Nga Agim Baçi

Mund të ketë patur shumë etiketime negative për numrin dy të Kuvendit, z. Murrizi, në ditët e fundit. Nuk do të merrem me etiketimet e zëmëruara të qytetarëve (ndoshta me të drejtë), pasi nuk besoj se fyerja është rruga për të treguar atë që i mungon thellësisht një pjese të shoqërisë, ku futet padyshim edhe Murrizi, që duket se aksidentalisht është edhe numri dy i institucionit më të rëndësishëm në vend. Por një gjë duhet ta themi me siguri: Murrizi nuk është si dikush me sindromën Down, gjendje kjo me të cilën ai kërkon të fyejë të tjerët. Sepse nëse do të ishte i tillë, si ata që Zoti i ka sjellë mes nesh, natyrisht që ai do të kishte treguar ndonjë veti të cilën ata e shfaqin, si dashuri, ëmbëlsi, e ndoshta edhe ndonjë talent artistik apo inteligjencë emocionale. Por Murrizi nuk ka treguar deri më sot as dashuri e as humanizëm, e aq më pak të ketë treguar ndonjë talent për diçka apo empati. I vetmi talent i njohur i z. Murrizi ishte gjetja e një shtegu për të bërë karrierë në një kohë braktisjesh politike, duke i kthyer shpinën atyre që gabuan teksa i dhanë shansin të përfaqësonte qytetarët e Lushnjës në organin më të lartë vendimarrës.
Në fakt, po të ndjekësh fjalorin që përdor Murrizi gjatë intervistave apo fjalimeve në Kuvend, do ndihesh me turp për nivelin që ai shfaq. Por, më shqetësuese është fakti se Murrizi duket se përfaqëson ndoshta anën më të errët të një pjese të shoqërisë që ende qesh dhe përqesh njerëzit me aftësi ndryshe apo çdokënd vulnerabël. Nuk ndodh askund që pjestarë të shoqërisë të tallen me atë që Zoti ka vendosur ta sjellë në këtë botë. Aq më pak mund të ndodhë nga ata që besohet se marrin vendime, që propozojnë ligje. Gjithkund, në botën e qytetëruar, Murrizi nuk do të guxonte më ta kalonte derën e Kuvendit, por do të kthehej i turpëruar në vendlindjen e tij ku do të lihej i harruar. Por ai ka vendosur të jetë numri dy i Kuvendit. Dhe shumë kolegë, madje disa prej tyre nëna, nuk kanë bërë as më të voglën deklaratë që të dënojnë komentet e tij fyese, duke lënë të kuptohet se fyerja nuk është më një kategori që ndëshkohet.
Rasti i Murrizit, në fakt, është një kambanë e madhe alarmi për të gjithë ne, që të jemi shumë më të kujdeshëm me ata që kanë nevojë më shumë për vëmendjen tonë. Janë dhjetra e dhjetra familje, që pasi përballen me vështirësitë e rritjes së e rritjes së një fëmije me aftësi ndryshe, duhet të përballin edhe fyerjen dhe bullizmin e madh që u ndodh kudo në publik, sidomos në shkolla. Kjo sjellje, që i ka rrënjët te një kulturë që u mboll gjatë diktaturës komuniste, ku gjithkush që ishte me aftësi ndryshe konsiderohej me fjalët më fyese dhe bëhej lodër e fëmijëve, fatkeqësisht nuk është anashkaluar në këto gati tridhejtë vite ndryshimesh politike, duke na lënë në pellgun e këtij denatyrimi.

Ndërkohë, rasti i Murrizit, për të cilin u protestua nga Fondacioni Down Syndrome Albania, kërkon një reflektim të thellë nga të gjithë ne. Reflektimi është i nevojshëm jo vetëm nga salla ku paguhet zëvendësi i kryetarit, por më së shumti nga gjithkush prej nesh, pjestarë të kësaj shoqërie, që dëshiron vërtetet të shohë njerëzit me aftësi ndryshe të gjithëpërfshirë në shoqërinë tonë, pra duke bashkëecur me ne. Për këtë, duhet të jetë fillimisht vëmendja e çdo prindi që të edukojë të vegjlit e tyre, duke u treguar se, vënia në lojë e njerëzve ndryshe nga ne, tregon vetëm vogëlsinë tonë njerëzore, tregon pafuqinë tonë për të kuptuar botën, për të vlerësuar atë që kemi dhe atë që na mungon.
Murrizi nuk është aspak me sindromën Down, sepse ata që janë të tillë nuk meritojnë krahasimin me të. Murrizi është thjesht fytyra jonë e turpit. E nëse nuk e ndëshkojmë atë dhe këdo që sillet si ai, atëherë Murrizi do jetë fytyra e vogëlsisë sonë, e dështimit tonë përballë së keqes edhe kur e shohim atë ngjitur me ne. Nuk është nevoja as ta votosh një të tillë për t’u ndjerë i turpëruar, e as të jesh afër ngjyrimeve politike që ai pretendon se ai përfaqëson. Për t’u ndjerë i turpëruar me të mjafton kaq sa kemi dëgjuar e lexuar, për krahasimin, ndërkohë që edhe ndjehet ngrohtë mes kolegëve të tij.
Ai nuk është aspak si një person me sindromën Down. Ata nuk e meritojnë të ndihen si ai. Murrizi është thjesht pjesë e turpit që rëndon mbi atë sallë për aq kohë sa ai do të vijojë të marrë vendime në emër të shqiptarëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re