Nga Borana Demiri 

Maturantët kanë plotësuar online formularin A1 për tu bërë pjesë e provimeve që do të zhvillohen përgjatë muajit qershor. Sipas lëndëve me zgjedhje që kanë plotësuar,  duket se prirja për studimet e ardhëshme nuk i tejkalon përzgjedhjet e viteve të fundit.

“Lëndë me zgjedhje kam Kiminë, Fizikën dhe Biologjinë pasi do të studioj për mjekësi. Mami im është në të njëjtën fushë dhe më pëlqen kjo degë.”

“Unë do të studioj arkitekturë jashtë vendit, xhaxhai im është arkitekt në Itali dhe do të shkoj atje.”

Pavarësisht se interesi për degët prioritare vijon të jetë i ulët, Rubin Ethemaj nxënës në gjimnazin “Andon Zako Çajupi” në kryeqytet, nuk ngurron të ndjekë pasionin e tij.

“Mendoj të studioj Kiminë e përgjithëshme ose Industriale, është lëndë e bukur dhe them se kërkohet sepse numri i studentëve që e kanë zgjedhur është i ulët.”

Por çfarë mendojnë të rinjtë për mësuesinë?

“Kemi patur rënie të vazhdueshme të aplikimeve në degën e mësuesisë. Nuk e shohin veten në këtë profil sepse mendojnë që zgjat shkollimi, provimet e licencës, stazhi dhe praktika profesionale”, tha Emanuela Sulçaj, mbikqyrëse e maturës shtetërore në gjimnaze.

Mbikqyrësja e maturës shstetërore në gjimnaze, Emanuela Sulçaj shprehet se oferta në tregun e punës, të ardhurat dhe kohëzgjatja e studimeve mbeten një kriter i rëndësishëm për orientimin e studentëve të ardhshëm.

“Viteve të fundit, nxënësit me masatare të lartë janë shumë të prirur tek mjekësia dhe ata që nuk e arrijnë për shkak të kuotave, zgjedhin degë të tjera por që mbeten në profilin e mjekësisë. Ka patur një dydnje edhe dtejt degës së arkitekturës, shkencave kompjuterike, informatikë, ekonomi, ekonomi biznesi etj. Në klasat me profil shoqëror, pjesa më e madhe kërkojnë juridikun”, tha Sulçaj. 

Ekspertët e arsimit shprehen se këshillimi i karrierës në shkolla, duhet të jetë jo vetëm teorik por të bazohet në studime reale të tregut të punës, të cilat aktualisht mungojnë./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re