Cila është lidhja e stresit me shëndetin e zorrëve?

Zorra juaj është një nga “lojtarët” kyç në sistemin e reagimit ndaj stresit dhe luan një rol të rëndësishëm në lejimin e trupit tuaj që të përshtatet dhe të mbrojë shëndetin nga efektet negative që shkakton stresi.

Stresi mund të vijë nga shumë burime të ndryshme – të gjitha këto mund të kenë efekte direkte dhe indirekte në shëndetin e zorrëve. Në të njëjtën kohë, shëndeti i dobët i zorrëve mund të jetë në vetvete një burim i shtuar stresi për trupin tuaj.

Le të analizojmë efektet e stresit në trup dhe të zbulojmë se si mund të ndikojë në shëndetin e zorrëve dhe mirëqenien tuaj të përgjithshme.

Stresi dhe efektet e tij

Kur dëgjoni fjalën “stres”, çfarë ju vjen në mendje? Me shumë mundësi, do të kujtoni menjëherë ditën tuaj të gjatë në punë ose ndoshta një debat që keni pasur me një mik.

Stresi është diçka që ne të gjithë e përjetojmë – shpesh në mënyra për të cilat as që jemi të vetëdijshëm. Se si stresi ndikon në trupin tuaj varet nga intensiteti i “shkakut” dhe sa kohë zgjat.

Nga vjen stresi? Faktorët socialë siç përshkruam më sipër sigurisht llogariten si stres. Por faktorë të tjerë mund të përfshijnë si:

  • Dieta e varfër
  • Mungesa e gjumit
  • Faktorët social
  • Mungesa e aktivitetit fizik
  • Medikamente ose suplemente me doza të gabuara

Ekziston një lloj dhe sasi e caktuar stresi, ose ngarkesë alostatike, që trupi juaj mund të tolerojë përpara se të fillojë të përjetojë efekte të caktuara të shkaktuara nga stresi. Kjo varet nga shumë faktorë, si historia individuale mjekësore, gjenetika ose historia familjare, dhe me sa faktorë të tjerë stresues keni të bëni në të njëjtën kohë.

Simptomat e stresit të tepërt

Ndërsa nivelet e stresit ose nivelet e kortizolit rriten me kalimin e kohës, trupi juaj mund të fillojë të përjetojë disa nga simptomat të mbingarkesës nga stresi. Këto simptoma shoqërohen me aktivizimin kronik të sistemit nervor simpatik. Këto mund të përfshijnë:

  • Ndryshimet e humorit
  • Lodhje e vazhdueshme
  • Probleme me gjumin
  • Vështirësi në përqendrim ose “mjegull truri”
  • Problemet gastrointestinale
  • Sistemi imunitar i dobët
  • Pabarazitë hormonale
  • Ndryshimet në presionin e gjakut, rrahjet e zemrës etj.

Çrregullimi i tretjes është një simptomë shumë e zakonshme e mbingarkesës së stresit. Kjo është për shkak se një pjesë e mënyrës se si trupi juaj përpiqet të përshtatet me nivelet e stresit kronik përfshin ndryshimin e funksionit të sistemeve të ndryshme në trup, si zorrët tuaja.

Boshti zorrë-tru

Nga këndvështrimi i trupit tuaj, tretja e ushqimit nuk është një prioritet përballë një situate stresi. Ndërsa sistemi juaj nervor simpatik aktivizohet në situata stresi në rritje, ai mund të ndryshojë gjërat e mëposhtme rreth mënyrës se si funksionon zorra juaj:

  • Lëvizshmëria e zorrëve dhe tranziti fekal
  • Prodhimi dhe sekretimi i enzimave të tretjes
  • Thithja e lëndëve ushqyese
  • Përshkueshmëria e mukozës
  • Inflamacioni

Zorra juaj është një organ i fuqishëm neuroendokrin. Jo vetëm që lejon përthithjen dhe përpunimin lëndëve ushqyese të nevojshme për kryerjen e të gjitha funksioneve metabolike, por rregullon edhe sistemin imunitar dhe reagimin e tij.

Zorra është gjithashtu e lidhur me trurin në atë që zakonisht quhet bosht zorrë-tru. Shumë studime kanë filluar të dokumentojnë lidhjen midis shëndetit të zorrëve, gjendjes shpirtërore dhe shëndetit mendor.

Boshti zorrë-tru është një rrjet komunikimi me dy drejtime që lidh pjesë të ndryshme të sistemit tuaj neuroendokrin. Përveç ndikimit të humorit dhe kujtesës, hulumtimet sugjerojnë se ky bosht mund të ndikojë edhe në hormonet tuaja.

Roli i mikrobiomës

Mikrobioma e zorrëve ka një rol të fuqishëm në boshtin zorrë-tru. Studimet tregojnë se dieta mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në mikrobiomën tuaj dhe se si mikrobioma juaj ndikon në funksionin njohës. Studiuesit kanë zbuluar shumë rreth mënyrës sesi funksionon mikrobioma, por kanë ende një rrugë të gjatë për të bërë përpara se ta kuptojnë atë më plotësisht.

Ajo që ne dimë tani është se sjelljet, ekspozimet mjedisore dhe gjenetika mund të luajnë të gjitha një rol në përbërjen e mikrobiotës. Stresi nga shumë burime mund të formojë gjithashtu përbërjen e baktereve të zorrëve përmes ndryshimeve në hormonet e stresit, inflamacionit dhe ndryshimeve të tjera të sistemit nervor.

Për shkak se është një rrugë e dyanshme, bakteret e zorrëve, nga ana tjetër, mund të lëshojnë kimikate ose metabolitë që ndikojnë në sjelljen dhe disponimin tuaj të të ngrënit. Disa madje kanë sugjeruar që bakteret e zorrëve mund të ndikojnë në mënyrën se si reagoni ndaj stresit në fillim.

Stresi dhe çrregullimet e tretjes

Shumë çrregullime gastrointestinale dhe probleme të tretjes, të tilla si sindroma e zorrës së irrituar (IBS) janë shoqëruar me nivele të larta ose kronike të stresit. Si rezultat, shëndeti i dobët i zorrëve mund të veprojë si faktor stresi në sistemin tretës dhe traktin gastrointestinal.

Disa nga simptomat më të zakonshme të tretjes të lidhura me stresin që njerëzit mund të përjetojnë përfshijnë:

  • Fryrje dhe gazra
  • Kapsllëk
  • Refluks
  • Diarre
  • Ngërçe
  • Ndryshime në oreks
  • Nauze
  • Urth
  • Dhimbje stomaku

Menaxhimi i stresit për shëndetin e zorrëve

Më poshtë janë disa strategji për t’u marrë parasysh kur kërkoni të reduktoni efektet e stresit në shëndetin e zorrëve.

– Kuptoni se si ushqimi ndikon tek ju

– Merruni me aktivitet fizik

– Menaxhoni stresin emocional

– Flini mjaftueshëm

Nutrisense/ Përktheu për Gazetën Shëndeti, Griselda Ozuni.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re