Qerpikët false mund të kenë pasoja shkatërruese afatgjata për shëndetin, përfshirë verbërinë, ka paralajmëruar një mjek i njohur.
Ngjitësi i përdorur për t’i aplikuar ato shpesh përmban një kimikat të rrezikshëm, sipas Dr. Saurabh Sethi, një mjek me bazë në SHBA i trajnuar në Universitetin e Harvardit.
Në një video të postuar në Instagram, e cila ka grumbulluar më shumë se 120,000 shikime dhe mbi 1,000 pëlqime, Dr. Sethi shpjegon rreziqet e mundshme.
“Qerpikët artificialë po bëhen gjithnjë e më të popullarizuar, por ngjitësi shpesh përmban formaldehid, i cili mund të shkaktojë reaksione alergjike, hollim dhe humbje të përhershme të qerpikëve natyralë.
Në raste të rralla, kjo mund të çojë edhe në verbëri. Për të minimizuar këtë rrezik, shmangni qerpikët artificialë ose përdorni ngjitës pa formaldehid.”
Ekspertët thonë se formaldehidi i shtohet ngjitësit të qerpikëve për të përmirësuar afatin e ruajtjes dhe ngjitjen, megjithëse i njëjti kimikat përdoret më shpesh për të ruajtur trupat e vdekur.
Në përqendrime të larta, mund të prishë funksionin qelizor dhe të shkaktojë gulçim, dhimbje koke dhe acarim të lëkurës.
Një studim amerikan i vitit 2022 testoi 37 ngjitës për qerpikët dhe zbuloi se 75% e 20 produkteve profesionale lëshonin formaldehid, ndërsa 4 nga 17 ngjitësit e konsumit përmbanin gjithashtu këtë kimikat.
Disa ngjitës për qerpikët që përmbajnë formaldehid nuk e kanë listuar atë midis përbërësve të tyre.
Kimikati mund të shkaktojë një sërë reaksionesh kur bie në kontakt me syrin.
Në një studim të vitit 2012 nga studiues japonezë që përfshinte 100 gra që përjetuan efekte anësore nga qerpikët artificialë, 40% e tyre u zbulua se kishin pasur një reaksion alergjik ndaj ngjitësit.
Gjendja më e zakonshme e raportuar ishte keratokonjunktiviti, një çrregullim inflamator i syrit që prek si kornenë ashtu edhe konjuktivën.
I njëjti studim zbuloi gjithashtu se disa gra zhvilluan blefarit, një inflamacion të qepallave.
Skajet e qepallave përmbajnë folikula të flokëve ku rriten qerpikët, së bashku me dy lloje gjëndrash që prodhojnë substanca antimikrobike për të parandaluar grumbullimin e baktereve rreth syve.
Pavarësisht paralajmërimeve për shëndetin, industria e zgjatjeve të qerpikëve po lulëzon.
Me një vlerë prej 1.4 miliardë dollarësh në vitin 2020, parashikohet të rritet në 2.3 miliardë dollarë deri në vitin 2028, sipas Verified Market Research.
Zgjatjet e qerpikëve janë fibra të vogla, të ngjashme me qimet, zakonisht të bëra nga materiale sintetike, mëndafsh ose vizon, të cilat aplikohen në vijën e qerpikëve duke përdorur ngjitës për të krijuar qerpikë më të plotë dhe më të gjatë.
Procedura është thjesht kozmetike dhe zakonisht kryhet nga estetistë të trajnuar.