Për të 12-tin vit me radhë, në të 13-tin e tragjedisë së Gërdecit, familjarët e 26 viktimave të shpërthimit në fabrikën e municioneve kanë kryer homazhe për të afërmit e tyre, pranë memorialit që është vendosur në hyrjen e dikurshme të uzinës.

Zamira Durda, e cila ka humbur 3 të afërm të saj në Marsin e 2008-tës thotë se për Gërdecin askush nuk ka mbajtur përgjegjësi, edhe pse vdiqën persona të pafajshëm, mes tyre fëmijë të mitur. Durda shprehet se i kanë humbur shpresat te drejtësia, dhe se çështja u katandis pasi ministri i kohës mbrohej nga imuniteti i deputetit.

Ajo përmend dhe emrin e një dëshmitari, që kishte dijeni për aferën e korrupsionit, të cilit i është dhënë azil politik nga SHBA, duke lënë të kuptohet se tashmë shanset që kjo dosje të zbardhet janë të pakta.

“Nuk ka drejtësi, nuk është bërë as hapi më i vogël pëer drejtësi, ata që e bënë, ata që e hetuan, ata që e gjykuan. Çfarë të kërkoj, me kë të flas me murin, e kam çuar dhe në SPAK, e kam çuar dosjen dhe në Strasburg, nuk u hetua asnjëherë për korrupsion nga drejtësia jonë. Më thuaj kujt ti drejtohem, ambasada amerikane ka marrë Luan Hoxhën dhe i ka dhënë azil politik, të na jepet të paktën një version edhe neve.

Si mund të sillej armatimi jonë këtu, një bandë kriminale janë dhe këta që e përdorën politikisht. Prokuroria e Përgjithshme, që te Gjykata e Lartë dhe të gjitha shkallët e tjera, Gërdeci përfundoi si një thelë kaposhi, një ministër që nuk u hetua kurrë pasi mbrohej nga imuniteti”, u shpreh Durda për gazetarin e Fax Neës Fatjon Gjinaj.

“Kam humbur bashkëshortin tim Arben Hasa, askush nuk vjen që të paktën të na thojë një fjalë të mirë, se drejtësi nuk ka e jo. Unë nuk di se ku dhe çfarë të kërkoj, janë njerëz ata që ikën, drejtësia duhet të vihet në vend”, thotë një tjetër familjare e një prej viktimave.

Si pasojë e shpërthimit në Gërdec humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë, ndërkohë që përpara drejtësisë nuk është vendosur pothuajse asnjë prej përgjegjësve, dhe janë mbyllur hetimet në të gjitha shkallët e sistemit të drejtësisë.

Familjarët kanë dorëzuar padi dhe në Strasburg, por çështja nuk është marrë ende nën shqyrtim.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re