Nga: Sali Shasivari

Në muajin nëntor të vitit 2012, me rastin e ‘100 Vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar’, një mik i imi – kryeredaktor – kërkoi nga unë të shkruaj një artikull përkitazi me këtë ngjarje të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar, me qëllim që të botohet në numrin 100 të revistës së njohur ‘Vepra’ (e cila botohej në Maqedoni); numër jubilar ky, i cili i kushtohej kësaj ngjarje historike…

Ndonëse, fillimisht, kësaj kërkese dashamirëse dhe fisnike iu përgjigja pozitivisht…; mirëpo, me të filluar shkrimin, hetova se, fjalët e para që i shkrova ishin në disproporcion të plotë me atmosferën e përgjithshme festive që dominonte atëbotë…; andaj, vendosa që të njejtin shkrim ta ndërpres, me qëllim që të mos shndërrohem në ‘prishës ahengjesh’, si dhe me qëllim që të pres se, mos ndoshta vallë, të gjitha ‘pikëpyetjet’, ‘pikëçuditëset’, ‘dilemat’, dhe ‘kritikat’ që i kisha në kokë, mbase do të gjejnë përgjigje në “surprizat” e përgatitura nga Shteti Amë shqiptar, si dhe, nga faktorët tjerë relevantë të ‘shqipërive’ tona…; me ç’rast, do të jemi dëshmitarë të: publikimit të një enciklopedie shumëvëllimshe, e cila do të bëjë – një herë e përgjithmonë – konsolidimin e historisë sonë kombëtare…; do të kemi rastin që ta shohim të ekspozuar ‘Deklaratën Origjinale të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar’…; do të jemi dëshmitarë të shpalosjes së një pllake gjigante përkujtimore për të gjitha viktimat e golgotës shqiptare të para, gjatë, dhe pas Luftërave Ballkanike…; do të dëgjojmë rezoluta të cilat dënojnë ‘Krimet Sllave’ ndaj popullit shqiptar, dhe të cilat kërkojnë dëmshpërblime adekuate përkitazi me to…; do të dëgjojmë plane dhe strategji për riaktualizimin dhe rikthimin e tokave të aneksuara të trungut shqiptar, si dhe, popullatës së dëbuar të këtyre trojeve…; do të dëgjojmë deklarata që dënojnë ‘Krimet Komuniste’…; do të dëgjojmë plane për rehabilitimin dhe konsolidimin e ‘Diasporës Shqiptare’ anekënd globit…; do të jemi dëshmitarë të shpalosjes së disa megaprojekteve infrastrukturore, kulturore, dhe civilizuese mbarëkombëtare…; do të dëgjojmë platforma të mirëfillta për ri-integrimin e trojeve shqiptare, si dhe, konsolidimin e vizionit, misionit, dhe strategjive kombëtare në sferat politike, ekonomike, identitare, kulturore, civilizuese, akademike, arsimore, sociale, artistike, sportive, etj., etj., etj. …

Mirëpo, për çudinë tonë, ‘Jubileu i Njëqind Vjetorit’ ishte shumë larg nga të gjitha këto aspirata që u përmendën më lartë, dhe se, i njejti, u karakterizua vetëm me akivitete folklorike, ahengje, festime, etj., të cilat kulmuan me maskaradën e ‘Tortës së Pavarësisë’ në Sheshin e Tiranës…!

Përreth emocioneve pozitive dhe ndjenjave të krenarisë që na dhuroi shënimi i ngjarjes së ‘100 Vjetorit’ anekënd trojeve shqiptare, i madh ishte dëshpërimi dhe zhgënjimi që u ndje, për shkak të zbehtësisë së kësaj ngjarje në aspektin e projekteve zhvillimore…!

Me të mbaruar festat e ‘100 Vjetorit’, prirja për të reflektuar dhe për të shkruar diç mbi memorjen e venitur dhe aktualitetin e palakmueshëm të popullit tim shqiptar m’u shtua edhe më shumë; mbase, tashmë kisha edhe më shumë ‘material’ për të debatuar dhe argumentuar… Megjithatë, vendosa ta frenoj vehten, duke pëshpëritur në vetvete se: “Ndoshta Shteti Amë shqiptar dhe faktorët tjerë relevantë të ‘shqipërive’ tona kanë vendosur që, ky ‘Njëqind Vjetor’ të shënohet me festa dhe ahengje, ndërsa, me rastin e ‘Jubileut të 110 Vjetorit’, të bëhet shpalosja e projekteve të lartëpërmendura”…

Mirëpo, pritjet e këtilla rezultuan të jenë të llojit të dramës “Duke Pritur Godonë”, e që, në këtë kontekst, paraqisnin ‘teatrin e absurdit shqiptar’…!

E, tashmë që edhe festat e ‘110 Vjetorit’ kaluan ashtu siç e pamë, me retorikën e zakonshme nacional-romantike, dhe, me ahengjet e rëndomta turbo-folklorike…; me ç’rast, përpos ‘Abetares së Unifikuar’ për Shqipëri dhe Kosovë (Abetare kjo, e cila, prej 1 shtatorit të këtij viti, më në fund, u gjend në duart e nxënësve të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa, nxënënësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, por edhe ata në Luginën e Preshevës si dhe në Mal të Zi, edhe këtë vit shkollor e filluan me tekste të vjetra shkollore), gjithçka tjetër kaloi në avazin e ‘Njëqind Vjetorit’, ndonëse, me një intenzitet më të vogël…!

Madje, duke marë parasyshë faktin se, ky ’110 Vjetor’ po na gjen me: një Shqipëri të korruptuar dhe të depopulluar…’; me një Kosovë të cunguar dhe të rrezikuar…; me një popullatë shqiptare në Maqedoni të përgjysmuar dhe të diskriminuar…; me një Kosovë Lindore të getoizuar dhe të neglizhuar…; me shqiptarët e Malit të Zi të anashkaluar dhe të harruar…; me një Sanxhak të asimiluar dhe të tëhuajsuar…; me një Çamëri të aneksuar dhe të robëruar…; me një Diasporë Shqiptare në Perendim të shkapërderdhur dhe të paunifikuar…; dhe, me një Diasporë Shqiptare ne Lindje të shkrirë dhe të harruar…!

Si dhe, tashmë që mbaruan festat dhe ahengjet e ‘110 Vjetorit’…

Përreth kujdesit që të mos bëhem ‘prishaqejf’ i gjithë asaj atmosfere festive e cila kaploi mëhallat, katundet, e qytetet tona, dhe të cilat u shndërruan në ‘dopio’ me efekt të shkurtër dhe në ‘qetësues’ i cili neutralizoi përkohësisht dhimbjet e shumta nga të cilat po lëngojnë pjesë të ndryshme të trupit shqiptar…; dhe, përreth kujdesit që të mos tingëlloj tepër pesimist pas përvjetoreve të këtilla…

Realiteti është se, kur i ke parasyshë të gjitha faktet e hidhura të cilat i përmendëm pak më lartë, nuk ke se si të qëndrosh indiferent dhe i heshtur…

Kjo, ngase, problemet dhe sfidat e shumta me të cilat ballafaqohet kombi ynë në këto momente jubilare, imponojnë të gjykuarit me kokë të ftohtë dhe me arsye të shëndoshë, duke kërkuar qasje më reale dhe më konstruktive ndaj të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes…; larg euforisë emocionale, parullave boshe, folk-patriotizmit dhe nacional romantizmit…!

Së këndejmi, në këtë stacion të rëndësishëm të rrugëtimit tonë njëqind e dhjetë veçar, dhe në këtë ambient ‘post festum’, është e udhës që të ndalemi për pak çaste, ta kthejmë kokën mbrapa, dhe ta analizojmë gjendjen në të cilën ishim para një shekulli…; si dhe, problemet dhe pengesat të cilat na përcollën përgjatë këtij rrugëtimi njëshekullor. Mëpastaj, ta shikojmë vehten në pasqyrë, për të parë mirëfilli pozitën aktuale në të cilën ndodhemi aktualisht si popull dhe entitet…; si dhe, ta drejtojmë shikimin kah e ardhmja, duke menduar e planifikuar punët, angazhimet, detyrat dhe prioritetet të cilat na presin…

E gjithë kjo, në funksion të mbijetesës sonë si komb, si dhe, sigurimit të një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm…

Andaj, le të reflektojmë së bashku…

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re