Kryeministri Edi Rama ka kohë që po përplaset me Presidentin Meta në akuza dhe kundërakuza. Mendoni se kjo po kthehet në një bumerang, duke e kthyer Metën në krye të LSI dhe i duke i dhënë më shumë vëmendje si lider partie dhe jo si President?

Kjo është një histori që do të zgjasë për aq kohë sa të dy, edhe kryeministri, edhe presidenti i republikës do të jenë në politikë. Madje edhe në një të nesërme të largët, kur të jenë në jetët e tyre personale – edhe pse është për të dyshuar nëse do të kenë ndonjëherë një të tillë – ata do të luhaten në të njëjtin cikël lavjerësi dashuri-urrejtjeje në dukje dhe në të njëjtën marrëdhënie interesi në thelb. Nuk duhen kërkuar ndjesi e detaje personale tek dy këto personazhe; ato edhe nëse ekzistojnë janë tërësisht të papërfilllshme. Ndoshta në masën që as ata vetë nuk i llogarisin. Marrëdhëniet e tyre kushtëzohen nga interesi dhe ata i binden interesit të tyre politik dhe vetjak.

Në këtë moment, ata nuk janë prova se lufta brenda llojit është lufta më e egër dhe përplasja më e fortë sepse ata nuk ndikohen nga ndonjë bazë ideologjike a përkatësi të caktuar në spektrin politik. Në këtë pragfushatë, interesat e tyre janë të përkundërta dhe ato diktojnë mënyrën e sjelljes së tyre. Kryeministri në sulm edhe kur duket se mbrohet dhe Presidenti në mbrojtje edhe kur duket se sulmon. Eshtë çështje votash.

LSI është rritur në vite, duke nisur nga zgjehdjet e para që morri pjesë në 2005-ën e më pas në 2009-ën duke marrë fillimisht vota nga e majta. Dhe në 2013-ën dhe 2017 të njëjtën gjë e bëri me vota të djathta, pa folur për një shtresë të levizshme e pragmatiste votuesish që i iknin të majtës, por nuk shkonin dot deri tek PD-ja dhe votues që i iknin të djathtës, por nuk përfundonin dot deri tek PS-ja; LSI ishte stacioni perfekt për të gjithë ata që donin ndryshim, por jo duke kapërcyer plotësisht në anën tjetër të ylberit.

LSI ishte garancia e të majtës për të ardhur në pushtet dhe shpresa e të djathtës për të shmangur revanshin e të majtës mbi të. Kjo aksiomë mundi të verifikohet deri në momentin kur jo vetëm në teori, por edhe si mundësi praktike, nisi të artikulohet “probabiliteti” për një qeverisje me bazë të gjerë, PS e PD, çka i jepte LSI-së statusin e opozitës dekor përballë një shumice kushtetuese. Ndoshta që në vjeshtën e largët të 2014-ës. Në një ndeshje në të cilën do të luhet për çdo votë, Rama kërkon votat e tij të shtegtuara tek LSI dhe sikur edhe vetëm kjo qasje të ishte, do të mjaftonte për zemëratën e Metës. Rama e bën dukshëm dhe hapur këtë operacion.

Në të njëjtën kohë, me të njëjtën teknologji, por në mënyrë të mbyllur, të njëjtën gjë po bën edhe PD-ja: po kërkon tek LSI-ja votat e djathta që i kanë ikur ndër vite. Vetëm të verbërit dhe naivët nuk e shohin një gjë të tillë. Ndoshta edhe budallenjtë, të cilët dëgjohen kaq shumë në këtë kohë. Për arsyen e thjeshtë se bërtasin më fort. Dhe nuk kanë turp nga budallallëku.

Dy ditë rresht Meta, Rama dhe Gjiknuri janë përfshirë në replika për vajtjen e Metës në Vranisht dhe Selenicë të Vlorës. Pse ky sulm për Presidentin? Dhe a po gabon Presidenti?

Replikat nga Vlora, për Vlorën dhe rreth Vlorës janë vetëm një stacion i rastit. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në Rogozhinë, në Malësi të Madhe, në Sarandë, Korçë, Tepelenë, Lezhë a kudo gjetkë ku do të kryqëzohen rrugët e tyre. Në këtë rast, Rama, Meta dhe Gjiknuri me shumë se vullnetit të tyre vetjak, i binden vullnetit të rregullave të lojës politike që po luhet. Çudi do të ishte që të tre këta personazhe të ndodheshin pranë dhe të mos shkëmbejnë replika dhe batuta me njëri-tjetrin.

Eshtë i kuptueshëm dueli mes Ramës dhe Metës, kurse Gjiknuri thirret në apel për të tjera motive. Jo për histori rrugësh mbi apo nën Lumin e Vlorës, as për akse me asfalt në Orikum apo në Selenicë. Meta ishte i vetmi politikan profesionist, që në kohën kur amatorët qesharakë të kësaj zejeje pozonin në Komisionin e reformës zgjedhore, kuptoi golin në minutën e fundit të Damianit për llogari të Edit. Shmangia e koalicioneve në zgjedhje është jo vetëm guri që e mbajti PS-në në garë, por edhe shkëmbi që i theu shpinën në dysh opozitës për ta lënë sërish në opozitë.

Nga ana tjetër, Presidenti ka kohë që ka dalë nga korniza formale dhe zyrtare e zyrës së tij. Në një kohë dhe në një vend normal kjo do të ishte një gjë që do të trondiste themelest e pushtetit të politikës mbi qytetarin në përgjithësi. Nëse kjo nuk ndodh dhe “protesta” ndaj këtij akti në vijim është vetëm kronikë gazetareske, ndodh sepse pothuaj askush nuk është në vendin e tij. Duke nisur me qeverisjen që po zhvillohet në kushte tërësisht anormale dhe po ushtrohet në mënyrë atipike, qoftë për shkak të kryeministrit atipik, qoftë për shkak të zhbalancimit total të frymës kushtetuese të kontrollit dhe ekuilibrit mes pushteteve. Dhe mbi të gjitha, për shkak të daljes së opozitës nga sistemi.

Të gjithë këta faktorë të bërë bashkë, kushtëzojnë një qasje tjetër për atë çka po bën presidenti dhe jo zyra e presidentit gjithashtu atipik. Meta është shumë i ri për ta parë presidencën e tij si stacionin e fundit të një karriere shkumëzuese dhe është tepër i vjetër për të ndryshuar zakonin e sjelljes politike që e ka mësuar në moshë fare të re. Kështu që Meta po bën atë që pritet nga Meta. I dha Iliri fytyrën e tij presidencës së vet dhe nuk mund të ishte presidenca rrobaqepëse e kostumit të Metës.

Duke ju referuar historisë së Presidentëve në këto 30 vjet. Meta është më afër popullit apo më afër politikës. Kur them politikës e kam fjalën për LSI. A ka marrë pozicion për të rritur popullaritetin e partisë që drejton bashkëshortja e tij?

Për të gjetur një president tjetër të natyrës së Metës duhen kthyer shumë fletë kalendari dhe ka vetëm një precedent: presidencën e Sali Berishës. Edhe pse kohë tjetër, edhe pse krejt tjetër kornizë kushtetuese, Berisha dhe Meta kanë çuar në presidencë qenien e tyre politike. Ata ishin të fortë në politikë dhe ndaj kishin dhe kanë ndikim të fortë në politikën e ditës. Në krah të tyre, nga galeria e presidentëve të tjerë të pluralizmit, Meidani, Moisiu, Topi e Nishani, kanë qenë shumë më të dobët pikërisht për shkka të mungesës relative të përkrahjes politike. Pushteti vetjak është shumë më shumë se karrigia dhe zyra që mban individi.

Pushteti është moral dhe kushtëzohet shumë nga individi. Pushteti është një kravatë me porosi që merret gjithmonë me vete. Çfarë është e pamerituar, shkëlqen kur je në post, por merr fatin e urinimit të pulës në rërë kur del jashtë tij. Shumë e shumë tipa që pretendonin dinjitet dhe e sillnin rrotull Tiranën për shkak të pushtetit, sot nuk i njeh askush. Për të sjellë një shembull nga e shkuara sepse sa më larg të hidhet vështrimi, aq më i qartë bëhet ai: deri 30 vjet më parë kishte një grusht burrash e grash që forminin atë që quhej Byroja Politike e Partisë së Punës. Kush nuk i adhuronte nga larg, i trembej pafund asaj maje pushteti.

Dhe ata kishin vërtet pushtet të pakufishëm mbi individin e thjeshtë dhe të gjithë ishin nën pushtetin e individit mbi ta. Por në mënyrë fare të papritur, me rënien e regjimit, gjithkush e kuptoi sesa qesharakë, sa të mjerë, sa groteskë dhe banalë ishin ata njerëz që vlenin edhe më pak sesa prostata e tyre e vëtëkënaqur. Në të njëjtën mënyrë mund të projektohet kjo e shkuar e largët edhe në të sotmen që duket turbull vetëm sepse është shumë afër. Shumë nga ata që i kanë rënë në qafë politikës, madje shumica dërmuese e atyre që janë paguar për të bërë politikë në këtë vend, nuk kanë pasur më shumë vlerë publike sesa apendisiti i tyre privat.

Në Shqipëri, raporti i udhëheqësit me publikun është shumë i deformuar për shumë arsye. Për shkak të traditës, për shkak të simbiozës direkte mes tyre dhe kryesisht për shkak varfërisë. Për ta kuptuar më qartë dhe për të hedhur pak dritë për ata që shohin vetëm sterrë duhet shënjuar një detaj i rëndësishëm.

Eshtë duke u rritur në masë kritike ajo shtresë e popullsisë që nuk zgjohet më në mëngjez dhe pyet sesi është është zgjuar Edi Rama dhe që nuk e ze gjumi në darkë duke menduar sesi është ngrysur Lulzim Basha. Janë shumë më shumë njerëzit që nuk ju intereson se çfarë po bën Monika Kryemadhi apo nëse Ilir Meta e ka pikë të dobët Sali Berishën. Gjithmonë e më tepër në Shqipërinë tjetër, gjen njerëz që zgjedhin komeditë e Netflix-it dhe jo gallatën e parlamentit. Jo sepse janë indiferentë, por sepse humori dhe ngjyra e politikës nuk ndikon dot në fatin e tyre personal. Indiferenca e tyre është fati i shoqërisë së angazhuar. Eshtë shpresa reale e këtij vendi, që ende identifikohet me pjesën më të zhurmshme të tij, me politikën.

Si Meta ashtu edhe Rama kanë deklaruar se nuk do të ketë më kurrë koalicion mes PS dhe LSI-së. E konsideroni një “ndarje përfundimtare”, apo sikurse ka ndodhur shpesh qëndrimet e ofertat zbuten për hir të pushtetit! A mund të ketë një koalicion PS-LSI pas 25 prillit në varësi të rezultatit zgjedhor?

Eshtë thënë aq herë “kurrë” në shqip sa nuk vlen të kujtohet më. Pushteti në Shqipëri nuk është ngritur ndonjëherë mbi ndonjë bazë të qëndrueshme morale. Pushteti nuk është marrëdhënie dashurie, por produkt interesi. Nëse interesi dikton një formulë të caktuar qeverisjeje, askush nuk do të duhej të habitej nëse pushteti dikton plotësisht vullnetin e Ramës, Metës, Bashës, Kryemadhit apo kujtdo tjetër. Edhe pse duken të vetëmjaftueshëm, të fortë e të pavarur në aktet dhe veprimet e tyre, secili nga ta realisht është vetëm figurant dhe rob i pushtetit në rolin që pushteti i jep secilit.

Intervistoi: Fernanda Cenko, Gazeta Fjala

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re