Komisioni i Ekonomisë votoi pro miratimit të Projektligjit “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale” ndërkohë opozita është shprehur kundër ligjit si jofitimprurës dhe i parregullt.

Deputetët e opozitës kërkuan më shumë informacion nga qeveria për ndikimin ekonomik të projektligjit. Deputeti Dashamir Shehu e cilësoi këtë nismë qeveritare dhe shtetërore si të pamenduar dhe të padobishme për bujqësinë. Ai propozoi që në fillim të bëhej një eksperiment me një sipërfaqe më të vogël për të parë vazhdimësinë e nismës.

“Jam shumë kundër, është një nismë  që nuk është menduar mirë. Bëni një eksperiment mbillni vetëm 50 hektarë në fillim për të kuptuar se nga do të vijë produkti nga zonat e miratuara apo nga Mali, pasi për 200 hektarë duhet një administratë më vete.

Nëse do të jetë fitimprurëse rregulloje prapë ligjin, por nuk besoj se do të funksionojë. Dhe do të shpërndahet në shumë vende në Shqipëri sepse nuk ka sipërfaqe bujqësore 200 hektarë në një vend.

Do të ketë më shumë punë për policia dhe ministrinë për copëzat e shpërndara  në Shqipëri. Pas 2 vitesh do e rishikojnë ligjin këtu jemi”- tha Shehi.

Deputetja e Partisë Demokratike, Emilia Koliqi u ndal te pabarazia ekonomike e krijuar nga mostaksimi i kompanive në tre vitet e para dhe mungesa e të dhënave për efektin në ekonominë e vendit nga legalizimi i kanabisit.

“Nuk na është dhënë ende një shifër për efektin e legalizimit të kanabisit në ekonomi, Shqipëria renditet ndër 7 furnizuesit më të mëdhenj të kanabisit në botë dhe furnizuesi kryesor i Europës nga vendet e rajonit.

Pas vitit të tretë të prodhimit, subjekti duhet të paguajë një taksë prej 1.5% të të ardhurave të kompanisë, përjashtimi për tre vjet krijon sërish pabarazi në ekonominë shqiptare sepse edhe pse po miratojmë një ligj për një veprimtari të paligjshme, ai sërish nuk  krijoni të ardhura për buxhetin”- u shpreh deputetja demokrate.

Deputeti socialist Erion Braçe propozoi kufizimin e sipërfaqeve të lejuara për parcelat e prodhimit të kanabisit mjekësor.

Sipas tij, kultivimi i kërpit nuk duhet lënë i lirë pasi dallimi mes kërpit dhe kanabisit është i vështirë të dallohet edhe nga laboratori.

“Jam kundër faktit që në këtë ligj nuk ka asnjë kufizim që do të vihet në dispozicion për kultivimin e kërpit, lënia e tij e lirë në ligj do të thotë ta lëmë të lirë edhe në qeveri.

Në kushtet kur ky vend ka kaluar ngjarje të tilla, sidomos me kërpin dhe kanabisin. Dallimi mes kërpit dhe kanabisit është shumë i vogël për t’u dalluar edhe në laboratorë, për sa kohë ai është mbjellë në parcela dhe është vendosur në sipërfaqe. Të vendoset kufiri për 200 hektarë – propozoi Braçe.

Zv/ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Entela Ramosaçaj mbrojti projektligjin në fjalë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Ajo theksoi se vende si Greqia dhe Izraeli kanë qenë raste të suksesshme, ku vetëm në shtetin fqinj janë mbi 12 subjekte që marrin miratim dhe janë hapur mbi 770 vende pune.

Ne kemi një mundësi për të rritur konkurrencën në treg dhe tatimi mbi të ardhurat do të jetë një faktor fitimprurës për ekonominë në vend. Ne shohim vende si Greqia dhe Izraeli që kanë pasur sukses në përpunimin dhe kultivimin e kanabisit për qëllime industriale ose mjekësore.

Brenda vitit të parë në Greqi, dy subjekte morën autorizim dhe 12 të tjera janë në rrugë të miratimit me një investim prej 185 milionë eurosh me 770 vende të reja pune.

Të dhëna të ngjashme vijnë nga Izraeli ku janë investuar rreth 1.5 milionë euro për 1 hektar dhe 2 milionë euro investim për ngritjen e laboratorëve. Mendohet të punësohen rreth 75 punonjës për një hektarë  dhe 17-18 milionë euro për 10 hektarë”, tha Ramosaçaj.

Drafti

Para pak ditësh, qeveria shqiptare miratoi një projektligj për Kontrollin e Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit dhe nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale përmes subjekteve të licencuara dhe nën mbikëqyrjen e Agjencisë Kombëtare që do të ngrihet për këtë qëllim.

Shqipëria hyn në tregun e ligjshëm, duke ju bashkuar rreth 40 shteteve në të gjithë botën që e kanë lejuar tashmë, me përvojë dhe me një forcë pune të kualifikuar për shkak të dominimit që ka në tregun e zi.

Sipas projektligjit, sipërfaqja në dispozicion do të jetë rreth 200 hektarë. Sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për kultivim të cannabis-it për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e vogël se 5 hektarë dhe jo më e madhe se 10 hektarë.

Licenca jepet për një ose disa veprimtari për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi, me kërkesë për secilin nga aktivitetet.

Formati i licencës për ushtrimin e aktiviteteve të lidhura me prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për Shëndetësinë. Licenca jepet vetëm në emër të subjektit dhe është e patransferueshme dhe e patjetërsueshme.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re