Nga: Florian Leli

Enesi r.a. transmeton se njerëzit i thanë profetit s.a.v.s: O i dërguar i Allahut! U shtrenjtuan çmimet, prandaj vendos një tavan për ne. I dërguari i Allahut u tha: “Allahu ai është çmuesi, shtrirësi (i rizkut) dhe shtrënguesi, ai është furnizuesi. Shpresoj ta takoj Allahun e askush prej jush të mos më akuzojë me ndonjë padrejtësi, as në gjak e as në pasuri”. Hadithin e transmetojnë Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe thotë hasen sahih, Ibën Maxheja, Ahmedi dhe të tjerë.

Ky hadith dëshmon qartë për parimin e ruajtjes së pronës dhe parimin e pëlqimit dhe miratimit në tregëti, të përmendur në ajetin: (O ju që besuat! Mos i hani pasuritë mes jush padrejtësisht, por nëse është tregëti me pëlqim të ndërsjellë prej jush). Shtrëngimi i pronarit, përfshi edhe tregtarët, në shitjen e një malli në një formë të diktuar dhe të imponuar, kundër dëshirës dhe pëlqimit të tij është padrejtësi, përveç në raste të përjashtuara.

Një rregull i përfituar nga ky hadith, i pranuar gjerësisht nga fukahatë muslimanë, është mosdiktimi i tregtarëve në vendosjen e çmimeve. Tregu i lirë, kërkesa me ofertën, tepria me mungesën, janë parametrat që rregullojnë tregëtinë, humbjen dhe fitimin. Në esencë, njerëzit janë të lirë të veprojnë në pasuritë e tyre dhe ndërhyrjet e njëanëshme në favor të një pale (blerësve në rastin konkret) kundër palës tjetër (tregtarëve) çojnë në prishjen e balancave dhe dëmtojnë më shumë sesa rregullojnë.

Por, fukahatë kanë folur shumë rreth këtij hadithi. Sa përfshirës është ky hadith. A është i përgjithshëm apo këtë fjalë profeti e ka thënë në një situatë të caktuar. E thënë më qartë, konsumatorët i kërkuan profetit s.a.v.s. dhe të parit të shtetit, të ndërhynte për shtrenjtësinë e ndodhur duke detyruar tregtarët të ulin çmimin, por ai e refuzoi një ndërhyrje të tillë. A është ky hadith i papërgjithsueshëm, që flet për një situatë të caktuar, atëherë kur shtrenjtësia ndodh si lëvizje e natyrshme e tregut, e diktuar nga faktorë ekonomikë, prodhues dhe natyrorë, apo është i përgjithshëm e përfshirës edhe i situatave ku tregtarët keqpërdorin dhe shfrytëzojnë ngjarje të ndryshme për të rritur çmimet.

Në situatën e parë, mendimi i përzgjedhur sipas të katër medhhebeve (ka disa kundërshtime) dhe i shumicës së fukahave të tjerë, është pengimi i pushtetarit të ndërhyjë me tes’ir, pra të ndërhyjë me fiksimin e çmimeve të tregut dhe vendosjen e një çmimi tavan. Mësuesi i Malikut, imam Rabiu, Said ibën Musejibi, e të tjerë, mendojnë që kjo e drejtë i takon pushtetarit. Sidoqoftë mendimi i tyre është kundërshtuar me hadithin e lartpërmendur.

Në situatën e dytë, pra kur kemi tejkalime dhe shfrytëzime që dëmtojnë konsumatorin, në këtë situatë kundërshtimi në mesin e fukahave është më i fortë. Shkolla hanefite anon nga mendimi se pushtetarit i lejohet ndërhyrja e drejtpërdrejtë me vendosjen e çmimve tavan, kuptohet brenda normave normale të fitimeve, pa dëmtuar palën tregëtuese. Ky është një mendim i fortë dhe i përzgjedhur edhe në mesin e disa malikive, për të cilin janë transmetuar disa citime edhe nga vetë Maliku. Këtë mendim e ka mbrojtur fort dhe me argumentime të shumta edhe Ibën Tejmija. Ndërsa sipas shafive, hanbelive dhe shumicës së malikive, më i përzgjedhur është mendimi se pushtetarit as në këtë situatë nuk i lejohet të vendosë çmime tavan. Themi më i përzgjedhur sepse te shafitë e hanbelitë, karshi këtij mendimi, kemi edhe mendimin tjetër, që e lejon një ndërhyrje të tillë në situatën e shfrytëzimit dhe tejkalimit.

Ndërsa në raste lufte, raste emergjence dhe gjatë gjëndjes së jashtëzakonshme kemi edhe trajtime të tjera.

Sidoqoftë, ajo që dua të trajtoj këtu është situata ku ne ndodhemi. Realisht ne nuk jemi as në situatën e parë dhe as në situatën e dytë. Realisht ne ndodhemi në një situatë flagrante abuzimi. Them flagrante, sepse përplasja e saj me parimet islame është e qartë. Kur profeti s.a.v.s. ka urdhëruar për një mosndërhyrje direkte në fiksimin e çmimeve, nuk ka folur për rastet kur kundërshtimi i fesë bëhet haptas, flagrant dhe me haram. Atëherë kur tregtarët i tejkalojnë kufinjtë e ligjit dhe bien në gjynahe, atëherë shteti ndërhyn dhe patjetër vihet në veprim.

Si shëmbull mund të sjellim hadithin e “ihtikarit”. Ihtikari është një bllokim i tregut dhe monopolizim i padrejtë i tij.

Imam Muslimi, transmeton në Sahihun e tij, nga Said ibën Musejibi, nga Mameri (një sahabi) se i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Kush bën ihtikar ai është gjynahqar”. Saidit i thanë: Po ti bën ihtikar. Ai u përgjigj: Vetë Mameri vepronte kështu.

Hadithin e Mamerit e transmeton edhe Ebu Daudi, po nga e njëjta rrugë. Ai, Ebu Daudi, pas transmetimit të hadithit, shton se e ka pyetur mësuesin e tij, imam Ahmedin për ihtikarin e ndaluar dhe iu përgjigj: Ai që pengon bukën e popullit. Ndërsa Euzaiu ka thënë: Ai i cili i kundërvihet tregut (për ta bllokuar). Them: Imam Ahmedi me fjalën bukë (‘ajsh) ka për qëllim ushqimin bazë, mungesa e të clit dëmton masat e gjera.

Pa dashur të hyj në kundërshtimet e fukahave, ajo që vihet re nga hadithi është se ruajtja dhe bllokimi i mallit ka dy forma:

Një formë të lejuar; që është ruajtja e mallrave të cilat nuk dëmtojnë popullatën dhe nuk godasin tregun, përkundrazi e rregullojnë atë, si në rastin e tregëtarit të rrobave, i cili rrobat e dimrit në verë i magazinon për t’i shitur në dimër, apo në rastin e tregtarit të perimeve, i cili perimet i ruan në një formë të tillë atëherë kur ka bollëk, për t’i shitur në dimër, jo për të goditur tregun por për të futur në treg një produkt që mungon nëse nuk ruhet.

Të tilla ruajtje dhe depozitime ka pasur për qëllim Said ibën Musejibi më lart. Këtë e shpjegon edhe fakti se Tirmidhiu, pasi transmeton këtë hadith në Sunenin e tij, përcjell se Saidi ruante mënjanë lyrën dhe habatin, një lloj tagjie për kafshë, siç e ruajmë ne sot kashtën në mullar.

Forma tjetër është forma e ndaluar, kur tregtari blen në treg një produkt jetik, një mall me rëndësi jetike dhe e bllokon atë, duke shkaktuar artificialisht mungesë në treg. Kjo mungesë me me kërkesën e lartë, shkakton një stërmadhim të çmimit dhe godet rëndë konsumatorin. Pra një monopolizim i tregut.

Që këtu bëhet fjalë për ushqimet bazë dëshmon edhe hadithi i Umerit r.a. se profeti s.a.v.s ka thënë: “Kush ua bllokon muslimanëve ushqimin e tyre Allahu do ta godasë me zgjebë dhe falimentim”. Hafidh ibën Haxheri e konsideron hasen këtë hadith në komentarin e njohur “Fet’hul bari”.

Në lidhje me komentimin e këtij hadithi imam Neveiu thotë: “Ihtikari haram është ihtikari i ushqimeve jetike (kut-it), duke e blerë ushqimin në kohën e shtrenjtësisë (pra në kohën e nevojës) për ta shitur (jo për përdorim vetiak, apo si lëndë të parë) dhe nuk e shet, por e depoziton që çmimi t’i rritet. Ndërsa kur e sjell nga fshati (bujku apo xhel-labi) apo e blen në kohë lirësie (pra bollëku dhe panevojshmërie) dhe e depoziton, apo e blen në kohë shtenjtësie për nevoja vetiake, apo që ta shesë në të njëjtin sezon, ai nuk është i ndaluar dhe haram”.

Pa u zgjatur shumë, pushtetarit i lejohet të ndërhyjë atëherë kur ndodh bllokim i qëllimshëm dhe i dëmshëm për tregun. Ai e detyron tregtarin ta nxjerrë e ta shesë grurin, miellin apo mallin jetik, me çmimin normal të tregut, pa rritjen artificiale e nëse tregtari nuk i bindet, pushtetari ia merr me forcë dhe e nxjerr në treg, ndërsa tregtarit i jep vetëm vlerën e llogaritur me çmimin normal. Kjo nuk është fjala ime, kjo është fjala e shumë fukahave.

Pra, ndërhyrja e shtetit në çështjen e çmimeve nuk hyn aty ku ushtrohet harami dhe kryen shkelje flagrante. Abuzimeve me bukën e popullit jo vetëm u vendoset tavan, po shteti është përgjegjës për ndërhyrjen e menjëhershme, bazuar edhe në rregullën fikhore “Dëmi duhet të largohet”. Me atë që e shkakton dëmin qëllimisht dhe artificialisht, ligji islam vepron ndryshe nga ai që thjesh shfrytëzon një situatë të caktuar.

Shto këtu edhe dëmin e taksave. Pa dyshim disa taksa të sotme janë një formë e qartë e “meksit”, tatimeve që viheshin dikur për kalimin e mallrave nga një vend. Këto forma tatimesh (mekset) janë nga gjynahet më të mëdha me unanimitetin e dijetarëve muslimanë. Kur Halidi e fyeu gruan që kishte bërë zina, i dërguari i Allahut s.a.v.s. e ndaloi dhe i tha: “Me avash o Halid! Ajo është pendur atillë, që sikur taksamarrësi të pendohej ashtu kishte për t’iu falur gjynahu”. E transmeton Muslimi në Sahihun e tij.

Pa u futur shumë në sistemin e taksave në islam dhe në kapitalizëm, ajo që vihet re te ne, në lidhje me një produkt jetik dhe strategjik si nafta, është tatimi i stërfryrë i saj. Akciza e saj është nga më të lartat, për të mos thënë më e larta në rajon, e padrejtë në çdo aspekt, jo vetëm me parimet fetare po edhe me parimet e kapitalizmit.

Kur flasim për një produkt strategjik të rëndësisë së veçantë si nafta ,apo karbohidratet në përgjithësi, flasim për shtyllën e ekonomisë. Dëmtimi i saj dëmton shoqërinë në çdo drejtim. Dëmton prodhimtarinë, dëmton konsumatorin, dëmton biznesin e madh dhe të vogël, fermerin, qytetarin e thjeshtë. Rritja e saj dërrmon rëndë konkurencën me tregje të tjera të rajonit, përfshi Serbinë dhe Greqinë. Një naftë më e shtrenjtë do të thotë flakje nga tregu rajonal.

Me një vështrim të shpejtë në çmimin e naftës në Shqipëri para krizës, do të gjejmë se ai ka qenë atëherë sa është tani, pas shpërthimit të konfliktit, në vendet e tjera të rajonit. Me fjalë të tjera, ne kemi qënë si në një gjendje lufte, për gjithë këtë vite, para se lufta të fillonte.

Të tilla taksime të pamëshirshme, të fryra, larg parametrave për vende si Shqipëria, të papërshtashme për qytetarin dhe prodhuesin shqiptar, janë shkaktari kryesor i kësaj gjendjeje. Mbrapa nuk mbetet edhe monopolizimi i tregut dhe konfliktet e interesit me importuesit e naftës.

Na jepet si shkak shtrenjtimi në tregjet botërore. Nëse nafta në Shqipëri do të lihej e lirë, tregëti e lirë, e varur vetëm nga kërkesa dhe oferta, pa taksime të rënda, pa monopolizime të brendshme, nafta edhe sot që flasim nuk do ta arrinte 100 lekëshin. Këto janë çmimet botërore. Këtu kemi të bëjmë me abuzime flagrante dhe politika të dështuara, që venë në diskutim të ardhmen e ekonomisë shqiptare.

Në anën tjetër, qeveria jonë nuk ka asnjë program strategjik për parandalimin e krizave. Përkundrazi ajo i thellon ato me paaftësinë e saj. Ndërhyrja në kriza nuk është kusht të bëhet me çmime tavan. Shteti duhet të jetë një rregullator dhe kontrollues i tregut, njësoj si në rastin e valutës.

Ne nuk kemi rezerva strategjike të naftës, siç ka çdo vend në botë. Qeveria jonë nuk mund të hyjë në treg me rezerva për të balancuar tregun ashtu siç ndërhyn çdo shtet në botë. Ne edhe nga një konflikt në Honolulu jemi të parët që prekemi. Ne kapemi gafil me një konflikt indirekt. Po të shpërthejë lufta me të vërtetë, çdo të ndodhë? Përgjigjja është e sigurtë; kapitullojmë ekonomikisht dhe ushtarakisht, maksimumi për një javë!

Prodhimi ynë i tanishëm është diku rreth 22.000 fuçi në ditë. Konsumimi ditor dhe kërkesat e tregut janë rreth 27.000 fuçi në ditë. Nevojat janë për rreth 5.000 fuçi në ditë naftë për të përballuar kërkesat, një shifër shumë e vogël. E megjithatë ne gati të gjithë naftën e përdorur e importojmë, ndërsa me të prodhuarën dalim defiçit, për shkak të kontratave dhe politikave të gabuara që kemi bërë e vazhdojmë të bëjmë.

Në mesin e viteve 70-të Shqipëria prodhonte rreth 38.000 fuçi naftë në ditë, katërfish më shumë se nevojat e atëhershme. Edhe në fillim të viteve 90-të prodhonim gati dyfishin e nevojave. Jemi vend që notojmë mbi naftë. Kemi resorse nafte të larta. Nga koha e Zogut e deri tani është nxjerrë vetëm 10% e rezervave tona. Për shifrat jam bazuar në burime zyrtare. Është naive të na thuhet fajin e ka lufta.

Shkaku kryesor i kësaj katrahure është dështimi ynë në menaxhimin e situatave. Nuk ka faj populli në këtë mes. Shteti që është shtet, po ta marrim edhe nga parimet e drejtësisë në përgjithësi, jo vetëm ato islame, është ai shtet që punon për popullin në ditët e vështira, jo ai që ia vështirëson këto ditë dhe i nxjerr të zinjtë e ullirit. Është ai shtet që qëndron në krah të interesave publike madhore, jo ai që gjasme për të ruajtur “tregëtinë e lirë”, shkatërron ekonominë dhe shikon ngushtë vetëm interesin e tij dhe të një shtrese të ngushtë.

Në fund të fundit, pronar i vërtetë i shtetit është populli. Është ai që i kërkon llogari qeveritarit dhe është qeveritari që mban përgjegjësi kur dështon. Nëse nuk ecim në këto parime, nëse nuk punojmë me këto parime, ditë të vështira do të na vijnë.

I shkruajta këto rreshta për sqaruar më shumë vëllezërit e mi muslimanë, të jenë të kthjellët në këtë situatë, nga aspekti fetar, t’u largohen dyshimet apo ndonjë vështrim i ngushtë që mund të hidhet aty këtu.

Hadithi i çmimeve tavan, po të nxirret nga konteksi i gjerë i fikhut islam, keqkuptohet shumë lehtë dhe nga një mbrojtës i të drejtave të palës tregtuese pandehet si një justifikim për zullumqarët dhe shfajsim për dështakët, i ngjashëm me shfajsmin e gjynahqarve me kaderin e caktuar prej zotit.

Si përfundim dua të tërheq vërejtjen që kjo që trajtuam nuk bie aspak ndesh me pika të tjera të rëndësishme, që janë: durimi në sprova, falenderimi i mirësive, drejtimi i lutjeve, pendimi dhe kthimi te zoti, rregullimi i veteve tona, sepse me rregullimin e veteve rregullohet shoqëria e me rregullimin e shoqërisë, hyn në rrugë të drejtë edhe qeveria. Të gjitha këto pika janë të drejta, të vërteta dhe esenciale, në harmoni të plotë me njëra-tjetrën, e kurrësesi nuk bien ndesh.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re