6 qershor Turi i falenderimeve i Partisë Socialiste u ndal këtë të martë në qarkun e Beratit, ku Partia Socialiste arriti të dalë fituese në të pesta bashkitë, si në garën për kryetar bashkie, ashtu edhe në garën për këshillat bashkiakë.

Në podiumin e ngritur në qendër të Beratit, me radhë u ngjitën kandidatët fitues.

Adriatik Mema, i cili fitoi mandatin me 55.86 % të votave përballë rivalit të tij të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Euglen Mustafallari që arriti 44.16 % të votave, u shpreh se Skrapari s’mund të jetë peng i atyre që kanë humbur vulën apo rrugën.

“Jam së pari, falenderues për qytetarët e mi, që më besuan mua të jem kryetari i bashkisë së tyre për katër vitet e ardhshme. Më bën përgjegjës për ta çuar përpara transformimin që kemi nisur në Skrapar. Do ta bëj këtë me shumë vendosmëri! Fitorja në Skrapar e Partisë Socialiste ka një domethënie tjetër. Skrapari s’mund të ishte peng i një partie që ka humbur vulën, apo një partie që ka humbur rrugën. Prandaj ju jam mirënjohës të gjithëve!” – tha Mema.

Ai shtoi se vëmendje të shtuar do të ketë edhe për ata që nuk i besuan votën.

“Duhet të lexojmë shumë mirë votën e atyre që s’na kanë votuar, duhet të bëjmë riparimet e duhura për të fituar besimin edhe të atyre që s’na votuan. Skraparllinjtë e treguan me vendimin e tyre, duket se shlyen një pjesë të borxhit të vitit 2019 dhe pjesën tjetër pritet ta shlyejmë në 2025”, u shpreh Mema.

Adriatik Zotkaj, kryetari i bashkisë Poliçan, i cili u rikonfirmuar me 79 % të votave, veçoi punët e mira të bëra, duke nisur nga furnzimi me ujë 24 orë, apo kthimin malit të Tomorit në një atraksion turistik.

“Përshëndetje komandant! Nga ky format i them faleminderit të gjithë Poliçanit tim të dashur. Unë jam krenar që mora 79 %. Jam krenar për të gjitha investimet që ju, Partia Socialiste ka bërë për Poliçanin tonë. Shumë, shumë faleminderit sa herë që ngjitemi në majën e Tomorit, sa herë që hapim çezmat tona, pasi më herët kemi pasur 2 orë ujë, sot kemi 24 orë ujë. Kam ndjesinë se me PS me Edi Ramën, do bëjmë punë shumë të mira për të gjithë”, tha Zotkaj.

Edhe Juliana Memaj, e bashkisë Dimal, u besua për një mandat të dytë. Sipas saj, ky është tregues i punëve të mira të bëra. Ajo garantoi se Partia Socialiste do të vijojë në këtë rrugë dhe në fokus do të jetë zhvillimi i ekonomisë së qëndrueshme.

“Mirënjohje pafund për besimin për të vijuar projektet në Dimal. Në rrugëtimin tonë të përbashkët do jap më të mirën time. Do u shërbejmë të gjithëve pa dallim politikë. Faleminderit nga zemra kryeministrit të Shqipërisë! Faleminderit drejtuesit politik të qarkut! Do të bëjmë më të mirë për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, mbrojtjen sociale dhe përmes implementimin e instrumenteve që përmirësojnë ekonominë e gjithësecilit. Me Partinë Socialiste e gjithë Shqipëria do të shkojë përpara”, tha Memaj.

Kreshnik Hajdaraj, kryetari i bashkisë Kuçovë, kishte një falënderim të veçantë për të gjitha strukturat e Partisë Socialiste, ndërsa garantoi se mbështetjen do ta shpërblejë me punë edhe më të mira për qytetin.

“Natyrisht që për të falënderuar janë të gjithë patronazhistët, aktivistët, që bënë një betejë shumë të madhe në terren dhe në rrjetet sociale. Po ashtu dhe komisionerëve që bënë një punë shumë të mirë të ditën e zgjedhjeve dhe gjatë numërimit. Ne fituam në Kuçovë. Do doja kishte qenë më e madhe fitorja, por unë nuk dekurajohem, por do punojmë për të shpërblyer qytetarët që na besuan, dhe do punojmë për të fituar besimin edhe të tyre që nuk na besuan”, tha Hajdaraj.

/r.e/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re