshëm”, tha Rama, në fjalën  përmbyllëse në ministerialin e OSBE-së pas zgjedhjes së krerëve ekzekutiv të OSBE-së.

Ashtu si edhe në fjalimin e hapjes së takimit në ditën e parë të punimeve, Rama u ndal përsëri në krizën në Bjellorusi, por edhe zhvillimet rreth konfliktit të fundit mes Azerbajxhanit dhe Armenisë për Malësinë e Karabakut dhe armëpushimit mes dy vendeve.

 “…Edhe bashkëkryesueist e grupit të Minskut, Rusia, Franca dhe SHBA, kanë dalë me një deklaratë dje që i bënë thirrje Armenisë dhe Azerbajxhanit të vijojnë bisedimet. Është tashmë koha për të përfituar nga armëpushimi, për të negociuar një paqe të qëndrueshme e që zgjat në kohë nën kujdesin e bashkëkryesueve…”, theksoi Rama.

Ai shtoi se “…në këtë fazë gjithçka ishte kundër nesh, krizë përmbi krizë, por ne nuk hoqëm dorë e nuk lamë asgjë që të na ndalte në punën tonë. Na duhej të provohej gjithçka. Treguam qëndrueshmërinë tonë dhe ambicien tonë…”.

Kryeministri theksoi se “Shqipëria është vend anëtar i NATO-s e lufton çdo ditë për t’u bërë anëtarë i BE-së, por asnjë gjë nuk e ndryshon mendjen tonë për punën e përkushtuar për t’u bërë pjesë e BE-së dhe zemrën tonë për të qenë të përkushtuar në marrëdhëniet me SHBA dhe BE dhe të harmonizuar me ta kur bëhet fjalë për politikën e jashtme”.

Përfaqësuesja e Suedisë, e cila merr kryesimin e radhës të OSBE-së, vlerësoi punën e Shqipërisë, e cila nuk la pas asnjë angazhim edhe pse ishim në situatë pandemie.

***

-Shqipëria dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshje për shqiptarët e Malit të Zi dhe Serbisë

Ministri në detyrë për Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj është takuar me Ministren e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, me të cilin kanë nënshkruar 3 marrëveshje, mes të cilave 2 kanë të bëjnë me shqiptarët në Mal të Zi dhe në Serbi.

Bashkimi i hapësirave konsullore Kosovë-Shqipëri në Strugë, mbështetje financiare për shqiptarët e Malit të Zi, unifikim i spektrit politik në Medvegjë janë 3 marrëveshjet që u bënë publike në një konferencë të përbashkët për media pas takimit.

Ministrja kosovare Haradinaj-Stublla tha se marrëveshjet e nënshkruara janë vazhdimësi e iniciativave të mbledhjes së dy Qeverive Kosovë-Shqipëri.

Ajo i bëri thirrje Serbisë gjithashtu që të respektojnë Marrëveshjen e Washingtonit, të nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit amerikan Donald Trump.

“Nga këtu dua të bëj thirrje për Serbinë që të respektojë edhe Marrëveshjen e Washingtonit për normalizim ekonomik të cilën e kemi nënshkruar para disa muajsh në Washington. Dhe, specifikisht pikën 6 dhe pikën 12. Pika 6 që flet për njohjen e diplomave dhe çertifikatave profesionale e cila do të lehtësonte jetën e shqiptarëve në Serbi dhe pika 12 që do të ndihmonte në zgjidhjen e disa problemeve tjera të shqiptarëve atje”, tha Haradinaj-Stublla.

Ministri në detyrë i Evropës dhe Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, sa i përket marrëveshjes për bashkimin e hapësirave konsullore Kosovë-Shqipëri në Strugë tha se do të racionalizojë shpenzimet dhe do të bëjë “bashkimin e aseteve të të dy diplomacive”.

“Sado simbolik të duket ky veprim, është megjithatë një dëshmi e prekshme, se zbatimi i projektit të shfrytëzimit të përbashkët të hapësirave të ambasadave a konsullatave mes Kosovës e Shqipërisë po vazhdon. Ky projekt duhet të vazhdojë me çdo kusht në çdo vend ku ka mundësi objektive”, u shpreh Cakaj. Ndërsa, sa i përket marrëveshjes që ka të bëjë me Shqiptarët e Malit të Zi, Cakaj tha se mbështetja politike që i kanë dhënë shqiptarëve atje tani do të përkthehet në mbështetje financiare.

“E dyta është nënshkrimi i marrëveshjes për mbështetje financiare për shqiptarët e Malit të Zi. Realisht ne me ministren Haradinaj-Stublla kemi qenë tepër aktiv në krijimin e koalicionit për listën shqiptare atje, gjë që ka shënuar rezultatet e veta, por ajo mbështetje duhet të përkthehet natyrisht edhe në mbështetje financiare institucionale. Dhe, puna që kemi bërë sot për herë të parë me ngritjen e fondit natyrisht se do të jetë e një vlere të veçantë në këtë drejtim”, theksoi Cakaj.

Duke folur për marrëveshjen për spektrin politik shqiptar në Medvegjë, ministri shqiptar tha se “të gjitha partitë politike shqiptare do të flasin me një zë në zgjedhjet e ardhshme lokale”, duke garuar me një listë të përbashkët.

Gjithashtu, në këtë pikë u përmend edhe dakordimi për të filluar një tryezë politike për çështjen e Luginës së Preshevës, ku do të diskutohen çështje nga pasivizimi i adresave të shqiptarëve që po shkakton problem edhe në votat e tyre, përdorimi i simboleve kombëtare nga shqiptarët, por edhe diskriminimi i tyre në institucione shtetërore.

***

-Komisioneri Varhelyi: I zhgënjyer për mosfillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut 

Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë në BE, Oliver Varhelyi shprehu zhgënjimin që në takimin e ministrave të Çështjeve Evropiane, nuk u arrit të ecej përpara me kornizat negociuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“I zhgënjyer që nuk mundëm të ecim përpara me kornizat e negocimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por shpresoj që në një periudhë shumë të shkurtër kohore do të jemi në gjendje ta bëjmë një gjë të tillë. Ne kemi nevojë ta tejkalojmë shpejt ngërçin”, u shpreh ai.

Sipas Komisionerit, “kjo është e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor dhe për BE-në”.

“Me metodologjinë e rishikuar dhe planin Ekonomik e të Investimeve ne kemi një dritare unike mundësie për ta shtyrë rajonin përpara dhe për të arritur rezultate të prekshme. Ne do të vijojmë të punojmë për këtë qëllim”, theksoi Varhelyi.

Po të martën, 24eurodeputetët nënvizuan përpjekjet e gjithanshme në reforma në Shqipëri, në mënyrë të veçantë në fushën e drejtësisë, gjatë viteve të fundit, sikurse vlerësohet edhe në vlerësimin e Komisionit Evropian. Ata nxitën Këshillin të miratojë kornizat negociuese për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe të ndalojë shtyrjen e mëtejshme te bisedimeve të pranimit në BE.

***

-Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Turqi llogariten mbi 48 miliardë lekë

Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Turqinë, gjatë periudhës janar-tetor të vitit 2020, llogariten gati 48.4 miliardë lekë.

Sipas raportit të tregtisë së jashtme të publikuar nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë-INSTAT, shkëmbimet tregtare me Turqinë zënë 6,8% të gjithë vëllimit tregtar.

Sipas INSTAT-it, eksportet gjatë kësaj periudhe llogariten 2,1 miliardë lekë, me një rritje prej 400 milionë lekësh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga Turqia, Shqipëria ka eksportuar kryesisht materiale ndërtimi dhe metale, por edhe minerale, lëndë djegëse, energji elektrike.

Të dhënat tregojnë se Turqia ka qenë një treg i rëndësishëm për importimin e mallrave të ndryshme drejt Shqipërisë. Gjatë periudhës janar-tetor nga Turqia u importuan 46.3 miliardë lekë mallra.

Nga Turqia, Shqipëria ka importuar kryesisht tekstile dhe këpucë, si dhe produkte kimike dhe plastike. 

***

-YTB ndihmon studentët në Shqipëri me artikuj shkollor

Me mbështetjen e Kryesisë e Turqve të Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike-YTB, para pak ditëve i dhuroi artikuj shkollor studentëve që studiojnë në Shkollën e Mesme “Mustafa Kemal Atatürk” në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Turqia po ndihmon në zhvillimin e vendeve të studentëve që diplomohen me sukses me arsimin e lartë në universitete të ndryshme të Turqisë dhe kjo konsiston menjëherë pas kthimit në vendin të tyre, duke ndërtuar kështu ura miqësie dhe bashkëpunimi.

Përveç ndihmës që jep Shoqata e të Diplomuarve të Turqisë, bëhet  shembull për organizatat e tjera joqeveritare në vendet e tyre. Në këtë kontekst, Shoqata e të Diplomuarve të Turqisë së bashku me ndihmën e YTB ndërmori shumë aktivitete për pajisjen me çanta dhe artikuj shkrimi në Shkollën e Mesme “Mustafa Kemal Atatürk” në Tiranë.

Përfaqësuesit e Shoqatës së të Diplomuarve të Turqisë, së bashku me këshilltarin e arsimit të ambasadës së Turqisë në Tiranë, Metin Bulut shpërndanë materiale dhe çanta për nxënësit e shkollës së mesme.

Në programin ku morën pjesë drejtori i shkollës dhe mësuesit u theksua rëndësia e të qenit së bashku me popullin vëlla shqiptar në çdo rast.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re