“U bë një vit e ca që babi nuk është… nuk e di, kur iku ai, më iku gjysma e shpirtit!

Kështu tregon për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” Aurora, 19 vjeçe. Lotët nuk i pushojnë dot, ndërsa në krah të saj ndodhet e motra, Aleksandra. Është ajo që na tregon fatkeqësinë e dytë të familjes Jaupaj.

“Pas fatkeqësisë së babit, ndodhi edhe fatkeqësia e dytë, ndarja e familjes. Jemi shumë keq (qan).”

Pas vdekjes së kryefamiljarit, familja nga Mallakastra u nda në 4 copa. Aurora e Aleksandra u larguan nga nëna, motra e vëllai i vogël për të jetuar tek i gjyshi.

“Vdekja e babit përçau familjen, sepse ne u ndamë. Pas vdekjes së tij, gjithçka u përkeqësua. Nuk ia dilnim dot të tërë, jemi 4 fëmijë. Nga pamundësia ekonomike, neve na mori gjyshi. Kemi 8 muaj që gjyshi po na mban. Gjendja jonë ekonomike është ska më keq…jetesa këtu është e vështirë, sepse me pensionin që ai merr, çfarë mund të bëjë (qan)?

Këtu nuk ka gjë se ku të punosh. Po të ishin në qytet edhe mund të punonin, sikur edhe pastruese… Unë shkollën e lartë nuk munda ta vazhdoja. Ëndërr kisha të vazhdoja për mësuesi, të bëhesha edukatore, por ajo ëndërr iku bashkë me babin. Po bëj 6 muaj pa e takuar motrën, mamin e vëllain 3 muaj pa i parë… fshati ku jeton gjyshi është shumë larg fshatit tonë, rruga ka shumë shpenzime e nuk kemi mundësi të shkojmë.

Ëndrra ime është që të bashkohemi sa më parë, të mos jemi më kështu.”-rrëfeu Aurora.

“Për shkollën nuk kemi më shpresa, nuk kemi mundësi ekonomike. Ne ëndrra tona kanë vdekur, nuk mund t’i bëjmë dot realitet. Largësinë me mamin, motrën e vëllain e vuajmë shumë… më mungon shumë shumë mami (qan).”-tha Aleksandra.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re