Nga Alban Gorishti

Reginal Hiberti ka thënë se: “shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër të Europës por vendi i tyre është një nga shtetet më të reja të Evropës. Të jesh kaq i vjetër dhe njëkohësisht kaq i ri është njëfarë fati i keq” Fitorja e hidhur fq 11. Ky pasazh nuk e di pse mu kujtua në momentin që pashë lajmin e mëposhtëm, nuk e di pse më bëri përshtypje dinamika e ketij makabriteti, që realisht është pjesë e një vargu të gjatë, dhe mbi të gjitha fakti që nuk po arrijmë edhe pas 30 vitesh në mërgim të mendojmë ndryshe. Kur lexova në fund se e ka përdhunuar gruan kuptova se ky popull ka ngarkesa te jashtëzakonshme emocionale të cilat i ndrydh mendërisht, dhe kjo pavarsisht hapësirave apo kulturave në të cilat ndodhet. Një shqiptar nuk po arrin “të mendojë” ndryshe edhe pse ndodhet në vende të huaja, larg nga vendi ku “gatuhet brumi”.Kërkohet një shqiptar që të kundërshtojë mendësinë mesjetare!Edhe pse sipas disa dijetarëve musliman origjina e të keqes ndodhet tek ekzistenca e djallit, prap ai në shumë raste nuk bën tjetër veçse nxit në atë vend ku presioni është më i madh, pjesën tjetër e bën njeriu. Pjesa tjetër është përmbushje e plotë e ndjenjave apo dëshirave të njeriut.

Por pse nuk po arrijmë të mendojmë ndryshe?

Një nga fenomenet nevative të shqiptarit ndodhet tek fakti që përbuz indikimin e disa traditave të reja në mendësinë e tij të ndryshkur, nuk arrin të bëjë një ndërkëmbim shpirtëror midis nervozës së të qenit shqiptar dhe psikozës të masave. Sa herë që vjen çështja tek një zgjidhje para zgjedhjes fillon të ngrihet tensioni dhe trubullohet mendja. Nëse i thua një burri apo familjes së një gruaje shiko se ky problem mundet të zgjidhet pa nevojën e lartësimit të zërave dhe “armëve” fillojnë të dridhen sikurse njeriu i prekur nga shejtani të paaftë të shikojnë përtej. Nëse i thua një gruaje, shiko nuk është fundi i botës nëse divircohesh heshtja pllakos mendësinë tashmë të mpirë, e nëse i thua nje burri shiko se gruaja tek e fundit edhe mundet të zëvendësohet nëse dashuria resht së ekzistuari kjo as që i shkon per shtat mendësisë së tij mesjetare. Mos të flasim për familjet reciproke, konfliktet në çift shihen si konflikte jo vetëm të fisnisë së gjerë por të mbarë mëhalles! Nëse bëhet llaf për ndonjë ndryshim kulturor, ndryshimi i vetëm bëhet adoptimi i një qeni apo maceje në vend të njeriut! Te paaftë të ndërtojnë një mendësi korrekte e cila ka për të konvertuar zakonet e këqija në tradita pozitiviste. Ndaj duhet shkruajt me të madhe, kërkohet një shqiptar që të mendojë ndryshe! Këto gjëra jo sepse nuk ndodhin ne vendet e tjera por shfrytëzimi që i ka bërë shqiptari resurseve të veta kulturore kanë qenë thjesht një model i shëmtuar i rrymave më negative globaliste që na vijnë nga bota.Ndërsa burimet emocionale të shqiptarit janë fjalët e gjitonit apo shokut të kafenesë. Kjo na bën një popull të pangopur materialisht, ndërsa jemi në kërkim akoma të një motivi apo kallëpi kulturor i cili do na shuante etjen e madhe shpirtërore që me ç’duket nuk kemi ndërmend ta ujisim.

Allahu thotë në suren Ahkaf 20:وَيَوْمَ يُعْرَضُ الَّذِينَ كَفَرُوا عَلَى النَّارِ أَذْهَبْتُمْ طَيِّبَاتِكُمْ فِي حَيَاتِكُمُ الدُّنْيَا وَاسْتَمْتَعْتُمْ بِهَا فَالْيَوْمَ تُجْزَوْنَ عَذَابَ الْهُونِ بِمَا كُنْتُمْ تَسْتَكْبِرُونَ فِي الْأَرْضِ بِغَيْرِ الْحَقِّ وَبِمَا كُنْتُمْ تَفْسُقُونَ”E në ditën kur ata që nuk besuan paraqiten pranë zjarrit (e u thonë): “Ju i shfrytëzuat të mirat në jetën e Dunjasë dhe i përjetuat ato, sot, për shkak se keni bërë mendjemadhësi në tokë pa të drejtë dhe për shkak se nuk respektuat urdhrat e Zotit do të shpërbleheni me një dënim nënçmues”.Këtu në këndvështrimin tim janë zemrat ato që i favorizojnë të mirat e ahiretit, nëse zemra është e ngopur në këtë botë me besim, e pastër me Zotin dhe falenderues atëherë do të ngopet edhe në botën tjetër me të mirat e pafundme të saj e nëse zemra ngopet në këtë botë me epshe dhe është një zemër larg sinqeritetit të besimit në Zot atëherë ka për të qenë e zbrazur në botën tjetër edhe nëse trupi i njeriut është ngopur me të mira materiale dhe kënaqësi gjatë jetës së kësaj bote.

Ndaj dhe shfrytëzimi i të mirave këtu dhe mos lënia asnjë të mire për në botën tjetër ka kuptim se zemra ka faktorizuar smirën, kufrin, largimin nga dëgjueshmëria ndaj Zotit si pasojë ka shfrytëzuar të mirat e kësaj bote por pa pjesë në botën tjetër. Ndaj zemra është mjeti më i rëndësishëm pasi ajo të ngop në këtë botë dhe në tjetrën, ndaj duhet ujitur me shiun e punëve të mira më tepër sesa ujitet një bimë që sapo ka mbirë dhe më shumë sesa hidratohet një trup i rraskapitur në shkretëtirën e epshit….

Tek e fundit hebrenjve iu desh mbi 40 vite udhëtim për të kuptuar se te ndryshosh mendje është diçka njerzore, po ne a thoni që do na mjaftojnë këto 40 vite?

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re