Agjencia për Media për Informim, institucion në varësi të qeverisë, publikoi disa nga detajet mbi marrëveshjen mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare për emigrantët.

Neni 3 i kësaj marrëveshjeje përcakton se shteti fqinj merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse, të cilat parashikohen të ngrihen në Shëngjin dhe në Gjadër.

Neni 4 është pika kryesore e këtij protokolli. Në të theksohet se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e emigrantëve. Kufiri maksimal i pritjes së së të huajve do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë. Gjithashtu, Italia do të përballojë çdo shpenzim për të strehuarit, duke përfshirë kostot e kujdesit shëndetësor dhe tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare.

Po ashtu, në dokumentin e firmosur zyrtarisht nga Rama dhe Meloni të hënën në Romë përcaktohet se afati maksimal i qëndrimit të një emigranti nuk mund të jetë më i madh se koha e nevojshme për procedurat e azilit dhe mbrojtjes. Në përfundim të procedurave, sipas nenit 9, është pala italiane që kryen me shpenzimet e saj largimin e emigrantëve nga Shqipëria.

ZBARKIMI

Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë, edhe pse do ketë lëvizje të vazhdueshme të tyre, ardhje dhe largime të reja. Shpenzimet do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë vendit tonë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori.

“Brenda 45 ditëve nga komunikimi i përmendur në pikën 1, të këtij seksioni, pala italiane do të paguajë, në mënyrën e parashikuar në seksionin B, të këtij aneksi, shumën e kërkuar dhe të justifikuar nga pala shqiptare, edhe si paradhënie për shpenzimet që ajo do të kryejë në gjashtëmujorin në vijim. Pas kësaj derdhjeje, shuma e llogarisë speciale të thesarit nuk mund të jetë më e vogël se 16.5 milionë euro. Në rast mosmarrëveshjeje për një pjesë të shumës së kërkuar nga pala shqiptare, pala italiane do të vazhdojë të paguajë pjesën e pakundërshtuar brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë”, – thuhet në draft.

Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci. Italia merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare. Po kështu, Italia merr përsipër 100% të kostos së parashikuar në kontratat përkatëse të blerjes së pajisjeve mjekësore dhe barnave, përfshirë vaksinat, për të cilat Shqipëria dokumenton përdorimin si dhe 100% të kostos së blerjes, të aprovuar më parë nga autoritetet italiane, të artikujve dhe shërbimeve të ndryshme.

Dy ditë më parë Shqipëria dhe Italia nënshkruan një memorandum shumë të rëndësishëm mirëkuptimi në menaxhimin e flukseve migratore. Kjo u bë me dije nga në një konferencë të përbashkët për media, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni. Marrëveshja ka tre objektiva: të luftojë trafikimin e paligjshëm, parandalimin e flukseve të parregullta dhe mirëpritjen e atyre që kanë vërtet të drejtën e mbrojtjes. Shqipëria do të japë mundësinë e përdorimit të dy zonave në portin e Shëngjinit dhe në Gjadër, në të cilat Italia do të mund të krijojë dy qendra për menaxhimin e emigrantëve të paligjshëm me shpenzimet e saj dhe nën juridiksionin e saj.

PJESË NGA MARRËVESHJA MES SHQIPËRISË DHE ITALISË

Neni 3

1. Pala shqiptare i njeh palës italiane të drejtën për përdorimin e zonave, sipas kushteve të përcaktuara në këtë protokoll.

2. Zonat jepen pa kundërshpërblim për të gjithë kohëzgjatjen e këtij protokolli, në përputhje me sa është parashikuar në nenin 13.

Neni 4

1. Pala italiane mund të krijojë në zonat e përcaktuara strukturat e përmendura aneksin. Palët bien dakord se numri i përgjithshëm i emigrantëve të pranishëm njëkohësisht në territorin shqiptar, në zbatim të këtij protokolli, nuk mund të jetë më i lartë se 3 000 (tre mijë) veta.

2. Strukturat e përmendura në pikën 1 menaxhohen nga autoritetet kompetente të palës italiane, sipas legjislacionit përkatës italian dhe evropian. Mosmarrëveshjet e lindura ndërmjet këtyre autoriteteve dhe subjekteve, që do të akomodohen në strukturat e sipërpërmendura, i nënshtrohen ekskluzivisht juridiksionit italian.

3. Autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat e përmendura në pikën 1, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit, të parashikuara nga legjislacioni italian e evropian dhe për kohën rreptësisht të nevojshme për të. Në rast se, për çdo arsye, e drejta e qëndrimit në struktura nuk gjen zbatim, pala italiane i transferon menjëherë emigrantët nga territori shqiptar. Transferimet për dhe nga këto struktura janë përgjegjësi e autoriteteve kompetente italiane.

4. Hyrja e emigrantëve në ujërat territoriale dhe në territorin e Republikës së Shqipërisë do të kryhet ekskluzivisht me mjetet e autoriteteve kompetente italiane. Në momentin e mbërritjes në territorin shqiptar, autoritetet kompetente të secilës prej palëve do të vijojnë veçmas me përmbushjen e kritereve të parashikuara nga dispozitat ligjore kombëtare përkatëse, si edhe duke iu përmbajtur kushteve të këtij protokolli.

5. Shpenzimet për përshtatjen e një apo më shumë strukturave të hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të emigrantëve do të mbulohen tërësisht nga pala italiane.

6. Lidhur me strukturat e parashikuara nga pika 1, pala italiane angazhohet të krijojë strukturat shëndetësore, me qëllim që të garantojë shërbimet shëndetësore të nevojshme.

7. Në rast konstatimi të emigrantëve që janë mbartës të sëmundjeve infektive, autoritetet kompetente të palës italiane do t’u përmbahen normave të karantinimit dhe trajtimit të tyre, sipas protokolleve shëndetësore përkatëse.

8. Në rast nevojash shëndetësore, të cilat autoritetet italiane nuk mund t’i plotësojnë brenda kuadrit të strukturave të përmendura në pikën 1, autoritetet shqiptare do të bashkëpunojnë me autoritetet italiane përgjegjëse të këtyre strukturave për të siguruar kujdesin mjekësor thelbësor dhe të domosdoshëm ndaj personave të strehuar në këto struktura.

9. Kostot për shërbimet shëndetësore, që do të ofrohen nga pala shqiptare, do të paguhen nga pala italiane, në përputhje me pikën 1, të nenit 10, të këtij protokolli.

Neni 5

1. Strukturat e përmendura në aneksin 1 do të ndërtohen dhe do të menaxhohen, në përputhje me legjislacionin përkatës italian, pa pasur nevojë për leje ndërtimi apo formalitete të tjera të ngjashme, të kërkuara nga legjislacioni shqiptar. Pala italiane ka vetëm detyrimin për t’u njoftuar paraprakisht autoriteteve shqiptare projektin dhe dokumentacionin lidhur me qëndrueshmërinë dhe funksionalitetin e strukturave.

2. Pala italiane angazhohet të ndërtojë, gjithashtu, strukturat e dedikuara për personelin shqiptar, që do të ruajë perimetrin e jashtëm të zonave, në funksion të zbatimit të detyrimeve sipas pikës 2, të nenit 6, të këtij protokolli.

3. Pala shqiptare lehtëson ofrimin e shërbimeve të nevojshme për funksionimin e strukturave të përmendura në aneksin 1, për të cilat do të zbatohen kushte jo më pak të favorshme se ato që zbatohen për struktura të ngjashme. Kostot e nevojshme për sigurimin e këtyre shërbimeve mbulohen tërësisht nga pala italiane.

4. Shpenzimet e bëra nga pala italiane për ndërtimin e strukturave të përmendura në aneksin 1 përjashtohen nga taksat dhe detyrimet doganore indirekte. Pala italiane nuk kërkon përjashtime nga taksat ose pagesat e tjera, pavarësisht se si janë të emërtuara, të cilat përfaqësojnë tarifa për përdorimin e shërbimeve publike.

5. Për nevojat e ndërtimit e të menaxhimit të strukturave të përmendura në nenin 4, autoritetet kompetente të palës italiane përjashtohen nga kufizimet ose kontrollet e monedhës dhe mund të transferojnë lirisht monedha, pavarësisht parashikimeve të dispozitave në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

6. Pala shqiptare angazhohet të lehtësojë kryerjen e praktikave doganore për materialet dhe pajisjet e kërkuara nga pala italiane, me qëllim realizimin e veprimtarive, sipas këtij protokolli.

Neni 6

1. Autoritetet kompetente të palëve do të bashkëpunojnë për ruajtjen e sigurisë së zonave.

2. Autoritetet kompetente të palës shqiptare sigurojnë ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike në perimetrin e jashtëm të zonave dhe gjatë transportit tokësor drejt dhe nga të njëjtat zona, që kryhet në territorin shqiptar.

3. Autoritetet kompetente të palës italiane sigurojnë ruajtjen e rendit dhe të sigurisë brenda zonave. Autoritetet kompetente të palës shqiptare mund të hyjnë në zonë, me pëlqimin e shprehur të drejtuesit të strukturës. Përjashtimisht, autoritetet e palës shqiptare mund të hyjnë, duke njoftuar drejtuesin e strukturës së palës italiane, në rast zjarri, rreziku tjetër serioz dhe të afërt që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

4. Për zbatimin e detyrave të ndërsjella që lidhen me sigurinë, secila palë ngre një njësi përgjegjëse për mbarëvajtjen, koordinimin dhe mbikëqyrjen e çështjeve të sigurisë.

5. Autoritetet kompetente italiane do të marrin masat e nevojshme për të siguruar qëndrimin e emigrantëve brenda zonave, duke mos lejuar daljen e paautorizuar të tyre në pjesën tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë, si gjatë kohëzgjatjes së procedurave administrative ashtu edhe në përfundim të tyre, cilido qoftë rezultati përfundimtar.

6. Në rast daljeje të paautorizuar të emigrantëve nga zonat, autoritetet shqiptare do t’i shoqërojnë ata po pranë këtyre strukturave. Kostot që burojnë nga zbatimi i kësaj pike do të mbulohen nga pala italiane, në përputhje me sa është parashikuar nga pika 1, e nenit 10, të këtij protokolli.

7. Autoritetet kompetente të palës italiane do të përballojnë çdo shpenzim të nevojshëm për akomodimin dhe trajtimin e subjekteve që do të strehohen në strukturat e përmendura në aneksin 1, duke përfshirë ushqimin, kujdesin shëndetësor (përfshirë rastet kur për këtë kërkohet asistenca e autoriteteve shqiptare) dhe çdo shërbim tjetër që do të vlerësohet i nevojshëm prej palës italiane, duke u kujdesur që ky trajtim të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, sipas së drejtës ndërkombëtare.

8. Dokumentet zyrtare të mbajtura në çfarëdolloj cilësie nga autoritetet italiane dhe nga personeli italian përjashtohen nga sekuestrimi ose masa të tjera të ngjashme nga autoritetet shqiptare.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re