Janë duke u kryer në ambientet e Pallatit të Kongreseve homazhet në nderim të nëkomisarit të Policisë së Shtetit Saimir Hoxha, i cili mbeti i vrarë dje në krye të detyrës, ku ka mbërritur pak minuta më parë edhe presidenti Meta.

Presidenti është ndalur te babai i të ndjerit, i cili edhe pse në moshë të thyer qëndron në krye të familjes, që humbi djalin, babain dhe bashkëshortin, në krye të detyrës.

Mësohet se babai i nënkomisarit Hoxha ka qenë në gjendje të rënduar, edhe për shkak të moshës së thyer, teksa është shprehur: Nuk kam më motiv për të jetuar, s’ka më fjalë të më ngushëllojë.

Pas homazheve Meta u shpreh: Është një moment i dhimbshëm që ti japim lamtumirën e fundit një nënkomisari të shkëlqyer, që nuk e meritonte të ndahej nga familja. Sigurisht që është një moment reflektimi, për luftën kundër krimit të organizuar, është një prioritet lufta çdo sekondë kundër trafikut të drogës, atyre që përfitojnë prej saj, dhe për të shpëtuar sa më shumë të rinj dhe fëmijë që për fat të keq bjenë pre e këtij fenomeni shkatërrimtar. Kjo është një luftë që duhet bërë çdo sekondë, dhe nuk duhet të kujtohemi vetëm në momente të tilla tragjike.

Para se të kryente homazhe, Presidenti Ilir Meta akordoi “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” për nënkomisarin, Saimir Hoxha i cili u vra ditën e djeshme në krye të detyrës nga 21 vjeçari Aldi Rama.

Nënkomisari është shpallur edhe Dëshmor i Atdheut. Ndërsa aktualisht po mbahen homazhet për Saimir Hoxhën ku kanë marrë pjesë drejtues të lartë të policisë, përfshirë edhe figura të larta politike, ndër to edhe presidenti Ilir Meta.

“Për kontributin e dhënë në shërbim të Policisë së Shtetit, si dhe në vlerësim të trimërisë së treguar gjatë kryerjes së detyrës, duke mos kursyer as jetën e tij në luftën kundër krimit të organizuar për të garantuar rendin dhe sigurinë publike”

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re