Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Dallëndyshe Bici është denoncuar në KQZ për shkelje të ligjit Zgjedhor.

‘Qëndresa Qytetare’ në KQZ denoncoi se Bici në kundërshtim të hapur me ligjin ka marrë pjesë më 16 Prill në një takim elektoral në Kukës, në mbështetje të kandidatit socialist Safet Gjici.

Takimi është zhvilluar në ambientet e një shkolle, gjë e cila ndalohet me ligj.

“Zonja Dallëndyshe Bici ka bërë thirrje për mbështetje të kandidatit të PS duke u shprehur ‘kam ardhur këtu me bekimin e kryeministrit për të mbështetur njeriun e punës’. Janë përdorur të gjitha sloganet, takim i qartë elektoral”, tha përfaqësuesi i Qëndresës Qytetare.

Përfaqësuesja e Agjencisë së Kadastrës u përpoq të justifikonte eproren e saj ku citoi “Nuk i di raportet personale që ka zotëria në bazë të gjykimit të vet, por nuk mund të gjykojmë zonjën që ka bërë një vizitë në qytetin e saj dhe rastësisht qëllon një aktivitet i organizuar, dhe ajo merr pjesë”.

Pretendimi i përfaqësueses së Kadastrës është kundërshtuar nga kreu i KQZ, Ilirian Celibashi i cili citoi “Zotëria foli si qëndron në raport me ligjin sjellja e drejtueses, nuk mendoj se kishte diçka personale”.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re