Presidenti Meta ishte në Tepelenë, në një aktivitet përkujtues e nderues për katër fate njerëzore të ish-kampit famëkeq në këtë qytet, ku u u shkrua një pjesë tragjike e sistemit komunist.

Kreu i shtetit nderoi katër ish-të dënuar në këtë kamp, tre gra e një burrë me titullin “Për Merita të Veçanta Civile”: Drane Jakën, pas vdekjes, Mrikë Gjikolën, Gjelë Gjikolën si dhe Lekë Pervizin.

Presidenti, në një atmosferë gati të përmotshme, veçoi dramën e tyre, sidomos tre grave, të cilat i detyruan të varrosin vetë fëmijët e tyre. Ndërsa Drane Jaka, edhe më rëndë akoma, e zhvarrosi dhe e mbajti në krah pjellën e pajetë, për ta çuar atje prej nga vinte.

 Nuk ka dhimbje më të madhe për një nënë sesa humbja e jetës së fëmijës së saj. Por tre gratë, që nderojmë sot, u ngritën mbi dhimbjen dhe me sakritificë dhe vetmohim, pa marrë parasysh pasojat e rënda që mund t’u vinin kryen akte heroizmi e vetmohimi. Dy prej tyre, znj. Gjelë Gjikola dhe znj. Mrikë Gjikola, varrosën vetë vajzat e tyre 3-vjeçare pranë kampit për t’i rigjetur, rizhvarrosur dhe për t’ju siguruar një vend prehjeje të identifikueshëm vetëm pas 55 vitesh.

Znj. Drane Jakja varrosi dhe më pas zhvarrosi djalin e saj 2-vjeçar, duke e mbajtur për shtatë javë trupin e tij pranë vetes, për ta rikthyer në vendlindje e për ta varrosur sipas zakoneve.

Ndërkohë që z. Lek Pervizi i ka bërë një shërbim të paçmueshëm historisë nëpërmjet dëshmive në formën e vizatimeve, të sjella deri në ditët e sotme. Duke përdorur thëngjill e laps, ai ka dokumentuar me saktësi figura, ndërtesa, situata, portrete dhe njerëz. Të dhënat që vijnë nga vizatimet e tij, të cilat i pamë në hyrje në kampit, shprehin gjendje, njerëz dhe situata të papërsëritshme me qartësinë dhe besnikërinë e një fotografie”, tha presidenti Meta.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re