Të rinjtë shqiptarë, pas vitesh emigracion, po kthehen dhe po investojnë në vendin e tyre, raporton TCH, duke ofruar një shembull.
Afrim Veliu u largua nga Shqipëria në moshën 12-vjeçare drejt Italisë. Pas më shumë se 15 vitesh pune në vendin fqinj, ai vendosi të kthehet në vendlindje së bashku me familjen.
Me përvojën e fituar gjatë emigrimit dhe bashkë me mikun e tij italian, ata kanë hapur një biznes modest për prodhimin e pastave në mënyrë artizanale.
“Jam larguar nga Fieri në moshën 12-vjeçare. Kam rreth pesë muaj që jam kthyer nga Italia, pas më shumë se 15 vitesh emigracion. Ka qenë një zgjedhje e përbashkët me babain dhe motrën që të hapnim këtë biznes, një laborator për prodhimin e makaronave në mënyrë artizanale. Bashkë me Leonardin, i cili ka dhjetë vite eksperiencë në Zvicër dhe që është kthyer posaçërisht për të punuar me ne. Zgjodha të kthehesha në Shqipëri sepse nuk kisha më perspektivë. Të hapja një biznes në Itali ishte e pamundur për shkak të taksave shumë të larta. Kam pesë muaj që jam kthyer dhe stabilizuar këtu. Jemi shumë të kënaqur me këtë punë, sepse klientët që vijnë, kthehen përsëri, dhe për ne kjo është gjëja më e rëndësishme”, shprehet ai.
Edhe për 26-vjeçarin italian Leonardo Dini, i cili vjen për herë të parë në Shqipëri, vendi ynë është një mundësi e mirë për të zhvilluar një biznes. Përveç taksave të ulëta, edhe mikpritja e njerëzve e bën të ndihet si në familjen e tij.
“Unë isha në Zvicër. Kam pak kohë që jam transferuar. Kisha një punë të sigurt, por jemi djem të rinj, po s’i bëmë tani këto gjëra, kur do t’i bëjmë? Është hera e parë që vij në Shqipëri. E di që janë ato paragjykimet që vijnë nga jashtë për vendet që nuk i njeh, mendon keq, por njerëzit më duan dhe ndihem si në familje. Në këtë zonë nuk kemi konkurrencë. Jemi të parët dhe, me eksperiencën dhe pasionin tonë, të gjithë klientët janë të kënaqur dhe po kthehen përsëri. Çdo ditë vijnë edhe klientë të rinj”, tha italiani.
Edhe pse janë ende në hapat e parë, dy të rinjtë janë të vendosur dhe shpresojnë që ta çojnë përpara rrugën që kanë nisur. Në një kohë kur shumë të rinj vazhdojnë të largohen, historia e tyre është një shembull i guximit dhe i besimit se edhe këtu mund të ndërtohet e ardhmja, përfundon TCH raportimin mbi këtë rast kthimi.