Komiteti Shqiptar i Helsinkit njoftoi opinionin publik të mërkurën se Ministria e Brendshme ka vendosur përjashtimin e këtij grupi nga anëtarësia në Komisionin Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët, institucionin që vendos se cili nga refugjatët e huaj që kanë bërë kërkesë për mbrojtje në Shqipëri meriton apo jo t’i jepet azil.

Vendimi për përjashtimin vjen në një kohë kur Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit po përballen me akuza në rritje për dhunim të të drejtave të njeriut. Vetë komisioni i azilit është institucioni i akuzuar se lejoi ekstradimin e paligjshëm të shtetasit turk Harun Çelik në janar të vitit 2020 ndërsa Policia e Shtetit u kritikua në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut se ka mbajtur njerëz të ndaluar pas protestave të dhjetorit të kaluar përtej afateve ligjore të përcaktuara.

Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj kërkesës për koment të dërguar nga BIRN deri në kohën e publikimit të këtij lajmi. Policia e Shtetit nuk iu përgjigj kërkesës për koment dërguar veçmas në lidhje me kritikat e raportit të Departamentit të Shtetit.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit bëri të ditur në letrën e vet se heqja e përfaqësimit të saj në komision duket se është bërë gjashtë muaj më parë, por se Ministria e Brendshme nuk ka njoftuar për ndryshimin.

“Me shqetësim, referuar pikës 2 të këtij vendimi, vërejmë se KShH nuk është më anëtar i Komisionit, i cili tashmë përbëhet vetëm nga përfaqësues të katër Ministrive si pjesë e Këshillit të Ministrave, dhe një përfaqësues nga Shërbimi Informativ i Shtetit,” thuhet në letrën publike të KShH-së.

“…shprehim me anë të kësaj letre të hapur, keqardhjen tonë lidhur me këtë ndryshim, i cili përbën një regres në drejtim të standarteve të mëparshme të transparencës, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, për përfaqësimin e sektorit të shoqërisë civile në përbërjen e këtij Komisioni,” shkruhet më tej në letër.

Komisioni i azilit në Ministrinë e Brendshme shqyrton rastet e shtetasve të huaj, të cilët kërkojnë mbrojtje në Shqipëri për shkak se mund të jenë viktima të persekutimit në vendin e tyre për arsye të bindjeve politike, besimit fetar, përkatësisë etnike e të tjera. Nuk ka shumë njerëz të kësaj natyre që kërkojnë mbrojtje në Shqipëri por dy raste të shqyrtuara me bujë gjatë viteve të fundit kanë të bëjnë që të dyja me shtetas turk të cilët kërkojnë mbrojtje nga qeveria e Erdogan, nën frikën se do të persekutohen politikisht, të dyshuar për lidhje me grupin Gulenist.

Komiteti i Helsinkit ishte përcaktuar si përfaqësues i shoqërisë civile në këtë komision, i cili përbëhet nga përfaqësues të ministrive, të cilët, sugjerohet se duhet të jenë nëpunës të administratës publike civile dhe jo përfaqësues politikë, por që në fakt nuk janë të tillë.

Komiteti i Helsinkit në letrën e saj u ankua veçanërisht “për sjelljen e papërshtatshme nga pikëpamja etike dhe procedurale,” të Plarent Ndrecës, në atë kohë sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, i cili ka qenë kryetar i komisionit të azilit dhe personi përgjegjës në rastin e kërkesës për azil të shtetasit Selami Simsek, një turk tjetër i dyshuar si gulenist. Në mars të këtij viti, Gjykata Administrative deklaroi se Komisioni i Azilit “ka shkelur ligjin” në rastin e Simsek duke i refuzuar atij azilin. BIRN

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re