Gjykatat shqiptare do të jenë institucionet që do të konvertojnë dhe njohin dominim e të burgosurve shqiptarë në Britani të Madhe që priten së shpejti të ekstradohen në vendin tonë në sajë të marrëveshjes së nënshkruar mes dy qeverive. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, përmes një video të postuar në rrjetin e tij social, ka bërë të ditur disa detaje teknike të kësaj marrëveshjeje, ku garantoi se asnjë i dënuar nuk do t’i shmanget dënimit.

 

Në zinxhirin e institucioneve që përfshihen në këtë proces sipas kësaj marrëveshjeje, përveç Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe homologëve tanë në Britani, është edhe Gjykata shqiptare, e cila do të bëjë njohjen dhe konvertimin e dënimit të dhënë nga gjykatat britanike për çdo të dënuar sipas legjislacionit shqiptarë për të gjitha efektet e vendimeve të dhëna nga drejtësia britanike. Nuk do të ketë shmangie nga dënimi për asnjë person që transferohet nga Britania në Shqipëri.

 

Ndër të tjera, Manja tha se të burgosurit do të ndahen në grupe, në varësi të vendeve që kanë burgjet shqiptare. Ndërkohë që të gjitha pagesat dhe kostot do të mbulohen nga qeveria britanike.

 

Këto të dënuar nuk do të vijnë të gjithë përnjëherësh. Ky proces do të kondicionohet nga vendimet e konvertimit dhe të njohjes që do të bëjnë gjykatat shqiptare, por edhe nga kapacitetet që ne do të kemi në institucionet tona të vujtjes së dënimit. Sapo të vijë grupi i parë, autoritetet e burgjeve do të marrin pagesat për grupin e parë të të dënuarve që do të transferohen e më pas Ministria e Drejtësisë do ti hape rrugë grupit tjetër, gjithmonë në varësi të vendimeve që do të japin gjykatat shqiptare.

 

Riatdhesimi i të të burgosurve do të bëhet gjithnjë me miratimin e tyre, por në disa raste ata do të transferohen edhe kundër dëshirës në Shqipëri.

 

Dua të sqaroj opinionin publik se pjesë e kësaj marrëveshjeje janë të dënuar shqiptarë që japin pëlqimin  për të ardhur në Shqipëri, por marrëveshja parashikon si rast përjashtimor edhe mos dhënien e pëlqimit. Janë ato raste kur drejtësia britanike, përveç dënimit me burgim ka shqiptuar si dënim edhe dëbimin nga Britania e Madhe.

 

Kjo marrëveshje do të finalizohet në muajin shtator ku pritet që të firmohet dhe të zyrtarizohet nga kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij britanik. Si pjesë e parë të marrëveshjes, priten që të vijnë rreth 200 të burgosur shqiptarë, të cilët u kanë mbetur më shumë se 4 vite dënim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re