Mirënjohje, artistes së madhe të grimit, Zhaneta Petushi! Nga Pavlina Mani, Astrit Çerma, Xhuljeta Kulla.

U bëmë tok tre artistë që jetojmë në hapësirat e Shteteve të Bashkuara dhe na bën kështu, tok, një ditlindje, që për ne është fort e dashur. Është ajo e Zhaneta Petushit, e cila e feston këtë përvjetor mes njerëzve të saj në Çikago.

E feston ajo me djalin, nusen, mbeskat dhe miqtë që banojnë aty rreth e qark, por ja që ne duam të jemi pjesë e festës duke shfrytëzuar të tëra mjetet e sotme, gazetat revistat, fejsbukun, telefonat, postën e luleve.

Festojmë me kënaqësi me një artiste, me të cilin na lidhin vite të shumtë pune, ngjarje të rëndësishme artistike, filma, drama, komedi, koncerte, përralla fëmijësh e gjithçka, që për të ardhur para spektatorëve tej e mbanë atdheut, brënda dhe jashtë kufijve, në kaseta e DVD-ra, do të bartnin pashmangshmërisht emrin e kësaj artisteje të madhe, së cilës ne i detyrohemi mjaft.

Ne të tre, Xhuljeta, Astriti dhe Pavlina, jemi të sigurtë se i shprehim Zhanit mirënjohjen edhe të qindra kolegëve të tjerë që në këto kohëra janë shpërndarë mbi sipërfaqe të globit. Dhe e tërë kjo aradhë artistësh, me siguri do të vijë me ne dakord, që në arritjet tona artistike, janë disa prurje që mijërat e milionat e spektatorëve i kalojnë pa vëmendje të madhe dhe mjaftohen me shijimin e lojës tonë aktoriale, zërit, gjesteve, fjalëve, këngëve.

Pjesa dërmuese e spektatorëve nëpër salla dhe para ekraneve, entuziazmohet, rrëmbushet, mban frymën pezull, qesh, qan… Në kontaktet e përditshme me ne, ata na përqafojnë, na puthin, na dëshirojnë autografin, kërkojnë të fotografohen… Dhe pafajësisht, por padrejtësisht, as nuk duan t’ia dijnë se aty pranë po kalon pa u vënë re, dhe kësisoj pa u përqafuar, regjisori, kalon dramaturgu, kompozitori, koreografi, piktori i kostumeve…

Aty pranë kalon, padrejtësisht pa u vënë re, mjeshtrja duarartë e grimit (makiazhit), Zhaneta Petushi, emri i së cilës është parë në radhën e titrave televizivë, që për shumë vetë është një rutinë dokumentimi, dhe nuk dihet mbarë se Zhani ka bashkuar talentin e saj të rrallë me tonin, ka punuar me flokët tanë, me vetullat, me qerpikët, na ka “çarë” faqet apo buzët, na ka thinjur, na ka rinuar dhe zbukuruar pesë herë më shumë.

Ajo është bashkuar me ne duke punuar në zonën më shprehëse dhe më mbresëlënëse të shtatit njerëzor, në fytyrë, që mbetet pastaj e pashlyer në kujtesën e milionave, në atë fytyrë që zgjon vëmendjen që thamë në rrugë dhe sheshe dhe tërheq njerëzit drejt nesh për një përqafim, autograf, apo foto.

Marrim shkas nga ditlindja e bukur e Zhanit, (me një si ndjesi faji për këtë “padrejtësi”), që ta theksojmë këtë rol të rëndësishëm të saj në figurat tona artistike.

Ishte një fat për ne që bashkuam këtë mjeshtre të lartë, e cila për shumë dekada ka punuar me ajkën e artistëve tanë të vdekur e të gjallë, në filma dhe ekranizime.

Tok me urimet më të ngrohta për një jetë të gjatë dhe të shëndetshme, duam t’i shprehim mirënjohjen, që e kemi vënë dhe si nëntitull të këtij shkrimi. Pra:

 

Faleminderit, Zhanetë e dashur!

Petushi është një artiste kompletuar. Ajo është shumë më tepër se mjeshtre e mashave, karficave, perrukave, mustaqeve, gërshetave, tonit të fytyrës dhe bojërave. Zhani ka njohuri të gjëra mbi kiminë, mbi cilësitë fizike të materialeve me të cilat punon.

Ajo ka njohuri të gjëra dhe të hollësishme mbi anatominë e specifikisht mbi atë të fytyrës, me reliefet e së cilës i është dashur të punojë. Ajo ende shfleton vazhdimisht të rejat e universit të makiazhit, teknikat bashkëkohore, materialet e sofistikuara në tregun ndërkombëtar.

Kultura e gjërë e ndihmon në studimin e karaktereve që përmban vepra që do të filmohet. Jo më kot në qarqet artistike Zhanin e kanë zili për atë uri të pashuar që shfaq ajo për leximet e letërsisë së vjetër dhe të re, që nga Shekspiri e deri te Kafka dhe Xhorxh Oruelli. E gjitha kjo e ndihmon atë t’i futet me autoritet sugjerimeve për aktorët dhe regjisorët që punojnë me të.

Artistja që feston sot ditlindjen e saj, ka një të kaluar të bukur në artin e valleve shfaqur në skenat shqiptare dhe në turnetë jashtë shtetit, që e bën të mirëkuptueshme me emocionet e skenës në të cilën ajo bënte ferk me shtatin e saj plot hir dhe portretin e saj tërheqës, veçanti që vitet janë munduar por nuk ia kanë dalë t’ia dobësojnë aspak.

Përballja e asaj balerine me skenat dhe kamerat, solli një plotësim të bagazhit artistic. Ia zgjeroi aftësinë e mirëkuptimit me artistët. Ia bëri të kollajtë injektimin e frymëzimit tek na shihte të uleshim të merakosur para pasqyrës së saj të grimit.

Lista e veprave filmike dhe televizive në të cilat Petushi ka qenë bashkëpuntore e rëndësishme është e gjatë. Artistët e mëdhenj të skenës dhe ekranit, që sot nuk i kemi mes nesh, na flisnin me entuziazëm për mjeshtren tonë.

Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Kadri Roshi, Sandër Prosi, Violeta Manushi, Drita Pelinku, Prokop Mima bashkoheshin njëzëri në vlerësimin e përgjegjësisë artistike që shpërfaqte kjo mjeshtre e shquar. Kësisoj ne na u bë e mundur ta njihnim ende pa u takuar me të për bashkëpunimet tona të mëpasme.

Profesionalizmi i saj i rrallë ishte bërë i mirënjohur edhe në qarqet e larta administrative e politike të kohës. Sa për ilustrim mund të përmendim faktin që Zhani Petushi u thirr me ngut në një shfaqje të veçantë dhe të rrallë për nga rëndësia, siç ishte vdekja e Enver Hoxhës.

Sikurse mbahet mend, trupi i liderit komunist iu ekspozua ditë me radhë homazheve të njerëzve nga të katër anët e vendit. Në atë pikëllim të organizuar në detajet më të përpikta, portreti i të vdekurit të madh ishte epiqendra e vëmendjes.

Mirëmbajtja dhe shëmbëlltyra e udhëheqësit bëhej pas ditëve që kalonin edhe më e vështirë. Zhaneta i kujton si ditë të ngarkuara plot tension dhe përgjegjësi, kur një incidenti të pafajshëm mund t’i katërqindfishohej faji dhe të sillte ato pasoja që nuk duam t’I përmendim.

Tani artistja e jonë e dashur është tërhequr nga të gjitha këto lloje ngarkesash, por nuk përton të ndihmojë në mendime dhe sugjerime këdo nga artistët që telefonojnë në shtëpinë e saj, në qytetin e madh të Çikagos.

Natyrisht telefonojmë edhe ne, jo aq për grimioren, se sa për mikeshën: shkëmbejmë mendime për libra e filma, zhytemi në kujtimet tona të përbashkëta dhe endemi në bukuritë e ëndrrave që nuk i realizuam dot.

Ndjejmë një kënaqësi që ne të tre u bëmë në një mendje për ta uruar Zhanin në përvjetorin e lindjes. Bëmë edhe një punë të mirë që aktorët rrallë e bëjnë: skicuam letrarisht në këto rreshta portretin e një artisteje që, siç thamë, publiku i gjerë nuk e njeh sa duhet.

Shpresojmë që të shpiem përtej Atlantikut, atje në atë vend të dashur, që ngarkuar me qindra problem shoqërore dhe ekonomike përpiqet të zerë vend mes të barabartëve, të shpiem pra, një memo, një dritë mbi meritat, arritjet e shumta të kësaj artisteje të vyer, që ndryshe nga masa, autoritetet shtetërore ia dijnë bukur vlerat dhe themi se u duhet ta dekretojnë këtë vlerësim.

Pra, ia bashkangjisim edhe këtë urim, urimeve që bëmë më sipër. Dhe sipas tërë gojëdhënave folklorike lidhur me numrin tre, zenë më mirë urimet kur vijnë njëherësh, nga tre prej miqve të shumtë të saj.

&nbs

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re