Sot nisi viti i ri shkollor, por duket se pavarësisht shkollave të reja që janë hapur, mësimi me turne do të jetë sërish prezent.

 

Anuela Ristani, nënkryetare e Bashkisë së Tiranës në një intervistë për edicionin e lajmeve në Vizion Plus me Aleksandër Furxhi deklaroi se pavarësisht shkollave të reja, fluksi i lartë i banorëve e ka bërë të papërballueshëm mësimin me vetëm një turn.

 

Ristani iu përgjigj edhe akuzave të opozitës, për mungesën e shkollave në zonën e Astirit. Ajo tha se është dashur kohë me procese gjyqësore që të krijohen hapësira për ndërtimin e shkollave dhe kopshteve të reja.

 

Intervista e plotë:

 

Në çfarë bilanci vjen Bashkia e Tiranës në këtë ditë të parë të shkollës. Sa nxënës ka sistemi parauniversitar?

 

Bëhet fjalë për qindra mijëra nxënës të sistemit parauniversitar dhe bëhet fjalë për qindra shkolla në Tiranë, jo vetëm për qytetin, pra në zonën e metropolit, por edhe në fshatra. Mua më është dukur një ditë e bukur sot dhe gjithmonë dita e parë e shkollës është një ditë plot energji pozitive, plot dëshira, plot ëndrra të fëmijëve, por mendoj se çdo vit dita e parë e shkollës ka qenë duke mësuar edhe nga gjërat që kemi përmirësuar. Jo vetëm në infrastrukturë që është detyrë e Bashkisë së Tiranës për të hapur shkolla të reja atje ku nuk ka patur asnjë shkollë tjetër, për të krijuar zgjerim në shkollat që rikonstruktohen gjithmonë, për të shtuar kapacitetin dhe hapësirën për fëmijët dhe didaktikën. Kryetari e përmendi, çdo shkollë e jona e re ka kushte më të mira për nxënësit ka dhe kushte tematike për laboratorë të lëndëve të veçanta, për hap[ësira sportive që janë të përshtatshme edhe jashtë orarit të shkollave.

 

 

Në Tiranë konstatohet se ka ende shkolla ku do të zhvillohet mësimi me turne apo jo…

 

 

Po, por duhet të shohim pak numrat. Ne kemi ndërtuar 40 shkolla të reja në këtë periudhë dhe vetëm këtë vit i shtohen Tiranës 9 shkolla të reja që janë ose rikonstruksione të thella pra me shtim kapacitetit ose shkolla të reja si ajo e Lek Gjiknurit që u hap sit. Patjetër që ka kritika dhe ka zona në Tiranë që duhet të kishin infrastrukturë arsimore, por për hir të së vërtetës, ato zona në Tiranë janë ndërtuar dhe rritur me një fluks që ka qenë i pakontrolluar jo vetëm për infrastrukturën arsimore por për çdo infrastrukturë të punëve publike të cilat u janë dashur ti bëjnë mbi atë që është zhvillimi spontan i qytetit.

 

Opozita intensifikoj sot sulmet për zonën e Astirit, e cila ka rreth 70 mijë banorë, ku atje nuk ka ende asnjë shkollë.

 

Ka qenë një ndër debatet tona gjatë periudhës së zgjedhjeve  dhe përgjigjia i është dhënë disa herë. Ajo ka qenë një zonë e ish komunës së menaxhuar nga opozita që atëherë ka qenë pozita, dhe me leje të dhëna pa kriter dhe me një zhvillim të paplanifikuar për shkollë. Na janë dashur disa beteja ligjore për të hapur terren për shkollë dhe terreni për shkollë është përcaktuar në propocion me nevojat që ka zona për kopshte dhe shkolla dhe ndërtimi fillon pasi të jenë kryer të gjitha procedurat. Ky është një debat i ezauruar dhe nuk mund të akuzohet Bashkia e Tiranës se nuk ka menduar për zona të caktuara që ka nevojë për infrastrukturë arsimore. Ne i kemi bërë me standarde europiane duke llogaritur numrin e nxënësve nëpër klasa dhe standardin që ato duhet të kenë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re