Presidenti i Republikës, Ilir Meta po zhvillon një vizitë zyrtare në vendet e banuara nga bashkëatdhetarët tanë në Mal të Zi, në Plavë e Guci. Gjatë vizitës së tij Meta mori pjesë dhe përshëndeti tubimin tradicional popullor “Mirë se vini në Alpet Shqiptare 2018”, që u zhvillua në Vuthaj të Plavës e Gucisë, në Mal të Zi.

 

Presidenti Meta u nderua nga drejtuesit dhe organizatorët e Festivalit Folklorik Kombëtar si dhe nga Shoqata “Krenaria e Alpeve shqiptare” me titullin e veçantë vlerësues e simbolik “Mirënjohje” për “Demokratizimin dhe tntegrimin e shqiptarëve në rajon”, që iu dorëzua kreut të shtetit shqiptar nga kryetari i Këshillit Organizator, Tahir Gjonbalaj.

 

I emocionuar nga ky titull mirënjohje, kreu i shtetit nënvizoi se krenaria e alpeve shqiptare është Plava dhe Gucia. Në fjalën e tij në festën e këtij viti, Meta duke iu drejtuar të pranishmëve, theksoi  se Plava dhe Gucia është një parajsë e vërtetë, e prekshme, njerëzore dhe natyrore.

 

“Plava dhe Gucia është një parajsë e vërtetë, e prekshme, njerëzore dhe natyrore. Është një parajsë, e cila mund t’i sigurojë një të ardhme shumë më të mirë këtij komuniteti jashtëzakonisht patriotik, i cili edhe në kushte të vështira ka ditur të mbijetojë, qëndrojë dhe të ruajë traditat më të mira kombëtare dhe njerëzore të kësaj treve. Vizitova kullën 200-vjeçare të Çelajve dhe vërtetë jam shumë i kënaqur për këtë eksperiencë që përjetova atje sepse mu duk sikur vërtetë  vizitova dhe u ktheva në historinë e gjithë kësaj treve të lavdishme, aq të pasur me vende historike dhe me kaq shumë monumente natyrore.

Plava dhe Gucia ka një peizazh kaq të mrekullueshëm saqë vërtetë unë besoj që në pak vite një ndryshim edhe më i madh ekonomik e social do të vijë këtu për të gjithë komunitetin. Jam i lumtur që më në fund edhe rruga nga Tirana në Plavë e Guci është më pak se tre orë. Këtë duhet t’ua themi të gjithëve në Shqipëri pasi me të drejtë shumë shqiptarë nga Shqipëria, të cilët i duan malet, turizmin malor shkojnë prej vitesh në Kolashin, Zhablak, Mavrovë. Absolutisht unë jam i sigurtë se kur ata të vijnë në Plavë e Guci do ta kenë të vështirë që të shkojnë në një vend tjetër.”

 

Në fjalën e mbajtur në Vuthaj të Plavës e Gucisë, Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu mirënjohjen për diasporën tonë, sidomos për bashkatdhetarët e Plavës dhe Gucisë, të gjithë shqiptarëve të Malit të Zi, në SHBA dhe Europë për atë dashuri të pakufijshme që ata kanë për këtë trevë, të parët e tyre, për ato investime të mëdha që ata kanë bërë, por edhe për të gjithë kontributin që ata kanë dhënë për çështjen shqiptare historikisht në të gjithë kohët dhe momentet më të vështira.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re