Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve ( DHKN ) është një Ent Publik Juridik që ushtron veprimtarinë e saj të pavarur nga shteti. Në varësi së ministrisë së Drejtësisë, kjo Dhomë ofron zgjidhje të konflikteve mes qytetarëve. Për të treguar më shumë detaje se si funksionon, e ftuar në emisionin “7pa5” në ekranin e Vizion Plus me moderatorët Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova, ishte kryetarja e kësaj Dhome, Drita Avdyli.

Zonja Avdyli tha se kjo zyrë ofron zgjidhje jashtë gjyqësoreve dhe koha për të ofruar zgjidhjen është nga 1 deri në 30 ditë. Sakaq, sipas saj, kursen para.

Avdyli: Kjo është një zgjidhje jashtë gjyqësore, nga një mosmarrëveshje arrihet një marrëveshje mes palëve, koha për të zgjidhur këtë është nga 1-30 ditë. Mendoni çfarë lehtësira do të kenë qytetarët për çështje familjare, çështje të pronave apo konflikte të tjera. Bëhet seanca ndërmjetësuese dhe arrihet marrëveshja mes palëve. Por nuk është e lehtë.

Por, a janë të gjitha raset të suksesshme? Zonja Avdyli tregon se rreth 80% e rasteve marrin zgjidhje.

Avdyli: Ne falë një projekti kemi ndërmjetës shumë të mirëtrajnuar. Ne në vit kemi gati 15 ditë që trajnojmë ndërmjtësit. Gati 78-79% e rasteve zgjidhen. Vetë palët sado të jenë në konflikt, duke u thirrur veçmas, duke reflektuar mund të sugjerojnë zgjidhje. Kur takohen bashkë vetëm nëpërmjet komunikimit arrihet zgjidhja.

Zonja Avdyli tha se qytetarët kanë mundësi që ta zgjedhin vetë ndërmjetësin, pasi emrat e tyre janë të publikuar në faqen e ministrisë së Drejtësisë. Dhoma e ndërmjetësimeve ofron një proces transparent.

Avdyli: Unë do t’i sugjeroj gjithë qytetarëve të shkojnë në ndërmjetësim. E zgjedhin vetë ndërmjetësin, është një kohë e shkurtër që ne gjejmë zgjidhje dhe sigurisht që rregullohen marrëdhëniet mes palëve. Kemi zgjidhje të shpejtë. Ne jemi për zgjidhjet e gjithë konflikteve jashtë gjyqësoreve. Gjyqtarët e kanë detyrim që të informojnë palët dhe pastaj qytetarët mund të shkojnë në ndërmjetësim.

Pronat dhe divorci janë dy nga çështjet më të shpeshta që sjellin konflikt. Palët që vijnë te ndërmjetësi e kanë vendosur që nuk do jenë bashkë. Nëse shkohet në gjykatë bëhen dy gjyqe, një për divorcin dhe pasojat e saj dhe një gjyq për ndarjen e pasurisë. Ky proces zgjat. Nëse zgjedhin ndërmjetës nuk ka më dy gjyqe, dy gjyqet bashkohen në një gjyq dhe ka vetëm një seancë. Nëpërmjet bisedës, te ne, ulen tensionet mes palëve përmes ndërmjetësimit.

Saakq, ajo tha se po tentojnë të fusin ndërmjetësimin edhe në qytetet ku janë mbyluur Gjykatat, ndërsa ka zyra në qytetet më të mëdha të vendit.

Avdyli: Ne jemi të shtrirë në të gjithë Shqipërinë, ka ndërmjetës. Po tentojmë të fusim ndërmjetësimin edhe në ato qytete ku është mbyllur Gjykata. Kemi zyrat kryesore në Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Durrës. Ka një program transparece, qytetarët mund ta zgjedhin vetë ndërmjetësin sepse emrat janë në faqen e ministrisë së Drejtësisë./ 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re