Shkruan: Abdi Baleta

Më 6 tetor 2021, nëBërdo të Sllovenisë u mbajt samiti i radhës i Bashkimit Europian me “Ballkanin Perëndimor”, nga i cili Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut prisnin të merrnin lajmin e mirë të cakimit të datës së Konferencave ndërqeveritare për hapjen e proceseve të pranimit të tyre në BE. Mbeteshin ende dyshime se disa anëtarë të BE-së qëndronin në pozita kundërshtuese dhe mund të gjenin yçkla të reja për ta penguar edhe më tej një hap të tillë. Por “befasia” e madhe doli të ishte se kësaj radhe pengesën më të pakapërcyeshme e vuri Gjermania, e konsideruar deri në atë kohë si më e gatshmja që të plotësoheshin pritshmëritë shqiptare e maqedonoveriore. Kjo bëri që samiti të zhvleftësohej, aq sa ish-ministri britanik për problemet europiane, Denis MacShane, e cilësoi atë si katastrofal.

Interesat shqiptare-kurban i samitit, Ramës i mbeti të regjë lëkurën

U bënë disa vite që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me shumë vrull i shton dozat e megalomanisë për të mashtruar shqiptarët se ai është magjistari që do të përmbysë mësimet historike dhe realitetet armiqësore në marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Ai premtoi se “do ta sikletosë Vuçiqin derisa ta njohë Kosovën” (“Shqiptarja.com”, 15 tetor 2016) dhe shpalli si sfidë historike “pajtimi me Serbinë proces patriotik” (“Dita”, 22 tetor 2016). Por punët nuk i kanë shkuar si i kishte menduar dhe filloi të kërkojë justifikime duke u fshehur pas figurës së kancelares së Gjermanisë “Merkel e mbështet procesin, ku është tradhtia?” (“Tema”, 20 janar 2020). Tani, pas dy vjetësh të tjera edhe Merkeli është në ikje nga politika dhe diplomacia, kurse Vuçiqi bëhet gjithnjë e më agresiv e kërcënues ndaj shqiptarëve. Rama, tani, duket politikani më i çekuilibruar dhe shtetari më i dështuar se kurrë në Shqipëri. Këtë e shohim sidomos në atmosferën e krijuar ditët e fundit pas komedisë diplomatike të samitit europian të Ballkanit Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë.

BE më hapur se kurrë tregoi me cinizëm mungesë vullneti, paaftësi e pafuqi për të bërë ndonjë gjë të mirë për dy shtetet e kombin shqiptar të braktisur prej saj,në Ballkan. NëBërdo u mbyllën dyert dhe oxhaqet për të hyrë në këtë Bashkim (aluzion për shkrimin tim me titull “Dera hapur…hyrja nga oxhaku”, botuar në “Shenja”, dhjetor 2012), që të çahen fare ledhet mbrojtëse shqiptare në Kosovë e Shqipëri për vërshimin më të shpejtë të llavës serbe, që të krijohet një “Jugosllavi e tretë” (përsëri aluzion për një shkrim timin, ”Europa kërkon Jugosllavinë e tretë”, botuar në “Shenja”, dhjetor 2013).

Kështu, ato që ndodhën në Bërdo nuk janë as të papritura, as të paditura për shqiptarët. Nuk pi ujë vetë justifikimi i kryeministrit Rama: “Nuk jemi të zhgënjyer, sot e dimë më mirë se si funksionon BE” (“Panorama”, 8 tetor 2021). Ku i paska pas mendtë ai (dhe të tjerë pushtetarë para tij e krahas tij), që nuk e kishin mësuar këtë gjë me kohë,kur u shpjegohej me gojë e me shkrim?! Rama e të tjerë si ai nuk mund të justifikohen më, si nxënës të prapambetur në shkollë, që për 30vjet i kanë gozhduar e trullosur shqiptarët me rrenat mbi mrekullitë që do t’u sillte integrimi. Nga Bërdo 27 shteteve të bashkuara të BE-së u dhanë verdiktin se kombi e dy shtetet shqiptarë do të liheshin shpërfillshëm dhe për një kohë të pacaktuar pas dore e pas dere dhe po deshën ngushëllim le të shkojnë të struken në prehrin e “Serbisë së Madhe”.

Para e pas samitit burokratët e BE-së përsërisnin se Shqipëria i kishte plotësuar kushtet që i ishin vënë, se dhe Kosova kishte përmbushur kërkesat për lehtësimin e regjimit të vizave .U pa qartë se puna nuk kishte ngecur kot së koti në çastet e fundit vetëm tek një “kapriçio” që po bënte Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut. Rama shpalos amatorizëm politik e diplomatik kur fajëson diplomacinë bullgare se po tregohet pa arsye tepër inatçore që i nxjerr pengesa Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Rama bën mirë të marrë disa mësime nga qëndrimet e diplomacisë bullgare, sepse Shqipëria, për shkak të pranisë shqiptare në Maqedoninëe Veriut, mund të përballet një ditë me probleme të ngjashme, madje më të mprehta. Bullgaria po tregon se edhe në gjëra në dukje anësore e vlen të thuash “Jo”.

Po kancelarja Merkel deshi ta linte zvarrë “Nismën e Berlinit”, apo i iku puna nga dora?!

Pushtetarët e Tiranës shpresat se në Bërdo “gjeli europian” mund të bënte dhe për ta një vezë i kishin mbështetur më shumë në premtimet që jepte prej disa vitesh Gjerrmania e kancelares Angela Merkel. Por, për dëshpërimin e madh të shqiptarëve Angela Merkel i befasoi të gjithë me deklaratën e prerë pikërisht në aktet e fundit të paraqitjes së saj në skenën e diplomacisë: “Unë nuk e përkrah caktimin e një date për pranimin e tyre” (Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut). Merkel e vuri veten kështu në atë pozitë refuzuese, ku zakonisht kishim parë drejtuesit politikë të Francës, të Holandës, të Danimarkës, të Greqisë. Shtypi gjerman, madje, ka komentuar se nëBërdo u bë një hap mbrapa në krahasim me të kaluarën, pasi në komunikatën e samitit mbështetet thjesht ideja e mjegullt e një perspektive të vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE dhe nuk bëhen premtime e propozime konkrete si mund të realizohet kjo perspektivë dhe kur.

Kishte rënë në sy qysh gjatë vizitave të “lamtumirës diplomatike”, që bëri në Beograd e Tiranë më 13 e 14 shtator 2021, se kancelarja Merkel kishte mbetur e pakënaqur nga suksesi i kufizuar i “Projektit të saj për Ballkanin Perëndimor”, që ajo e pat shpallur me entuziazëm në Berlin para disa vitesh, duke ngjallur xhelozi diplomatike brenda në BE dhe duke e futur Gjermaninë në njëfarë rivaliteti me SHBA për ndikim në zonën e Ballkanit, me gjithë rrezikun e madh të mësymjes ruso-kineze. Merkel nuk e fshehu pezmatimin për bastardimin e “Nismës së Berlinit” nëpërmjet projektesh të tjera, si “Minishengeni ballkanik” i Novisadit, “Open Balkans” i Shkupit, kur foli për “vështirësitë e zgjidhjes së ngërçit Kosovë-Serbi, për “përparimet modeste që janë bërë në këtë drejtim”. Ajo tha pak ngatërrueshëm se: “Procesi i Berlinit ka pasur një efekt vërtet pozitiv në rajon e kjo duket kur shikon gjashtë vende duke bashkëpunuar me njëri-jetrin. Projekti më i fundit dhe më i ri është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal, jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar për çdo detaj. Ne biseduam me Serbinë, Bosnjen e Kosovën për kapërcimin e çështjeve të pazgjidhura”. Ajo po thoshte se “Nismën Open Balkans” nuk e vështronte njësoj si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si “pjellë të procesit të Berlinit”, por si një bisht që e shëmton e bezdis këtë nismë…

Duhet menduar se bllokimi i caktimit të datës për të hapur bisedimet midis Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut me BE-në, në mos një hakmarrje e hapur gjermane, është një pakënaqësi e kancelares që “Nisma e Berlinit për Ballkanin Perëndimor” nuk shkoi siç e kishte menduar ajo dhe, për më tepër, nuk kurorëzoi në rrafshin diplomatik dëshirën e saj në çastet e largimit nga drejtimi i politikës së Gjermanisë. Pra u vërtetua shpejt se bllokimi i procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkan nuk është vetëm për faj të “vetos bullgare” ndaj Maqedonisë së Veriut, por ka dhe nëntekste e pretekste të tjera, në një sfond më të gjerë të kontradiktave të brendshme që po gërryejnë e paralizojnë punën e BE-së lidhur me mënyrat e mjetet e ballafaqimit e bashkëpunimit me SHBA nga njëra anë dhe Rusinë e Kinën nga ana tjetër.

Si u përvijua nëBërdo “tradhtia parimore” gjermane ndaj shqiptarëve

Tani ka dalë më qartë se në fillim që diplomacia gjermane “Nismën e Berlinit” për Ballkanin Perëndimor e ndërmori për t’i siguruar një trajtim e pozitë të privilegjuar rajonale Serbisë, që kjo të shërbente edhe si miklim i Rusisë në trajtimin tërësor të marrëdhënieve gjermano-ruse.

Në literaturë kam ndeshur idenë e njerëzve të mençur e të ditur se, “ikja nga realiteti të çon drejt tradhtisë”. Pra, listën e llojeve të tradhtive nuk bën ta quajmë të mbyllur me përmendjen e “tradhtisë së intelektualëve”. Me “tradhti parimore” duket të kuptojmë pikërisht largimin nga nomat e parimet e drejtësisë e të mirësisë dhe nga realiteti i situatave me të cilat na bie të ndeshemi. Ikja nga realiteti si shtysë drejt tradhtisë është veçanërisht e mundshme dhe e rrezikshme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Viktimë gati e përhershme e tipike e një “tradhtie të tillë” janë shqiptarët. Kështu ndodhi edhe në Bërdo. Prandaj shqiptarët e shashtisur për dekada me radhë nga mashtrimet e pushtetarëve të tyre dhe të fuqive europiane tani kanë më shumë arsye të ndiehen të lënduar e të zhgënjyer edhe nga një “tradhti parimore” gjermane, kur vënë re se politika e diplomacia gjermane vunë preferencat pragmatiste e përparësitë diplomatike e konjukturale mbi parimet e angazhimet që kishte marrë vetë më parë. Prandaj pas samitit të Bërdos, në shtypin e mediat e Tiranës dhe në opinionin publik shqiptar kanë shpërthyer ankesa, zhgënjime, vlerësime pesimiste, skepticizëm, sarkazëm, ironi për qëndrimin e Bashkimit Europian ndaj Ballkanit Perëndimor.

Në konferencën e shtypit, që dha bashkë më Ramën në Tiranë më 14 shtator, kancelares Merkel iu bë një pyetje: tani që po largoheni Ju nga timoni i politikës e diplomacisë së Gjermanisë e të BE-së kush do të kujdeset për ne, për projektet lidhur me Ballkanin Perëndimor? Kancelarja u përgjigj se BE-ja do të vazhdojë rolin e misionin e vet dhe përmendi Presidentin e Francës, Makron, e kancelarin e Austrisë, Kurc, si kujdestarët më të drejtpërdrejtë mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Shumë shpejt kancelari austriak mbeti pa postin e tij në Austri meqenëse u përgojua për korrupsion. Presidenti i Franës nuk e ka aq shumë tani mendjen tek “kujdesi i mirë” për Ballkanin Perëndimor, sepse shqetësohet së pari të mbrojë Greqinë nga Turqia, të vendosë disiplinë dhe mirëkuptim në marrëdhëniet e Francës me shtetet afrikane, që dikur kanë qenë koloni franceze.

Për ndikimet që do të kenë pas zgjedhjeve rregullimet pushtetore të Gjermanisë mbi marrëdhëniet shqiptaro-gjermane e Ballkanin Perëndimor është ende shpejt të bëhen hamendësime të guximshme. Këto zhvillime vlejnë që të ndiqen me kujdesin më të madh për të krijuar përfytyrimin e duhur mbi të rejat që mund të ndodhin pas “periudhës Merkel”. Sidomos lidhur me veprimtaritë në kuadrin e “Nismës së Berlinit” dhe të “Open Balkans”, sepse bëhet fjalë për rrezikun e sakrifikimit të interesave të tyre për të krijuar një “Jugosllavi të re” (në fakt Serbi të Madhe). Që të jemi më të sigurtë në perceptimet e zhvillimeve që do të ndodhin duhet hedhur vështrimi edhe mbi të kaluarën. Marrëdhëniet shqiptaro-gjermane nuk kanë ndonjë histori të pasur. Në Kongresin e Berlinit (1887) Gjermania ishte në rreshtin e 6 fuqive të mëdha europiane që bënë padrejtësinë ndaj shqiptarëve duke mos i trajtuar sipas parimit të kombësisë. Në Konferencën e Londrës (1913) përsëri Gjermania u radhit në fuqitë që e copëtuan kombin shqiptar. Përvoja me caktimin e një princi gjerman (Vidit) në krye të shtetit shqiptar më 1914 nuk rezultoi aspak e suksesshme,si përvoja të tilla në Greqi, Bullgari e Rumani. Nuk ka shumë për të thënë për marrëdhëniet shqiptaro-gjermane midis dy luftërave botërore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, prania ushtarake gjermane ishte e kufizuar në hapësirë e në kohë, në Veri të Kosovës dhe në Shqipërinë bregdetare, gjatë tërheqjes së trupave gjermane nga Jugu i Ballkanit. Në kohën e pushtetit komunist Shqipëria pati marrëdhënie të kufizuara (shumicën e kohës të acaruara) vetëm me Gjermaninë Lindore dhe qëndrime tejet armiqësore ndaj Gjermanisë Perëndimore. Kështu që, sot mund të flitet më shumë për marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë gjatë 30 viteve të fundit dhe pas bashkimit të dy Gjermanive në një shtet. Në këto marrëdhënie duhen analizuar me kujdes edhe qëndrimet, veprimet politike dhe diplomatike të Gjermanisë në gjithë kohërat lidhur me zhvillimet në një zonë sherresh të vjetra e të reja si Ballkani.

“Dy gjeni të së keqes” nga Gjermania dhe shqetësimet shqiptare nga Serbia

Ndodh që një ngacmim i rastit të vejë në lëvizje dëshirën pë t’u marrë dhe me çështjen e postulateve gati të harruara. Në shkrimin e z. Hajredin S. Muja “Kur historia përsërit vetveten” (“Shenja”, shtator 2021) më tërhoqi vëmendjen fjalia: “Konstatimi i Karl Marksit dhe ‘hijes së tij Engelsit’ për shqiptarët si ‘popull i papërgatitur për civilizim’ (“New York Tribune”, 7.04.1859) ka qenë konstatim i mëhershëm në një libër katërvëllimësh “La Turquie d’Europe”, të Ami Bue-së, që u botua në Paris më 1854…”. Kjo fjali më nxiti të gjeja një copëz gazete “RD” të datës 20 mars 1996, me titull “Marksi për shqiptarët” dhe t’i hidhja një sy dhe librit “Guvernatori i Hitlerit për Ballkanin”, të Herman Nojbaher, edhe pse bëhet fjalë për ngjarje të viteve 1940-1945.

Pezmatimi ishte i menjëhershëm që Karl Marksi kishte shkruar aq mbrapsht: “Arnautët janë pjesërisht të krishterë të ritit ortodoks grek dhe pjesërisht muslimanë. Duke gjykuar për aq sa i njohim janë shumë pak të përgatitur për t’u qytetëruar. Prirjet e tyre grabitqare duhet të detyrojnë çdo qeveri fqinje t’i mbajnë ata nën një trysni të rreptë ushtarake përderisa përparimi industrial në vendet fqinjë të mos u sigurojë punë atyre si druprerës e ujëbartës… Nuk mund të mohohet fakti se gadishulli i quajtur zakonisht “Turqi europiane” është pasuri natyrore e trashëguar nga stërgjyshërit e racës së sllavëve të jugut. Ata e zotërojnë atë tokë që prej 12 shekujsh. Pa marrë parasysh atë pak popullsi që rrjedhin nga rrënjët sllave, por që ka përvetësuar gjuhën greke rivale të sllavëve janë vetëm arnautët barbarë ose turq, të cilët prej kohësh janë dënuar si kundërshtarët më të egër të çdo përparimi. Përkundrazi, sllavët e jugut janë të vetmit bartës të qytetërimit në pjesët e brendshme të vendit” (“RD” jep referencën ku mund të gjenden këto fjali: K. Marx-F. Engels, Gesantausgabe Band 12, Dietz Verlag-Berlin 1984,faqe73, rreshti 5-10,faqe 94, rreshti 20-28,nr.i vendit P. 461/2B).

Karl Marksi paska pas shkruar, pra, si të ishte koleksionuesi i sotëm më i pasionuar i gjithë intrigave, mashtrimeve, fyerjeve e pretendimeve shoviniste serbe ndaj shqiptarëve gjatë gjithë kohërave. Ia ka kaluar çdo antishqiptari të tërbuar serb të marrë veçmas e bashkërisht, si Vlladan Gjorgjeviqi, Vaso Çubrilloviqi, Vuk Drashkoviqi, Dobrica Qosiqi e të tjerëve si këta. Marksi njihet ende gjerësisht, madje vlerësohet nga shumë njerëz, si autor studimesh “gjeniale politiko-ekonomike e historiko-shoqërore”. Por, për trajtimin që i ka bërë kombit shqiptar dhe marrëdhënieve sllavo-shqiptare mund të cilësohet vetëm si “gjeni i së keqes”. Fjalët e tij për shqiptarët duket që janë shkruar pas shpalljes nga polaku Çartorijski e çeku Zak të ambicieve të Carit të Rusisë për krijimin e një perandorie sllave të shtrirë edhe në Europën Juglindore, pasi politikani serb Garashanin më 1854 shpalli “Naçertanien” (Projektin) serb për një shtet të “të gjithë e botës serbe”, në gjithë hapësirat e quajtura Turqia europiane. Pavarësisht se Marksi mund të ketë qenë i ndikuar fort nga librat e lexuar, si ai i Ami Bue-së mbi Turqinë europiane, për mua më e besueshme është hipoteza që kemi dëgjuar se në fjalët e cituara të Marksit më shumë ndjehet fryma e propagandës që kanë bërë tek ai qysh atëherë pjesëtarë serbë të Internacionales Komuniste.

Më dukej sikur ishte ngritur nga varri ai Marksi në imazhin e tij antishqiptar kur kryeministrja e sotme e Serbisë, Bërnabiqi, akuzonte shtetin e policinë e Kosovës se kishin kurdisur gjatë një operacioni të rëndomtë policor në Kosovën Veriore për të kapur disa elementë të krimit të organizuar një “Kristallnacht” nazist kundër serbëve të atjeshëm. Nuk di a ka dëgjuar ndonjëherë kjo kryeministre serbe historinë e “Kristallnacht”-it hitlerian, që bën këtë krahasim të marrë(!). Që të mos vetëdiskreditohet më shumë, le t’i hedhë një sy librit “Kristallnacht, Prelude to Destruction”, botuar në vitin 2006 në Angli dhe të shkruar nga Martin Gilbert, historian i njohur e biograf zyrtar i Uinston Çërçillit. Qysh në hyrje autori i thotë lexuesit se gjëma gjenocidale u kurdis nga nazistët në datën 18 nëntor 1938, nga orët e para të mëngjesit deri natën vonë. Për pak orë më shumë se 1000 sinagoga u përpinë nga flakët e shumë të tjera u shkatërruan me çekanë dhe kazma, 30,000 hebrenj të gjinisë mashkullore nga mosha 6 në 60 vjeç, një e katërta e meshkujve hebrenj që kishin mbetur në Gjermani, u dërguan në kampe përqendrimi. Hyrja e librit mbyllet me fjalët: “Kristallnacht ishte prelud i shkatërrimit të një populli të tërë, një tregues i asaj që ndodh kur një shoqëri bie viktimë e instinkteve të saj më të ulëta”. Kanë dijeni Bërnabiqi dhe Presidenti i saj Vuçiq e qeverisësit e Serbisë së sotme se këto vepra gjenocidale janë bërë në Kosovë deri pak vite më parë, sidomos në vitet 1998-‘99 nga regjimi i Milosheviqit, kur Vuçiqi ishte ministër i Informacionit? Kush duhet akuzuar për vepra gjenocidale të tipit nazist në Kosovë?

Bërnabiqi nuk mund të qortohet fort nëse nuk ka dijeni se një zonjë politikane amerikane shumë e njohur, Xhin Kirkpatrik, që ka pas përfaqësuar SHBA edhe në OKB në kohën e presidentit Ronald Regan, deklaronte, në një tryeze të rrumbullakët të organizuar më 26 korrik 1994 nga Instituti Amerikan i Angazhimit në Uashington, se: “shtypja serbe në Kosovë ngjan me fazën e parë të shtypjes së çifutëve në Gjermaninë hitleriane dhe ligjet serbe në Kosovë ngjajnë me ligjet e Nyrenbergut, që shqiptarët të mos durojnë dot shtypjen dhe si rrugëdalje të gjejnë ikjen në masë” (cituar fillimisht në shkrimin tim “Zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare-kyç i stabilitetit në Ballkan”, “E Djatha”, 16 dhjetor 1994). Kurse tani, 22 vjet pasi ndërhyrja e NATO-s ndali gjenocidin e spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë dëgjojmë që në sallën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së një ministër i regjimit tëVuçiqit përpiqet t’i kundërvihet në polemikë Presidentes së Kosovës me arsyetimin qesharak se numri i grave shqiptare të përdhunuara nga serbët nuk qenka dhe aq i madh sa thonë shqiptarët, por vetëm disa qindra, sikurse është “certifikuar”(!). Turp, jo për pushtetarin e tanishëm serb, por edhe për Marksin e vdekur, që para më shumë se 150 vjetësh predikonte robërinë e përjetshme të shqiptarëve nga serbët në Ballkan. Tmerret e përshkruara nga Gilbert në librin “Kristallnacht” e shumë libra të tjerë mbi Holokaustin nazist, ndeshen përditë me dënimin politik, moral e juridik nga mbarë njerëzimi. Këtë gjë e mundësoi DENAZIFIKIMI që u bë në Gjermani pas fitores së aleatëve në Luftën e Dytë Botërore. Kjo nuk po ndodh kështu me krimet e ngjashme që ka bërë nacional-shovinizmi serb në Ballkan, sepse edhe pas fitores së NATO-s në Serbi nuk është bërë ende D-E-SH-O-V-I-N-I-S-T-I-Z-I-M-I.

Kurse në librin e Herman Nojbaherit, guvernatorit të Hitlerit për Ballkanin, me seli në Beograd, së pari më tërhoqën vëmendjen konstatimet: “Hitleri hynte tek austriakët që po zhdukeshin gradualisht, të cilët që prej vitit 1914 (vrasja e pasuesit të fronit në Sarajevë dhe shpërthimi i Luftës së Parë Botërore) mbartnin një kompleks antiserb me vete: bombahedhës, vrasës të mbretërve, atentatorë, komplotistë, puçistë dhe zjarrvënës të botës, -këta ishin titujt e përhapur që serbët kishin fituar në qarqet e gjera austro-hungareze. Është e vërtetë që Serbia në historinë e re europiane, në të cilën hyri veçse në shekullin XIX, pas një sundimi 500-vjeçar osman, nuk qe tamam një strehë stabiliteti politik. Por këtu ka pjesën e vet të merituar politika e Fuqive të Mëdha” (f.226 e botimit në gjuhën shqipe).

Çfarë na sjell ndërmend projekti i Nojbaherit për “Serbinë e Madhe” të Nediçit

Në librin e tij Nojbaheri disa herë sjell dëshmi se si dhe çfarë ka biseduar me Hitlerin për rolin e serbëve në funksion të pushtimit e të politikës gjermane, duke krijuar një “Serbi të Madhe”. Në faqet 238-239 të librit shkruhet: “Në tetor të 1943-shit paraqita kërkesat e mia para ministrit të Jashtëm të Rajhut, lajtmotivi i të cilave ishte rishikimi i politikës sonë ndaj Serbisë. Serbët duheshin inkurajuar, pozicioni i Nediçit duhej fuqizuar. Propozova një sërë masash: 1- Krijimi i një federate të madhe serbe të përbërë nga Serbia, Mali i Zi dhe Sanxhaku; 2-Gjeneral-koloneli Nediç të bëhej presidenti i kësaj federate; 3- Pjesët e federatës të formojnë një bashkim ekonomik dhe monetar, por të ruajnë administratat autonome, sidomos në fushën e administrimit të brendshëm dhe të çështjeve kulturore; 4- Qeveria e federatës merr dispozitën e një ekzekutivi (repartet e xhandarmërisë, repartet vullnetare; 5- Të hapet universiteti i Beogradit; 6–Administrata ushtarake gjermane të kufizohet në kontrollin administrativ…këto ishin paraprakisht pikat kryesore për një rregullim të ri të brendshëm të hapësirës me popullsi serbe”. I citoj këto fjalë të ish-ushtarakut nazist, pasi elementët thelbësorë të këtij plani nuk mungojnë në projektet e paraqitura vitet e fundit për lloj-lloj krijesash politiko-ekonomike në “Ballkanin Perëndimor”.

Më 1 qershor 2013, në Ohër u bë një mbledhje ku u parashtrua (gjoja si propozim malazez) “Nisma Luksiç për Unionin ballkano-perëndimor” dhe një projektplatformë prej 20 pikash, që e bënin këtë Union shtet më të centralizuar se ish-Jugosllavia komuniste që u shpërbë. Në takimin e Ohrit Shqipërinë e përfaqësoi ministri i Jashtëm nga qeveria e PD-së së Sali Berishës. Në takimin pasues, në Mal të Zi e përfaqësoi ministri i Jashtëm nga qeveria e Partisë Socialiste e Edi Ramës. Pra, të dyja qeveritë shqiptare e pranuan si bazë diskutimi “NismënLuksiç”, që gjithsesi diku ngeci, sepse ishte tepër demaskuese për ambiciet e nxituara serbomëdha. Pas kësaj, kancelarja e Gjermanisë shpalli “Nismën e Berlinit”, që kishte të njëjtin pikësynim si “Nisma Luksiç”. Por, edhe “Projekti Merkel” disa nuk i kënaqi dhe doli “Nisma e Novisadit” për një “Minishengen Ballkanik”, që do të çlironte BE-në nga barra e mbajtjes së angazhimeve ndaj vendeve ballkanike të mbetura jashtë BE-së. As kjo nuk doli tërheqëse dhe u sajua “Open Balkans” si projekt i ripunuar serbo-shqiptaro-maqedon.Duket që specialistët e ngarkuar me përgatitjen e materialeve për këto nisma, veçanërisht të projektplatformave të tyre, nuk kanë harruar të shpluhurosin dosje më të vjetra.

Nojbaheri ka përmendur se në dhjetor të vitit 1943 ai u thirr në rezidencën e Hitlerit për një takim të fundit ku: “Kuvendimi ynë zgjati pothuajse tri orë. Hitleri pati mendimin: ‘Ne nuk duhet të lejojmë kurrë që në Ballkan të fuqizohet së tepërmi një popull me një ndjenjë të misionit politik.Serbët janë një popull i tillë. Ata kanë treguar një forcë të madhe shtet-formuese dhe kanë objektiva shumë të largëta, që shtrihen deri në Egje. Kam rezerva serioze për ta inkurajuar ende, sidomos këtë popull, në synimet e veta’” (f.246). Kështu Hitleri, që njihet vetëm si personifikim i së keqes në veprim e në mendim, shqetësohej nga e keqja që shihte në ambiciet e popullit serb. Madje, bën të tilla arsyetime tejet racionale dhe flet për serbët me një gjuhë që ndryshon shumë nga ajo që kishte përdorur Marksi, gati një shekull para tij, për shqiptarët që duheshin trajtuar si robër dhe për sllavët që duhej të merrnin në zotërim Turqinë europiane.

Si t’i vështrojmë metamorfozat e projekteve të dështuara e të përsëritura ballkanike

Sot nuk mund të shpërfillim si gjëra krejt pa vlerë qëndrime e mendime të tilla të dy “gjenive të së keqes”, që kanë pasur lidhje edhe me politikën e mendësitë gjermane në tërësi. Marksi ka folur në kohën kur po bëhej bashkimi i dhunshëm i tokave gjermane nga Prusia, në kohën kur serbët kishin shpallur ambiciet e tyre shoviniste në Ballkan, kur shqiptarët sapo e nxirrnin çështjen e tyre kombëtare në teatrin e politikës së madhe europiane (Lidhja e Prizrenit), kur po paralajmëroheshin në Europë ngjarje të vrullshme e të rënda.

Hitleri ka folur në kohën kur ziente kazani i Luftës së Dytë Botërore, kur Gjermania dukej që e kishte marrë rrugën drejt shpartallimit, kur do të përmbyseshin shumë ekuilibra në Europë e në botë. Nojbaheri refuzimin e Hitlerit për të mbështetur planin e tij për Serbinë e shpjegon me frikën e Hitlerit nga mundësia e zbarkimit të shpejtë të aleatëve kundërshtarë në Europë.Pra, “Planin Nojbaher”e varrosi përfundimisht fitorja aleate mbi Gjermaninë hitleriane. Po fati i nismave që janë tani në qarkullim për Ballkanin Perëndimor dhe që nuk janë fare të pangjashme me “nismën Nojbaher” si mund të vendoset?! A mund t’i groposë ato ndonjë krizë e rëndë brenda në Bashkimin Europian, apo duhen tronditje edhe më të mëdha botërore?! Është e kotë të kërkosh përgjigje të prerë për pyetje të tilla tani. Por,është me vend të mendosh se më të rrezikuarit prej këtyre nismave do të jenë shqiptarët, të cilët duhet të mos pajtohen me to, por të reagojnë me gjithçka munden sa nuk është bërë tepër vonë!

Fjalët e sipër-cituara të Marksit gazeta “RD” në vitin 1994 i shoqëronte dhe me një koment fare të shkurtër shfajësues nga Pëllumbi (njëri nga udhëheqësit e atëhershëm kryesorë të Partisë Socialiste të Shqipërisë) se: “Marksi i ka thënë këto para njëqind e ca vjetësh. Nuk më duket se ka shumë rëndësi”. Tani, një çerek shekulli pas kësaj apologjie të shkurtër, del qartë se këto fjalë marrin shumë rëndësi, sepse shërbejnë si “Diagramë” për të lexuar e paraqitur (ose për të kaluar ujin nën rrogoz) një politikë e diplomaci të tërë të koklavitur, ballkanike e jashtë ballkanike, mbi marrëdhëniet serbo-shqiptare me shumë ngarkesa negative historikisht dhe aktualisht, që si cak të pranueshëm më të avancuar mund të kenë vetëm një “Modus vivendi” shqiptaro-serb dhe asgjë më tepër se kaq. Në fjalët e Marksit gjejmë koordinatat kryesore të armiqësive serbo-sllave të pandryshueshme kundër shqiptarëve, të përçmimit të vrazhdët të shqiptarëve nga sllavët.Ka dhe sot mendimtarë e politikanë europianë që frymëzohen nga skemat e ndërtuara për t’i dënuar shqiptarët të jenë përjetësisht vetëm druprerës e ujëbartës të sllavëve në Ballkan. Nuk mund të gjesh gjëkund skemë kaq brutale të përçmimit të një populli.

Edi Rama u përpoq ca kohë ta shkëpuste çdo lidhje midis “Open Balkans” e “Nismës së Berlinit”, por në konferencën e shtypit në Tiranë, në prani të kancelares Merkel, u detyrua të thoshte se “Open Balkans” është ”pjellë e Nismës së Berlinit”. Kurse kancelarja heshti për këtë. Lojërat terminologjike që bëjnë pushtetarët e Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut nën ombrellën e “Nismës së Berlinit” janë pa kuptim, fyese dhe shqetësuese, si dhe nuk fshehin dot se janë luajtur lojëra të tjera në prapaskenat e diplomacive euro-perëndimore dhe ruse, që kancelarja Merkel mund të dojë të çohen deri në fund ose t’i groposë, tani që po e lëshon timonin e politikës e diplomacisë së BE-së. Ndërsa Vuçiqi, Rama e Zaevi kanë interes t’u presin rrugën përgojimeve e dyshimeve se diku janë ngatërruar në tradhtira, jo vetëm “parimore”, por dhe faktike, dhe vihen në siklet që nuk do të kenë më tutje përkujdesjen e “Mama Merkelit” për t’ua mbuluar “gabimet” ose lehtësuar “mëkatet”, ku kanë rënë për të ndihmuar skemat e suksesit të gazsjellësve rusë drejt Gjermanisë nga Deti Balltik, drejt Serbisë e Hungarisë nga Ballkani dhe të pranimit të hegjemonisë rajonale të Serbisë.

“Paradoksi diplomatik i Nojbaherit” dhe “bota serbe” e Vuçiqit

Për të qenë i sinqertë unë nuk jam aq i çuditur apo i dëshpëruar për këtë rrjedhë të ngjarjeve, sepse qysh në krye të herës nuk kam qenë entuziast për rëndësinë dhe ecurinë e procesit të tejreklamuar të integrimit të Shqipërisë në BE, sidomos pas “Nismës së Berlinit”, kur çështja u trajtua në mënyrë përjashtimore vetëm për 6 shtetet më të telendisur e më të shpërfillur të Ballkanit. Megjithatë, një kthim të tillë krahësh nga Gjermania për t’i vënë shqiptarët nën udhëheqjen e Serbisë para se të hyjnë në BE nuk e marr për mirë në kohën e sotme, as si “aksident historik në Ballkan” (sipas një vlerësimi të Xhon Bolton). Ka vite që na ngjallin dyshime hapat e diplomacive perëndimore dhe një propagandë e vazhdueshme për të toleruar e përkëdhelur arrogancën e Serbisë ndaj Kosovës, për hir të “tërheqjes së Serbisë në anën e demokracisë” e të nxjerrjes së saj jashtë ndikimit të madh të Rusisë në Ballkan. Por, të pezmaton paradoksi diplomatik që krijohet pasi lexon fjalët e Nojbaherit, kur mbronte projektin e tij të Serbisë së Madhe: “Serbët ishin bërë preja e të gjithëve. Në vetvete ky s’ishte një argument politik, por tek një Serbi e trajtuar në mënyrë të arsyeshme shikoja një nga pozicionet më të forta kundër bolshevizmit në Ballkan” (f. 195). Nojbaheri e shihte Serbinë e Madhe si ledh pengues të bolshevizmit në Ballkan. Sot diplomacitë perëndimore me ikjet e tyre nga realiteti nxisin shpresat e kota se “Serbia e Madhe” mund të bëhet frenuese e mësymjeve të Rusisë. As mendimi i Nojbaherit nuk doli i saktë, e po ashtu as shpresat e diplomacive perëndimore sot për një Serbi jo pro ruse nuk do të përmbushen. Çfarë mund të thoshte tani i ndjeri senator amerikan, Xhesi Helms, që në Kongres shprehej në korrik 1983 se vetëm shqiptarët, të bashkuar në një shtet kombëtar antikomunist mund të bëhen pengues të bolshevizmit sovjetik në Ballkan?!

Zakonisht kam shkruar me shpresë për politikën e Gjermanisë ndaj shqiptarëve, por duke bërë dhe kritikat e rastit për një sërë qëndrimesh të diplomacisë gjermane, kur i është kundërvënë të drejtës së Kosovës për pavarësi dhe aspiratave shqiptare për bashkim kombëtar. Këto qëndrime më janë dukur si “tradhti e mirëfilltë” ndaj vetë parimeve mbi të cilat kombi gjerman u mbështet e veproi për të përmbushur qëllimin e të drejtën e tij për bashkimin e vendit, të copëtuar në mbarim të Luftës së Dytë Botërore.

Pra, e parë nga këndvështrimi i interesave shqiptare “Nisma e Berlinit” nuk mund të përligjet. Prandaj pas këtyre përvojave shqiptarët kanë nevojë të ripunojnë strategjitë e taktikat e tyre politike dhe diplomatike. Bashkohem me ata që thonë se parësore tani për shqiptarët është të forcohen dy shtetet shqiptarë. Por kjo përparësi merr kuptim të vërtetë vetëm nëse e perceptojmë në kuadrin e realizimit të përmbushjes së aspiratës së bashkimit kombëtar shqiptar, pavarësisht se zëdhënësja e diplomacisë ruse, Maria Zaharova, na kërcënon edhe një herë se është e ndaluar.

#Shenja.Tv

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re