Ata janë sërish në lojë, ashtu si edhe në garën për kreun e partisë. Lulzim Basha që mori një mandat katër vjeçar pas humbjes së zgjedhjeve ka propozuar një paketë ndryshimesh statutore, ku praktikisht do të vendosë vetë (pasi do të flasë formalisht anëtarësia) për listën e kandidatëve për deputete, këshilltarët bashkiake dhe kryetarët e bashkive. Basha ka marrë në dore vulën e partisë dhe ka zgjeruar strukturat e partisë me disa organe burokratike që në thelb kanë si synim kontrollin e partisë në çdo degë nga njerëz të emëruar drejtpërdrejtë nga ai duke filluar nga drejtuesit e qarqeve.

Ajo që nuk preket nga ai, por që trajtohet si debat thelbësor në PD nga kritiket e tij apo kandidatët që garuan përballë tij në garën për kryetar, është mandati i kryetarit të partisë.

Basha nuk ka ndryshuar asgjë në nenin aktual të statutit kur flitet për kompetencat e tij, ndërsa për mandatin nuk thuhet asgjë. Këtë pikë nuk e ka prekur as në paketën e propozuar për ndryshimet në statut, duke e lënë mandatin e tij të pakufizuar.

Mandati i kryetarit është thembra e Akilit për Fatbardh Kadillin dhe Edith Harxhin.

Sipas propozimeve zyrtare të Kadillit, kryetari i Partisë zgjidhet për një mandat katër vjeçar, i cili mbaron ose rinovohet automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve. “Kryetari i Partisë ose bëhet Kryeministër, ose largohet nga drejtimi i partisë pa pasur të drejtë të marrë pjesë në garën e radhës”, propozon ai.

Më qartë synon ta përcaktojë Edith Harxhi përmes ndryshimeve në statut.

“Do të duhet që ne ta kufizojmë mandatin e Kryetarit të Partisë vetëm në një palë zgjedhje të humbura…”, propozon ajo

Ndryshe nga sa propozon Basha apo edhe Kadilli, Harxhi kërkon gjithashtu që zgjedhja e kandidatëve për deputetë, anëtarë të këshillave bashkiake, kryetarë bashkish, duhet të jetë e lidhur drejtpërdrejtë me anëtarin e Partisë Demokratike dhe jo të emërohen nga Kryetari i Partisë.

Kadilli nga ana e tij dallon në një pikë tjetër me Bashën dhe Harxhin.

Sipas tij, duhet bërë ndarja e rolit të Kryetarit të Partisë nga Administrimi i Partisë. “Kryetari Udhëheq vetëm një projekt politik. Partia ka vazhdimësi. Njerëzit ikin partia mbetet” nënvizon ai.

Kadilli propozon ndryshime kapilarë në struktura, Basha nuk i prek në thelbësi strukturat aktuale por vetëm shton kontrollin e tij në çdo proces, ndërsa Edith Harxhi synon që përmes propozimesh t’ia heqë ndikimin Bashës në parti.

Harxhi ndryshe nga Basha synon gjithashtu që drejtuesit e degëve të kenë më shumë hapësirë në vendimmarrje.

Pavarësisht formës, ajo që i dallon në thelb propozuesit është mandati i kryetarit dhe ndikimi politik i tij në Parti. (N.P)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re