Hyrje
Ndjenjat
janë pjesë e karakterit të njeriut. Rëndësia e tyre është se ato kanë fuqi
shtytëse dhe lëvizëse. Prapa çdo lëvizje të njeriut, çfarëdo qoftë, ekzistojnë
ndjenjat. Nëse dikush vepron mirë, atëherë ndjenjë shtytëse apo motiv është
dashuria, e nëse shohim dikë duke vepruar keq, atëherë ajo që e ka shtyrë në
këtë veprim është urrejtja. Natyrisht, edhe dashuria, edhe urrejtja, janë ndjenja
që fitohen nga disa bindje paraprake që kemi për njerëzit/gjërat. Temë e këtij
shkrimi është urrejtja, si kulturë, dhe motivet e saja.
Përkufizimi i urrejtjes
Dashuria dhe urrejtja, siç përmendëm më
lartë, janë produkt i bindjeve dhe pikëpamjeve tona. Pra nuk janë diçka që
ndodhin pa shkak. Në fjalorin e gjuhës sonë është përkufizuar kësisoj: “Ndjenjë
e fortë armiqësie për dikë a për diçka; dëshirë e fortë për ta parë keq tjetrin…”
Armiqësia nuk ndodhë pa shkas, së këndejmi
as urrejtja.
Nga perspektiva islame, urrejtja është një
ndjenjë e dalë jashtë kontrollit apo mbikqyrjes fetare. Nëse feja na mëson t’i
duam të tjerët dhe të duam për ata atë që duam për vete, atëherë urrejtja është
atakim pikërisht i kësaj vlere dhe konfrontim direkt me të.
Fetarisht, për hir të parimeve, urrejtja
ndonjëherë shndërrohet në vlerë, por kjo ndodhë vetëm në rastet kur kemi të bëjmë
me gjëra të këqija, gjë që nuk është tematikë e këtij shkrimi.
Pasojat
e kulturës së urrejtjes
Historia ka dëshmuar se urrejtja ka qenë
gjithnjë e kobshme për njerëzimin. Urrejtja nuk ka prodhuar asgjë tjetër pos
dëmtimeve në njerëz, prona e objekte. Urrejtja gjithmonë është identifikuar me
fjalor të pistë, me dhunë psikike dhe fizike, dhe, edhe pse sot bota ka bërë
ligje dhe kode që dënojnë urrejtjen, rezultatet janë larg një suksesi serioz në
këtë drejtim. Shtete, popuj, grupe, organizata, individë, vazhdojnë ta
përvetësojnë urrejtjen si program, mbi bazën e të cilit kryejnë krime, dhe
pretekst, mbi bazën e të cilit justifikojnë krimet. Pra urrejtja po zhvishet
nga petku i vërtetë i të qenit krim dhe po merr trajtë gjithnjë e më shumë të
një kulture. Pra, po tentohet që në ambientet e nënvizuara më lartë, urrejtja
të shihet si normale, si diçka pozitive, si diçka jo e keqe.
Fatkeqësisht, kjo kulturë ka tendenca të
mbillet edhe ndër ne. Urrejtja ka filluar të merr përmasa gjithnjë e më të
mëdha në ambientet tona, qoftë në familje, qoftë në rrugë, shkollë, punë a
gjetiu.
Urrejtja ka dhe pasoja tjera. Në fakt, ajo
që rezulton prej saj, ajo është që tregon më së miri se sa e rrezikshme është
urrejtja, qoftë për urryesit, qoftë për të urryerit. Viktima të urrejtjes në
radhë të parë janë vetë urryesit pasi që verbërohen para të vërtetës dhe jo rrallë pendohen kur
të kthjellen për veprimet që kanë bërë. Urrejtja shkakton edhe reaksion të
palës së urryer dhe dëmtuar. Islamofobia dhe terrorizmi mund të jenë si dy
shembuj ilustrues të këtij efekti të dyfishtë të urrejtjes.
Mediat
si mejdan i urrejtjes
Rrjetet
sociale janë të stërmbushura me urrejtje. Mjafton t’i hedhësh një sy kalimthi
dhe të bindesh për praninë shqetësuese të saj në këto rrjete. Është e
pakuptimtë se si urrejtja mund t’i bëjë njerëzit të verbër para gjithë atyre
gjërave që na bashkojnë dhe t’i ndajë e përçajë për pak gjëra. Këtë gjë mund ta
vërejmë edhe në debate televizive të cilat ndonjëherë eskalojnë në sharje e
madje edhe rrahje ndërmjet debatuesve. Një garë e caktuar, politike e tjetër
qoftë, po shndërrohet në një vijë ndarëse ndërmjet njerëzve. Më e keqja e saj është
se kjo po kalon në heshtje pa u dënuar nga qytetaria e kësaj shoqëria apo ne
jemi shndërruan në konsumator se po na shitet gjithçka që nuk është vlerë.
Si
ta eliminojmë urrejtjen?
Urrejtja,
siç thamë më sipër, është gjendje e shfrenuar shpirtërore dhe psikike. Ajo mund
të vihet nën kontroll nëpërmjet vetëdijesimit dhe këtë duke filluar nga vetja
jonë. Secili prej nesh duhet të shikojë nëse është i prekur nga kjo dukuri e
rrezikshme. Këtu nis edhe ndryshimi që në fakt nënkupton edhe fillimin e fundit
të urrejtjes. Nuk duhet të lejojmë që urrejtja të na shndërrohet në kulturë,
veçmas neve myslimanëve, që kemi një fe e cila thërret në paqe, dashuri,
harmoni.
Le
të jetë slogani ynë fjala e Profetit Muhammed a.s.: “Mos u urreni ndërmjet
vete!”