Tomas Myler po shkëlqen me transferimin e tij në MLS, ku vesh fanellën e Vankuverit. Kuptohet që kapitulli i tij si lojtar me Gjermaninë është mbyllur, por Julian Nagelsman nuk e përjashton mundësinë që sulmuesi t’i bashkohet stafit të tij në rolin e asistenti, pasi ka qenë shpesh një lider në fushë dhe jashtë saj.

“Kam folur me të disa herë, po kalon një periudhë të mirë te Vankuveri aktualisht. Po luan mirë, shënon shumë gola dhe jep shumë asiste. Ai po ndihmon në zhvillimin e futbollit atje dhe do të dëshirojë të vazhdojë të bëjë një gjë të tillë edhe pas Kupës së Botës. Ndaj kjo është arsyeja pse po guxoj dhe po them se ai nuk do të marrë asnjë rol si asistent për mua apo ndonjë trajner tjetër aktualisht”, tha fillimisht Nagelsman.

Por ai nuk përjashtoi mundësinë që një gjë e tillë të ndodhë në të ardhmen dhe që bashkëpunimi të ishte në Botërorin 2026.

“Ajo që nuk është aktualisht, mund të ndodhë gjithsesi në një periudhë në të ardhmen. Ai ka gjithçka duhet që të bëhet trajner i parë apo asistent. Asistent në Botëror? Tomas është padyshim një kandidat për të marrë një pozicion të tillë. Por ai ka një kontratë deri në dimrin e vitit 2026 në Vankuver. Me sa di unë, ata nisin stërvitjen rreth fundit të qershorit në vitin 2026. Nuk mendoj se trajneri i tij do të jetë shumë i lumtur nëse Tomas i thotë që nuk do të vijë edhe për 2-3 javë pasi do të bëhet zëvendëstrajner”, tha Nagelsman para gazetarëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re