Ligjërisht, në Shqipëri nuk është i ndaluar konsumi i mishit të infektuar me brucelozë. Por, sipas mjekut Ilir Alimehmeti, kërkohet ndjekja e procedurave strikte të higjienës, edhe pse epidemiologu është skeptikë për zbatimin e procedurave sanitare.

“Në qoftë se mishi është i pakontrolluar, nqs bagëtia është e pakontrolluar, ky risk neve mund të na bjerë të gjithëve. Ne kemi mundësitë tona përmes gatimit të fortë, por kujdes!

Mund të na kontaminojë gjatë manipulimit të mishit, gjatë gatimit, në momentin që e prejmë. Për shembull, në të njëjtin vend që presim mishin dhe në qoftë se pastaj shkojmë të gatuajmë, presim dicka atje, si sallatë, ca gjëra që nuk gatuhen, risku është që bëjmë atë që quhet kryq kontaminimi.”, tha për “Vetting” Dr. Alimehmeti.

Megjithatë si mjekët veterinerë, edhe mjekët humanë bien dakord për pasojat e rënda në rast të infektimit të njeriut nga kjo sëmundje, nëse nuk respektohen kushtet sanitare.

“Ne e fillojmë gjithmonë mjekësinë nga problemi më i rëndë dhe prandaj ne e nisim nga humbja e jetës. Nqs 5% shkon në humbje jete, nëse nuk trajtohet, tani këtu problemi është shumë më i lartë. Mund të shkaktojë edhe probleme të sistemit riprodhues” deklaroi epidemiologu Alimehmeti.

Për “Vetting”, veterineri Baki Myrtollari, që ka konstatuar rastin e këtyre gjedhëve, deklaron se ka zbuluar shumë raste të bagëtive që vijnë pa certifikata ose të pamatrikulluara, duke rrezikuar shëndetin e njerëzve, por edhe duke sjellë pasoja tek çmimi i këtyre gjedhëve në tregun vendas.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re