Nga Hoxhë Alban Gorishti
Allahu na tregon në Kuran: “Përkujtoni kur Allahu ua premtoi njërin prej dy grupeve, se është i juaji, e ju dëshironit t’ju takojë ai (grup) i paarmatosur, ndërsa Allahu dëshiroi që me premtimet e Tij ta vendosë të vërtetën e ta zhdukë në themel mbeturinën e mohuesve, e ta forcojë të vërtetën e ta çrrënjosë të kotën, edhe pse këtë e urrejnë kriminelët” Enfaal: 7-8
Ky ajet ka zbritur rreth përplasjes së pejgamberit alejhi selam me idhujtarët në Bedër, qëllimi i asaj lufte nuk ishte përplasja e armatosur por karvani me furnizime i Ebu Sufjanit pas të cilit ishte vënë pejgamebri dhe shokët e tij,por në të njëjtën kohë një ushtri e përgatitur për luftë doli në mbrojtje të karvanit prej Mekës në drejtim të bedrit. Kur shokët e pejgamberit e morën vesh këtë situatë zemrat e tyre (siç na tregohet në Kuran) dëshiruan më tepër mbrritjen e karvanit (grupin pak të armatosur) por vullneti hyjnor dëshironte tjetërçka , “ndërsa Allahu dëshiroi që me premtimet e Tij ta vendosë të vërtetën e ta zhdukë në themel mbeturinën e mohuesve, e ta forcojë të vërtetën e ta çrrënjosë të kotën”. Allahu dëshiroi përplasjen për mbizotrimin e së vërtetës edhe pse sahabët dëshiruan karvanin plot me të mira materiale të ebu Sufjanit, e më pas pasi e vërteta u instalua në gadishullin arabik ata i poseduan edhe pasuritë, nëse do të kishin marrë ndoshta karvanin atë ditë do të kishte qënë e vështirë që më pas të mbizotronte e vërteta dhe të shpërndahej bollëku financiar, kjo pasi e vërtëta ta sjell bollëkun kurse bollëku e mpin të vërtetën.
Shpesh në historinë e këtyre viteve të tranzicionit kam parë sesi shumë prej vëllezërve tanë intelektual janë strukur, kanë ikur, i kanë shpëtuar ballafaqimit, kanë preferuar “karvanin”. Ndërsa atë ditë pejgamberi alejhi selam kishte me vete ajkën e sahabëve, intelektualët e tyre, saqë kur përmendet beteja e Furkanit (Bedrit)-ajo që ndau midis të kotës dhe të vërtetës, shpesh thuhet se ndoshta Zoti i ka parë pjesmarrësit e Bedrit duke i thënë ,veproni çfarë të doni pasi jeni të amnistuar. Ndërsa fatkeqësisht retorika që shpesh kanë performuar intelektualët tanë është tërheqje e pakushtëzuar, edhe pse Zoti në shumë ajete dhe pejgamberi në hadithe nxisin vazhdimisht për përballje me qëllimin e vetëm që të mbizotrojë e vërteta dhe jo interesi personal. Ndërsa shumë me veprat e tyre “Thoshin: “Zoti ynë, pse na e bëre obligim luftën(përpjekjen)? Sikur të na e kishe shtyrë deri në një afat të afërt!” Thuaju: “Përjetimi i kësaj bote është pak, e për atë që është i devotshëm, bota tjetër është shumë më e dobishme. Nuk do t’ju bëhet padrejtësi, as sa fija.” Nisa: 77
Sot falenderojmë Zotin që jetojmë në një kohë ku përplasja ushtarake ka marrë fund por ajo intelektuale është më e ndezur se kurrë, ndaj ajo që shpesh na ka dëmtuar në dominimin e njëfarë sektarizimi politik apo fetar brenda shoqërisë tonë është pikërisht tërheqja e intelektualve duke i lënë sheshin të paaftëve apo dashakeqëve të flasin në emrin e bashkësisë apo të udhëheqin përplasjet e paevitueshme konceptuale. Ky fenomen po e asimilon intelektualizmin e shëndetëshëm dhe po e tjetërson mendimin e rezistencës ndaj të keqes duke e legjitimuar kështu uzurpatorin apo duke ia lënë shpesh terenin afetarëve të flasin edhe për dukuritë fetare e kështu koncepte abuzive (në sensin fetar) si ai i House of One apo shenjtërimi i Nënë Terezës na trajtohen si simotra të doktrinës Islame. Pikërisht pasi ata që duhet të reagonin janë tërhequr me kohë në “kullën” e tyre të qetë prej zhurmës së përplasje, por harrojnë se: “Përjetimi i kësaj bote është pak, e për atë që është i devotshëm, bota tjetër është shumë më e dobishme...” Nisa: 77
Përjashtimi dhe mungesa e frymës gjithpërfshirëse është një prej simboleve më të dukshme të sektarizmit të sotëm dhe kjo është më e ndjeshme në momentin që këto forca okulte marrin drejtimin e komuniteteve në të cilat vegjetojnë, kjo ka ndodhur edhe me gylenizmin në vendin tonë, por kjo nuk ka ndodhur vetëm pasi intelektualët dhe figurat e shëndetëshme të këtij komuniteti të dorëzoheshin pa “luftë” nga pozitat e tyre këshilluese. Ndërsa ata (sektarët) u bënë njësoj si të huajt kur pushtuan vendet Islame i përjashtuan të tërë nga ndarja e përgjegjësive dhe mbi të gjitha i përjashtuan të gjithë duke mos i konsideruar si “tanët”. Por qoftë intelektualët tanë qoftë sektarët “tanë” harrojnë një të vërtetë e cila mundet të përmblidhet në fjalët e Aliut r.a: Uji i trubullt i xhematit është më i mirë sesa uji i kthjellët i individit” Xhahidhi ,El Bejan vel tebjin” 1/260
Ndaj kthjellu i dashur intelektual pasi Allahu dëshiron prej teje që ti të përplasesh me të kotën kudo që ajo të “fshihet”dhe kurrsesi që të rrish në qoshen e sigurtë për ty në mëomentin që “qoshja” e bashkësisë po rrezikohet nga sektarët dhe pseudofetarët, ndërsa kurthi i shejtanit është vërtet i dobët.
Ndaj nëse e doni vendin dhe fenë tuaj ta dini se “pushtimi i brendshëm” është shumë më i rrezikshëm sesa ai i jashtëm, pasi i brendshmi ia shndërron dhe tjetërson konceptet dhe aftësinë mbrojtëse një komuniteti të caktuar , ndaj edhe Aliu ka thënë : “Nuk ka popull që sulmohet në oborrin e tij, veçse poshtërohet.” Si mundet o Zot që dikush që të adhuron ,përpiqet në rrugën kah teje të mposhtet nëse sulmohet? Pastaj kuptova një sekret madhështor për sa i përket formulës së duhur në momentet e fuqisë së pakët dhe angazhimit të rrallë.Lexova ajetin ku thotë i lartësuari: E ata, të cilët luftuan(u përpoqën,dhanë mundin maksimal) për hir Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e bëmirësve.” Ankebut 69 .Kuptova se përpjekja+bamirësia (ihsani-e bukura në çdo sjellje) është çelsi i ngadhënjimit ,apo ruajtjes së nderit edhe nëse të sulmojnë në avllinë tënde.
Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.