Më shumë se 150 organizata i dërguan letër presidentit amerikan, Joe Biden, në të cilën kërkojnë nga ai që të “ketë prioritet mbylljen e qendrës së paraburgimit në Gjirin e Guantanamos, Kubë”.

Letra u nënshkrua nga organizata nga SHBA-ja dhe vende të tjera të cilat e quanin veten një “grup i organizatave të ndryshme joqeveritare” të përqendruara në çështjet për të drejtat ndërkombëtare të njeriut, të drejtat e emigrantëve, të drejtën racore dhe luftën kundër diskriminimit anti-musliman.

“Ka kaluar shumë kohë për një ndryshim të madh në qasjen e SHBA-së ndaj sigurisë kombëtare dhe njerëzore, ashtu edhe për një llogaritje kuptimplotë me shtrirjen e plotë të dëmit që ka shkaktuar qasja pas 11 shtatorit. Mbyllja e objektit të paraburgimit të Guantanamos, dhënia fund e paraburgimit ushtarak të pacaktuar për ata që mbahen atje dhe mos përdorimi i mëtejshëm i bazës ushtarake për ndalimin masiv të paligjshëm të ndonjë grupi njerëzish, janë hapa të nevojshëm drejt këtyre qëllimeve”, thuhet në letër.

“Ju bëjmë thirrje që të veproni pa vonesë dhe në një mënyrë të drejtë, që merr parasysh dëmin e shkaktuar ndaj burrave që janë ndaluar për një kohë të pacaktuar pa akuza ose gjykime të drejta për dy dekada”, shtuan ata.

Ndërkohë, një takim virtual u mbajt dje për të shënuar 21-vjetorin e hapjes së burgut ushtarak amerikan në Gjirin e Guantanamos, i cili u hap pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ku do të mbaheshin të dyshuarit për terrorizëm të kapur në Afganistan, Irak dhe në vende tjera.

Ngjarja virtuale u ndoq nga shumë njerëz nga vende të ndryshme, duke përfshirë aktivistë, përfaqësues dhe mbështetës të të drejtave të njeriut, të cilët kërkuan mbylljen e burgut famëkeq të cilin SHBA-ja e mori me qira nga Kuba në vitin 1903 si një stacion thëngjilli dhe bazë detare.

Midis folësve ishin Daphne Eviatar, drejtoresha e Sigurisë dhe të Drejtave të Njeriut e Amnesty International USA, Aliya Hana Hussain, menaxhere e Programit të Avokimit në Qendrën për të Drejtat Kushtetuese dhe Andy Worthington nga fushata “Close Guantanamo” si dhe aktivistë të tjerë, me moderator Lu Aya, bashkë-themelues i “The Peace Poets”.

Pjesëmarrësit i bënë thirrje qeverisë amerikane që të mbyllë burgun e Guantanamos, ndërsa folën për rastet e padrejtësisë.

Përveç thirrjeve për drejtësi, pjesëmarrësit shënuan 21-vjetorin e Guantanamos duke lexuar poezi dhe duke kënduar këngë homazhe.

Ashtu si folësit e tjerë, Maha Hilal, autore dhe bashkëdrejtuese e “Justice for Muslims Collective”, bëri thirrje për mbylljen e Guantanamos sepse “ka shkatërruar jetët e kaq shumë burrave dhe djemve muslimanë”.

“Ndërsa bëjmë thirrje për mbylljen e Guantanamos, ne bëjmë thirrje për shfuqizimin e Guantanamos dhe fundin e islamofobisë”, tha ajo.

Kampi i paraburgimit, i njohur gjithashtu si “Gitmo”, ka mbajtur afërsisht 780 të burgosur që nga hapja e tij, shumica e tyre pa akuza ose gjyq, ndërsa siç thuhet, shumica kanë kaluar tmerre të papërshkrueshme. Aktualisht mbahen 35 të arrestuar, ndërsa 20 prej tyre kanë të drejtë transferimi.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re