Të paketosh jetën tënde në valixhe është padyshim një vendim i vështirë. Iniciativë që shqiptarët e kanë ndërrmarrë masivisht pas rënies së diktaturës dhe hapjes së kufijve të Shqipërisë. Një fenomen i pandalshëm, por shqetësues, sidomos kur bëhet fjalë për profesionistë shëndetësor.

Edhe doktoreshë Arjana (Farruku) nuk i shpëtoi dot këtij dyzimi. Dhe si shumica, jo për shkak të mungesës së dëshirës por për shakak të kushteve dhe shikimeve të vëngra , kudo që trokiste.

E diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitin 2016, edhe pse punoi 3 vite si mjeke e përgjithshme dhe në pediatri në Shqipëri, ajo vendosi përfundimisht të largohej nga vendi amë.

Në një intervistë për “Gazeta Shëndeti”, ajo rrëfen eksperiencën e saj në Gjermani dhe vendos gishtin ku lëngon arsimi dhe sistemi ynë i shëndetësisë, sipas këndvështrimit të saj.

1- Pse vendose ta lësh përfundimisht Shqipërinë?

Përfundimisht është një fjalë e madhe dhe në fillim se kam menduar si përfundimtare me thënë të drejtën. U largova për të gjetur mundësi më të mira specializimi, por më saktë sepse nuk ndihesha aspak gati për tregun e punës pas një përgatitje shumë të mangët nga ana e fakultetit.

Kisha studiuar 6 vite, kisha sakrifikuar kënaqësitë e moshës duke studiuar vetë pa pasur asnjë mbështetje as ndonjë drejtim nga pedagogët tanë, që shumicën e rasteve dërgonin një specializant dhe si njihnim fare. Pra isha shumë realiste me faktin që jo për fajin tim isha një mjeke e  paplotësuar profesionalisht.

Specializimi do vazhdonte njësoj, me të njëjtët persona që s’na hidhinin as sytë në fakultet do ishin “mentorët” tanë dhe për 4 vite.

Pjesa tjetër ishte ekonomike; Do bëja specializim 4-5 vjet pa asnjë lloj pagese, duhet të rishpërngulesha në Tiranë me lekët e mamit e të babit dhe do shpresoja që të bëja ndonjë turn nate në spital privat e të merrja sa për të jetuar. Pra nga ana profesionale vendimi ishte jo i vështirë dhe mendova që në atë kohë ishte synimi im më i rëndësishëm.

Gjermania ndërkohë të joshte me mundësinë që pasi të kishe mësuar gjuhën të filloje direkt specializimin në spitalin që dëshiroje e degën që dëshiroje ( ndërkohë që në Shqipëri kuotat janë të kufizuara ose të dhëna paraprakisht pa konkurs). Mësimi i gjuhës nuk më trembte përkundrazi kisha nevojë për një sfidë ndryshe.

Pra pasi mësova gjuhën arrita të siguroja një intervistë pune nga Shqipëria dhe pas saj një kontratë pune me pagesë, që në Shqipëri vetëm endërrohet (në atë kohë 2600-2700 € netto). Specializimi dhe transporti siguroheshin nga firma dhe do më mbështesnin me të gjitha dokumentet që duheshin.

Nëse në Shqipëri ndihesha si e padëshiruar kudo që trokisja për punë më pyesnin vajza e kujt isha në vend që të shihnin diplomën, atje vura re një entuziazëm dhe dëshirë për të më punësuar, që se kisha parë për 3 vjet në vendin tim përkundrazi një përbuzje dhe nënvlerësim.

2- Si po shkon përshtatja në Gjermani?

Sigurisht që kjo pyetje ka disa dimensione. Në rrafshin profesional jam super e kënaqur, më është dashur të punoj shumë fort por është ajo që unë doja, të punoja, të mësoj çdo ditë dhe të bëhem një mjeke sa më e zonja dhe këtu nuk ka rëndësi as miku, as partia, vetëm puna dhe përkushtimi.

Sigurisht që pjesa sociale është e vështirë. Këtu çdokush ka eksperiencën e vet, në bazë edhe të karakterit personal. Unë e kam pasur edhe në Shqipëri një reth shoqëror të vogël dhe në Gjermani është tepër e vështirë.

Jeta sociale është e ndërtuar ndryshe, hobit dhe koha e lirë kalohen ndryshe nga ç’jemi mësuar  ne në Shqipëri. Kontaktet janë shumë të vështira të krijohen, sidomos nga gjermanët si njerëz tepër të kujdesshëm e selektiv në shoqërinë e tyre.

Të mungon gjuha e bukur shqipe, edhe pse me njohuri të avancuara të gjuhës gjermane nuk je i zoti të shprehesh si në gjuhën amtare. Të mungon familja, por edhe familja e madhe me teze, xhaxhallarë e daja, shoqëria…

3-A ja ka vlejtur kjo iniciativë e ndërmarrë?

Unë besoj se çdo iniciativë e ndërmarrë vlen, sidomos një iniciativë aq e guximshme, t’ia nisësh nga zero në një vend të huaj. Të bën më të fortë, më këmbëngulës, më punëtor dhe më të pavarur dhe sigurisht të rrit vetëvlerësimin.

Nëse ti ke besim në veten tënde, aftësitë e vlerat e tua, t’i mund t’ia dalësh kudo dhe unë mendoj që për rininë dhe moshën aktive të punës është një iniciativë e vlefshme.

Por me kalimin e kohës dhe sidomos pasi formon familje e kupton se sa i rëndësishëm është edhe rrethi familjar e shoqëror për rritjen e një fëmije të shëndetshëm psikologjikisht e emocionalisht. Sa më shumë kalon koha ndihesh sikur të mungon një pjesë shumë e rëndësishme nga vetja, sikur je pa identitet.

Pra është një vendim që ka avantazhet dhe disavantazhet e veta.

Për t’ju përgjigjur edhe pyetjes së rradhës për zhvendosjen e të rinjve në Gjermani mendoj se të rinjtë duhet të marrin kulturën e punës europiane, të edukohen e të plotësohen profesionalisht dhe t’i implementojnë këto njohuri pa kompromise në Shqipëri. Kjo do ishte në dobi të tyre dhe të shtetit shqiptar.

4- Çfarë dallimesh vëren midis dy sistemeve shëndetësore?

Dallimet janë shumë të theksuara sidomos në atë që mungon në Shqipëri:

– Investimi në shëndetsi- kushtet e spitaleve shtetërore në Shqipëri ngjajnë me kohën e luftës, këtu ka ngrohje qëndrore, ka banjo në çdo dhomë dhe dush, mjete ndihmëse për të lëvizur, larë pacientët. Duhen investuar miliona Euro për të arritur në stadin e spitaleve gjermane.

– ⁠Pagesa e mjaftueshme e mjekëve dhe personelit dhe zhdukja e rryshfetit, që ka shkatërruar marrëdhënien mjek-pacient, besimin e njerëzve në shëndetësi.

– ⁠Sistemi i sigurimeve shëndetsore mbulon të gjitha nevojat e pacientëve, të gjithë trajtimin në spital, fizioterapi, mjekime e institucione që dërgohen për rehabilitim- gjithçka me zero kosto për pacientin.

– ⁠Plotësimi i të gjitha kushteve për spitalet rajonale, saqë tranferimi i pacientëve në qendra universitare vetëm për procedura të veçanta dhe jo çdo pacient që komplikohet.

– ⁠Specializimi në shumicën e spitaleve të Gjermanisë ( dhe jo vetëm në QSUT, siç është te ne), ndërkohë që edhe paguhesh me rrogë të plotë mjeku- quhet specializim, sepse je e observuar nga një mjek specialist, por praktikisht je përgjegjëse për të gjithë trajtimin e pacientin në spital.

– Mjeku ka dorë të lirë të përdorë metodat e ekzaminimit që shikon më të përshtatshme për pacientin dhe përshkruan mjekimet e duhura, pa menduar për kostot që mbulohen nga sigurimet shëndetsore.

Pra për ta përmbledhur në Gjermani mjekët bëjnë atë për të cilën kanë studiuar dhe studiojnë gjithë jetën: Të diagnostikojnë dhe trajtojnë sëmundjet sipas njohurive më të fundit të shkencës në të mirë të pacientit.

Ndërsa në Shqipëri duhet të shikosh a ke skaner, sa kushton, a e paguan dot pacienti, a ekziston ilaçi në Shqipëri, a e paguan dot pacienti? Përsëri a vjen pacienti për kontroll, se ndoshta nuk ka mundësi. Shqipëria ka probleme shumë të rënda ekonomike, të cilat ndikojnë në çdo aspekt të jetës së individit edhe në shëndetësi.

Mjekësia e sotme nuk mund të jetë falas si pretendojnë politikanët për vota, mjekësia e duhur është e shtrenjtë dhe duhet të investohet nga shteti dhe jo nga organizatat e individët që dhurojnë për të ikur jashtë shtetit.

(Vijon…)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re