Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ashpër lidhur me një situatë të krijuar një ditë më parë gjatë ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, ku flamuri i UÇK-së u largua nga tribuna nga policia.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ata shkruajnë se kur preket flamuri i UÇK-së, preket gjaku i Dëshmorëve tanë, amaneti i tyre, liria për të cilën ata ranë.

“Ai flamur është varri i atyre që s’u kthyen kurrë, është kujtimi i atyre që jetojnë përherë në ndërgjegjen tonë. Të na thuhet se nuk ka vend për të në tokë shqiptare, është një therje në shpirt për çdo familje Dëshmori, për çdo luftëtar, për çdo zemër që rreh shqip”, shkruan OVL.

Kujtojmë se gjatë ndeshjes së djeshme tifozët nuk u lejuan të futeshin në stadium me veshje në të cilën kishin të stampuar logon e UÇK-së apo materiale të tjera të identifikueshme me këtë logo.

Po pavarësish kontrolleve, kishte nga ata që mundën të shpalosnin në tribuna flamurin e UÇK-së, por u ndaluan nga policia e cila në disa raste i ka hequr flamujt.

Reagimi i plotë

Na dhemb zemra oj nanë Shqipni.

Kur preket flamuri i UÇK-së, preket gjaku i Dëshmorëve tanë. Preket amaneti i tyre, preket liria për të cilën ata ranë.

Ai flamur është varri i atyre që s’u kthyen kurrë, është kujtimi i atyre që jetojnë përherë në ndërgjegjen tonë.

Të na thuhet se nuk ka vend për të në tokë shqiptare, është një therje në shpirt për çdo familje Dëshmori, për çdo luftëtar, për çdo zemër që rreh shqip.

Nuk kërkojmë asgjë më shumë veçse respekt, për ata që s’kërkuan asgjë, përveç lirisë sonë.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, jo me mllef, por me zemër të thyer, kërkon ndjeshmëri e kujdes, sepse kjo nuk është politikë, është kujtesë dhe kujtesa është e shenjtë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko