Abdi Baleta

Në fjalimin e rëndësishëm që e mbajti para Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ndër të tjera, ka thënë: “Këshilloj çdo vend të pranishëm (këtu) që të bëjë njësoj si ne! Nëse doni lirinë, bëhuni krenarë për vendin Tuaj! Nëse doni demokraci, merreni në dorë sovranitetin Tuaj! Nëse doni paqen, duajeni kombin Tuaj! Udhëheqësit e mençur gjithmonë e vendosin të parën, të mirën për njerëzit e tyre dhe për vendin e tyre! E ardhmja nuk u përket globalistëve, e ardhmja u përket patriotëve! E ardhmja u përket vendeve sovrane dhe të pavarura, që i mbrojnë qytetarët e tyre, që i respektojnë fqinjët dhe që i nderojnë diferencat që e bëjnë çdo vend special dhe unik”.

Shkruan: Abdi Baleta

Sa shumë mendime të arta janë shprehur në këto fjali të thjeshta mbi atë se si duhet të veprojnë shtetet, drejtuesit shtetërorë e kombëtarë në trajtimin e jetës së brendshme të çdo vendi dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare! Sa bukur janë harmonizuar patriotizmi e nacionalizmi në këto postulate politiko-diplomatike, që pa dyshim përbëjnë tani e tutje dhe “Doktrinën Trump”!

*          *          *

U lumturova dhe u entuziazmova jashtë mase si shqiptar, si politolog dhe publicist politik e diplomatik, me vokacion nacionalist prej disa dekadash, kur këto fjalë i gjeta të shkruara në një cep të një faqeje të brendshme të gazetës “Telegraf”, të datës 25 shtator 2019. Ndërkohë, për vlerat e mëdha që bartin, për mesazhet që përçojnë në mbarë botën, ato fjalë duhej të zinin vendin e titujve të mëdhenj e kryesorë në faqete para të të gjitha gazetave dhe të bëheshin parullat e ditës për shumë kohë në ekranet televizive. Është pezmatuese që në propagandën shqiptare këto fjalë kanë ngjallur frikë dhe, faktikisht, janë bojkotuar. Tani mbetet për të parë se sa të mirëpritura ato do të jenë ato në mendimin politik dhe në sjelljet politike të politikanëve, zyrtarëve dhe të njerëzve të rëndomtë në Shqipëri.

Por, tashmë mund të themi se këshillat e vyera të Presidentit Trump për shqiptarët marrin kuptim e rëndësi të veçantë, sepse Shqipëria e shqiptarët janë shteti e populli që më së shumti kanë nevojë të frymëzohen pikërisht nga idetë e shpalosura nga udhëheqësi i shtetit më me autoritet e përgjegjësi në botë dhe para forumit më të naltë botëror, se si duhet kuptuar sot patriotizmi e nacionalizmi. Ata që në mendimin politik shqiptar kanë debatuar nga këndvështrimi nacionalist për 30 vjet me radhë me antinacionalistë, me ithtarë të braktisjes kombëtare, për hir të globalizmit, kanë të drejtë të ndjehen mirë dhe të mbështetur nga fjalimi i Presidentit Trump.

*          *          *

Postulatet e shpallura nga Presidenti Trump në sallën e OKB-së kanë dobi të veçantë për mendimin politik dhe politikën shqiptare, për t’i çliruar këto nga shumë stereotipa e klishe të gabuara, të krijuara nën ndikimin e shumë faktorëve shqiptarë e të huaj, lidhur me vlerësimin e të shkuarës historike, të perceptimeve të zhvillimeve aktuale dhe të parashikimeve për zhvillimet e mëvonshme. Kanë rëndësi për të qartësuar shkaqet e mjerimeve që kanë përjetuar e përjetojnë shqiptarët dhe të vështirësive në marrëdhëniet me botën e jashtme.

Historia e shqiptarëve të sotëm, sidomos ajo e paraardhësve të tyre në lashtësi, është ndriçuar dobët dhe është projektuar më shumë sipas shkollash historiografike fqinje armiqësore ndaj shqiptarëve. Materialet studimore që lidhen metë kaluarën e shqiptarëve janë shpesh të bazuara në propagandën e periudhave të ndryshme politike, që mjaftonte për ta zvogëluar një realitet ose për të ekzagjeruar një tjetër. Studiuesit shqiptarë e kishin përzënë nacionalizmin dhe fenë nga studimet e veta, ndërsa studiuesit joshqiptarë nuk shikonin asnjë dallim lidhur me idetë, besimet, ndjenjat e përfytyrimet, veç nacionalizmit. Sllavët tentonin që të gjitha viset shqiptare t’i paraqitnin si vise sllave, me origjinë sllave e me histori sllave. Pra, që nga rilindësit e deri tek “irredentizmi”, të gjithë ishin “nacionalizëm shqiptar”, ndërkohë që konfliktet ndërmjet shqiptarëve nuk zhvilloheshin me lidhje përfytyrimesh, idesh, besimesh e ndjenjash politike, por ishin vetëm ndeshje “klanesh”, “fisesh”, “karrieristësh”, “ambiciozësh”, ”egoistësh” e, madje, “injorantësh”.

Në paragrafin e parë hyrës të librit të tij monografik e të punuar bukur “Kraja” (Ulqin 2018), autori Hajredin S. Muja ka arritur të paraqesë një sintezë shumë domethënëse të historisë shqiptare në disa aspekte, që ua lehtëson punën studiuesve që u duhet të ndërmarrin një veprim të tillë në kuadrin e trajtimit të temave, si ajo që kishte rekomanduar redaksia e revistës “Shenja” për këtë numër të muajit tetor. Mjafton kjo paraqitje panoramike, me shumë kolorit historiografik e politologjik, për të krijuar një sfond më të qartë se përse fjalët e Presidentit të SHBA-ve në OKB për shqiptarët marrin kuptim të veçantë. Edhe më të prekshme për ne shqiptarët duhet të bëhen fjalët e Presidentit Trump nëse ato i lexojmë duke marrë në dorë librin e shkruar në vitin 1915 nga diplomati amerikan Xorxh Fred Uillimas, me titull “Shqiptarët”, ku ai nxjerr në pah virtytet e mundimet e këtij populli dhe sqaron fort Europën për mjerimet që ua ka sjellë shqiptarëve, kur këto ishin të detyruar të ndaheshin nga Perandoria Osmane. Duken sikur janë shkruar më shumë për sot sesa për atëherë nga Uilliamsi fjalët: “Në qoftë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin dorën parisë së shqiptarëve, duke i mbledhur së bashku për të zgjedhur nëpunësat e vendit e për të vënë përpara një statut, ata do të bëjnë atë që Europa nuk mundi ta bëjë…. Gjashtë Fuqitë Europiane e krijuan shtetin e lirë të Shqipërisë, por duke mos qenë të zotët me themeluar një qeveri, elanë këtë vend në dorë të fatit”. Kështu ka mbetur në dorë të fatit edhe tani shteti i Shqipërisë Londineze, pas 100 vitesh, dhe Republika e Kosovës, pas 12 vitesh, sepse ndihmat që janë pretenduar se janë marrë për shtetndërtim e demokraci nuk kanë pasur përfundime të mira dhe tani duhet përsëri SHBA-të të mendojnë më seriozisht, që ta marrin në dorë ndërtimin e qeverisjes në këto dy shtete dhe në krijimin e aparatit të jurisprudencës. Në njëfarë mënyre, këtë po ua thotë dhe presidenti amerikan shqiptarëve, se po e morën në dorë sovranitetin, nuk mund të bëjnë e të kenë demokraci, se pa pasur në krye udhëheqës që të mendojnë së pari për popullin e kombin e tyre, jo për globalizimin e integrimet e gjithfarësh, nuk mund të kryejnë detyrat e veta. Fjalimi i Trump-it është edhe për shqiptarët thirrje konkrete se si duhet të vështrojnë punët e tyre, si të vendosin raporte të drejta me fqinjët e me botën, larg prirjeve për t’u nënshtruar.

*          *          *

Edhe herë të tjera jemi ndalur në trajtimin e këtyre problemeve, edhe pse ende një lider botëror nuk i kishte trajtuar në rrafshin teorik, siç bëri Presidenti Trump në OKB. Ka qenë gjithmonë shqetësim zbulimi i shkaqeve të vështirësive që kalojnë shqiptarët pas rrëzimit të diktaturës komuniste. Më 14 qershor 1997, në kohën kur Shqipëria ishte zhytur në kaosin e rebelimit antishtetëror e antidemokrat revanshist komunist, në “Bota Sot” kam botuar shkrimin “Europa përsëri po dështon në Ballkan”. Atje theksohej se ka mbi 200 vjet, qysh nga luftërat napoleonike, që shtetet e fuqishme të Europës sajojnë rregullime sipas interesave e mendjeve të tyre, por kurrë nuk kanë mundur të krijojnë gjendje të qëndrueshme në Ballkan. Por, Europa nuk ka mundur të krijojë as stabilitet për vete për periudha të gjata kohore. Po t’i hedhësh një sy librit “Europe. The Struggle for supremacy” (Angli 2013) të historianit britanik Brendan Simms, që i analizon zhvillimet europiane nga 1453 deri më sot, ndesh vetëm anarki, luftëra të pandërprera, trazira në këtë pjesë të botës, aq sa të lind mendimi se paska qenë fat i mirë i shqiptarëve që gjatë atyre shekujve u ndodhën në gjirin e Perandorisë Osmane, ku kishte më tepër stabilitet, paqe e qetësi të brendshme. Mjafton t’u hedhësh një sy hartave të Europës në vitet 1500, në fillim të shekullit XVIII, më 1812, pastaj pas Kongresit të Vienës 1815, Europës së vitit 1914, asaj pas paqes së Versajës 1919, hartës së shkatërrimit të Europës Qendrore 1942 dhe hartës së ditëve të sotme, për të kuptuar se çfarë është bërë mes Europës së copëtuar e ricopëtuar disa herë, si dhe copëtimittë fundit pas rënies së komunizmit. Dhe, ende Europa as nuk e ka fizionominë e qëndrueshme që duhet të ketë. Dhe, plaga më e madhe është ajo që u është shkaktuar shqiptarëve.

*          *          *

Prandaj, çështja më e nxehtë në Europë e Ballkan ka mbetur çështja e pazgjidhur shqiptare, e cila mbart në vetvete një potencial shpërthyes, pavarësisht se shqiptarët duken krejt të pazotë e të pavendosur për të ndërmarrë veprim dhe, sot për sot, po duken plotësisht të demoralizuar e të dorëzuar dhe, për njëfarë kohe, do të tregojnë mungesë vullneti për ta bërë atë që e predikoi Presidenti Trump në OKB. Por, kjo nuk e zhduk as realitetin, as perceptimin se Ballkani mbetet pjesa më e gangrenizuar e Europës.

Më 1997 kam shkruar: “Bëhen pa pushim debate rreth problemit se cili është shkaku kryesor i kësaj gjendjeje: janë ballkanasit sherrxhinjë të pandreqshëm apo është Europa që i ngatërron ata. Për këtë enigmë në Shqipëri janë kristalizuar dy mendime. Njërin e ka pas formuluar Enver Hoxha, që thoshte: “Ballkanin e kthejnë në fuçi baruti Fuqitë e Mëdha jashtëballkanike dhe detyra e ballkanasve është t’i presin me shpatë fitilat e tyre”. Mendimin tjetër më qartë na e ka dhënë Ismail Kadare në një intervistë në gazetën italiane “Corriere della Sera”. Sipas tij, fajtorë për të këqijat e Ballkanit janë vetëm ballkanasit vetë dhe rrugëzgjidhja është që Europa të vendosë sundimin e saj të drejtpërdrejtë në Ballkan.

Europa u përpoq të bënte, në njëfarë mënyre, një gjë të tillë, por dështoi, madje në çastet e dështimeve më të rënda, si në Bosnjë, e kërkoi ndihmën e SHBA-ve. “Nisma e Berlinit” para disa vitesh për një “Ballkan perëndimor artificial si një Jugosllavi e tretë” u bë projekti kryesor për ta realizuar një sugjerim si ai i Kadaresë. Por, përsëri edhe ky hap duket i dështuar, aq sa përsëri u duhet SHBA-ve të ndërhyjnë dhe të caktojnë një guvernator amerikan për Ballkanin Perëndimor, zotëri Palmerin. Europa dhe Amerika dështuan në vitin 1997 në Shqipëri, aq sa u detyruan të dërgojnë këtu trupa ushtarake ndërkombëtare. Disa herë, sidomos gjatë vitit 2019, janë krijuar tensione të larta politike dhe janë ndërmarrë akte lufte civile, që t’i kujtojnë ato kohëra. Derisa tani Europa dhe SHBA-të kanë dështuar në ndërtimin e stabilitetit politik demokratik në Shqipëri e në Kosovë, këto dy shtete shqiptare, formalisht të pavarura, janë shtete pa sovranitet. Prandaj, tani për tani duken të pakta gjasat që në hapësirat shqiptare të veprohet në përputhje me kriteret që i parashtroi në OKB presidenti amerikan. Elitat politike e pushtetore shqiptare të tanishme janë të pazonjat e të pavullnetshme për të vepruar në përputhje me mendimet e presidentit amerikan. Por, mbetet për të parë se sa janë dhe politika e diplomacia amerikane të përgatitura e të vendosura për të stimuluar tek shqiptarët veprime që e vënë në jetë “doktrinën Trump”, sepse edhe për amerikanët kjo nuk duket kaq e lehtë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re