Trupi i Eraldo Nevruzi, 31-vjeçarit i cili dyshohet se u vra në një nga dhomat e hotelit Greccia ku punonte në Dhërmi pak pas mesnatës së të mërkurës (6 Qershor), ende nuk është gjetur.

Raportohet se policia po kryen kontrolle në të gjithë zonën, por ende nuk kanë rënë në gjurmët e trupit të recepsionistit, i cili dyshohet se u qëllua për vdekje nga bashkëpronari i biznesit, Gerald Shehu.

Ky i fundit, sipas uniformave blu, “zhduku” trupin e pajetë të Eraldo Nevruzit i ndihmuar nga dy punonjësit e hotelit, 33-vjeçari Daniel Qose dhe 30-vjeçari David Larti.

Autori i dyshuar, i cili u arrestua në aeroportin e Korfuzit në tentativë për t’u arrastisur në Angli, ende nuk është marrë në pyetje pasi s’ka mbërritur akoma në Shqipëri.

Dyshohet se 31-vjeçari është qëlluar për vdekje nga Gerald Shehu dhe më pas trupi i tij është mbështjellë nga tre personat duke e nxjerrë jashtë ambienteve të hotelit, por mister mbetet se ku e kanë fshehur viktimën. Po hetohet nëse ka bashkëpunëtorë të tjerë në këtë ngjarje të rëndë.

LEXONI EDHE: Ndihmuan dhëndrin e pronares për të fshehur trupin e recepsionistit, kush janë 2 punonjësit e hotelit që u vendosën në pranga

“Nga veprimet hetimore të kryera për zbardhjen e plotë të ngjarjes, dyshohet se autori, shtetasi G. Sh., pasi e ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. N., është ndihmuar për të fshehur trupin, nga 2 punonjës të hotelit të tij, shtetasit D. Q., 33 vjeç dhe D. L., 30 vjeç, të dy banues në Korçë”, raporton policia.

Uniformat blu informojnë se nga kqyrja e banesës ku qëndronte Gerald Shehu, në një kasafortë në dhomën e gjumit, policia ka gjetur 1 fishek arme zjarri me kapsollë të goditur që u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminim.

Në fuksion të hetimeve të thelluara u fiksuan dhe u morën për ekzaminime të mëtejshme, sende dhe mjete të tjera të cilat dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.

Ndaj Gerald Shehut është ngritur akuza për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa për Daniel Qosen dhe David Lartin për veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim.

Pamjet nga dhoma e hotelit

Kanë dalë pamjet nga dhoma e hotelit në Dhërmi, ku dyshohet se është vrarë Eraldo Nevruzi nga dhëndri i pronares, Gerlad Shehu.

Në pamje shihet që ambienti i dhomës është tërësisht i rrëmujshëm, ku në sy bien rrobat e hedhura në tokë dhe çarçafët e grisura dhe pikat e gjakut.

Paola Spahiu, recepsioniste në hotel ka folur mbi ngjarjen e ndodhur në Dhërmi. Ajo tregon detaje se kur kishte nisur pune 31-vjecari dhe mbi kontaktet që autori dhe 31-vjeçari kishin me njeri tjetrin.

Për të dyshuarin e vrasjes së recepsionistit, Spahiu thotë që nuk e njeh shumë dhe se të dy nuk kanë pasur konflikte të mëparshme.

Dëshmia e recepsionistes

Kur ka filluar punë?

Nuk ka shumë kohë, ka disa ditë, diku te 5 ditë.

Si e njeh ti?

Ishte një tip i lëvizur, nuk është se më është dukur si djalë i rregullt.

Po Geraldin?

Nuk është se kam biseduar shumë me të, më shumë kam biseduar me pronaren se ai ka pasur pjesën e restorantit, nuk është se jemi ndeshur për të biseduar.

Kur e le turnin dje në darkë dhe kush të ndërrojë?

Në orën 22:30 më ndërroi ai, e kisha për ta ndërruar në orën 23:00 , por erdhi më herët.

Ju flini këtu, keni dëgjuar zhurmë pas 23:00. Ndonjë të shtënë?

Jo absolutisht, Isha në dhomë dhe nuk kam dëgjuar asgjë. Unë po rrija në celular.

Ju çfarë kishit parë, a flisnin njëri me tjetrin?

Kjo ishte ajo që na çudiste, sepse nuk kishte asnjë lloj kontakti nga të tjerët.

Kur e morët vesh ngjarjen?

Ngjarjen e morëm vesh nga ora 9:00, sot në mëngjes, kur erdhi mami më solli mëngjesin te dhoma. Me sa thonë këta, tek pjesa e parkimit, tek dhomat e stafit. Do vazhdojmë punë. Policia na mori në pyetje dhe kemi dhënë informacion me pyetjet që na bënë. Ai erdhi këtu dje kërkoi punë si një i panjohur, kërkoi punë si djalë i ri, që po kërkoj punë  dhe kaq. Nuk tha gjë, tha po kërkoj punë për barist, se ishte barist dhe i thanë këta që do pres sa të filloj bari jashtë dhe tha po ashtu deri atëherë hajde puno recepsion.

Po Geraldin e njihje më parë?

Unë personalisht? Jo jo, është e hera e parë që punoj këtu. Ndihem shumë mirë dhe nuk kam ndonjë ankesë në pjesën e sigurisë

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re