Në Komisionin e Ligjeve në Parlament, po diskutohet kërkesa e 55 deputetëve, për shkarkimin e Presidentit Meta, pas vendimit të tij për të anuluar 30 qershorin si data e zgjedhjeve vendore.

Deputeti i LSI-së, Ralf Gjoni, e cilësoi të nxituar vendimin për shkarkimin e Presidentit Meta, duke theksuar se procedura e shkarkimit, është një lojë politike.

“Mendoj se është i nxituar vendimi për të shkarkuar presidentin, pasi ende nuk kemi të bëjmë me një akt për të delegjitimuar Parlamentin.

Mua më duket se kjo procedurë shkarkimi është një lojë politike që ju po bëni dhe është e pabazuar në Kushtetutë. Është një lojë që po hapet për të bërë zhurmë mediatike”, u shpreh Gjoni.

Ndërkohë, deputeti i PS, Bashkim Fino tha  se vendimi i Metës përbën shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës.

“Presidenti ka marrë një copë letër, ka shkruar çfarë ka dashur dhe i ka vendosur emrin dekret. Ajo që më bën përshtypje është letra që presidenti i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë për argumentet e ç’dekretimit.

Gjuha e përdorur prej tij është ironike, paragjykuese dhe hipokrite.

Jemi përpara një shkelje të nenit 92 të Kushtetutës dhe me dhimbje kemi marrë këtë masë që po ia paraqesim Parlamentit”, tha Fino.

Ndër të tjera në Komisionin e Ligjeve u sqarua:

 “Neni 92, shkronja “gj” e Kushtetutës i njeh Presidentit te Republikës kompetencën për dekretimin e datës se zgjedhjeve, por kjo nuk përkthehet dot ne kompetence për ç’ dekretim.

Dekretimi i datës se zgjedhjeve është një akt me efekt te njëhershëm. Ngjarja ndodh dhe kryhet.

Ngjarja nuk zgjat, nuk vazhdon, nuk është proces. Dekretimi nuk është hapi i pare i vendimmarrjes se Presidentit, por është hapi i pare dhe i fundit i saj.

– Neni 92, shkronja “gj” e Kushtetutës nuk mund te shërbeje si kompetence për ç’ dekretimin e zgjedhjeve, sepse për zgjedhjet vendore te 30 qershorit kjo kompetence është ushtruar një here.

 Te gjitha veprimet dhe hapat që janë marrë, e gjithë kjo kosto, qe ka lidhje procedurale me dekretin për caktimin e datës se zgjedhjeve, nuk mund te zhbëhet me ç’ dekretim.

E thënë me fjalë të tjera presidenti ka marrë një copë letër, ka shkruar aty çfarë ka dashur, i ka venë titullin dekret dhe do të na e shesë si të tillë.

Nuk është titulli ai që përcakton llojin e aktit, është referenca kushtetuese, ose ligjore dhe mbështetja në dispozita të normave juridike ajo që përcakton se me çfarë lloj akti kemi të bëjmë.

Me këtë llogjikë Presidenti mund t’i kish vënë edhe titullim “vendim i Këshillit të Ministrave” letrës së vet, por ky titull nuk e bën atë VKM”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re